A jemi të sigurtë për jetën kur na ndalon Policia?

Postuar në 23 Shtator, 2022 11:46

Vetëm dy ditë pasi Prokuroria urdhëroi mospublikimin e të dhënave të hakeruara për arsye të sigurisë kombëtare, në media dolën pjesë të dosjes hetimore për Ervis Martinajn, një person i njohur për shumëkënd. Në një emision u ngritën të gjitha hipotezat për zhdukjen e personit, referuar copëzave të dosjes hetimore. Një portal e raportonte dje si ekskluzive dosjen hetimore, ndërkohë që Prokuroria nuk ka asnjë reagim për këto rrjedhje.

Pak muaj më parë në media doli deponimi i Nuredin Dumanit, pjesë të tij që bënë prezent për opinionin marrëdhëniet mes grupeve kriminale, duke vënë nën ekspozim porosi të parealizuara për vrasje të caktuara, çka siç mund të  merret me mend ka ndezur llambat në shumë ambiente. A ka më kriminale sesa një gjë e tillë? A ka më vend të flitet për Prokurori Shteti kur dosje deponimesh dalin në media duke krijuar koniunktura të reja reagimi nga grupe që perceptojnë rreziqe dhe duke hapur kështu probleme që marrin jetë njerëzish?

Askush nuk flet. Ne dëshmuam të gjithë sesi Durim Bami, p.sh një person i akuzuar për vrasje, komunikonte me një deputet, na u servir në media një gjë e tillë, në kontekstin e një skenari fantazmagorik për urdhërim vrasjesh edhe nga ish-presidenti. Thirret kështu "populli" të bëjë pretencën, të marrë anë dhe të helmojë veten duke parë se në ça vendi jeton dhe kush drejton.

Nga ana tjetër ky është një problem shumë i madh që herët apo vonë do të manifestojë simptoma shpërthyese. Në komunikimin e hakeruar të ish-drejtorit të Policisë rezultoi se vetë Gledis Nano ishte në dijeni të kompromentimit të trupës me njerëz të krimit, se pasiguria në Tiranë është e madhe dhe se njerëz me armë bredhin lirisht.

Në Tiranë mund të bësh çfarë të duash

citohet z. Nano.

Jemi pra në kushtet kur gangsterizmi pranohet zyrtarisht se qeveris këtë vend, ndërkohë që po dje, gazetari I kronikës, Artan Hoxha, gjatë një diskutimi televiziv bënte be e rrufe se Ervis Martinajn e kanë rrëmbyer njerëz me uniforma të forcave speciale dhe me mjete me fenelinë. Të cilët si të tillë kanë lëvizur të qetë deri në Vlorë ku pretendohet se e kanë eliminuar.

Sigurisht që ne nuk kemi asnjë informacion në dorë që të konfirmojmë të gjitha këto, por ama ne e dimë si qytetarë të këtij vendi se këto me siguri mund të ndodhin këtu dhe se kanë ndodhur. A nuk u rrëmbye Enver Stafuka në këtë mënyrë?

Ndaj, në kushtet e kësaj pasigurie thuajse totale, ku policia është vetëm një organizatë që bashkëpunon me krimin apo se segmente të saj janë kaq të kompromentuar saqë krimi guxon të ekzekutojë në mes të ditës në rrugë nacionale, na mbetet që të pyesim në mënyrë legjitime: a duhet të ndalojmë në rrugë kur një gjë e tillë na udhëzohet nga një makinë që ka shenjat e policisë?

A duhet të besojmë ne se një person me uniformë policie është me të vërtetë polic që ka për qëllim të sigurojë rendin? Janë pyetje që burojnë nga strukturimi mafioz i Policisë së Shtetit, nga paaftësia e saj për të reaguar dhe nga fakti se pasiguria jonë për jetën është fakt i provueshëm çdo ditë.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.