ShBA është(si përherë dhe kudo) investitore e krizës në Shqipëri

Postuar në 15 Shtator, 2022 00:10

Pati një seri ngjarjesh këto dy ditë që japin të kuptojnë se diçka po lëviz në prapaskenë. 

Një media në ShBA rihapi çështjen e lobimit rus të PD-së në një kohë dhe moment që lajmi kontekstualizohet si akuzë për Lulzim Bashën. Pak rëndëi k asa e vërtetë është kjo gjë, por njësoj si në rastin kur ShBA shpalli non grata Sali Berishën, edhe tani askush nuk beson se Basha ka marrë para nga Vladimir Putini. Për arsyen e thjeshtë se nuk është aq budalla dhe se nuk i duheshin. 

Së dyti, nëse ka ndodhur kjo dhe ShBA me Yuri Kim e shpallën Bashën njeriun e tyre diçka çalon në relacionet brenda institucioneve amerikane. Ose diçka është luajtur në raport me politikën në vendin tonë. 

Kjo goditje për opozitën shqiptare ndodhi ndërkohë që Edi Rama ia doli të thërriste gati me detyrim Albin Kurtin në Tiranë në një takim dy orësh nga i cili dolën të qeshur. Sqarimet për takimin i dha vetë Kurti që foli sa për sulmet kibernetike, aq edhe bashkëpunimin ekonomik, ashtu edhe për Procesin e Berlinit që është një kadavër politike. 

Paralel, presidenti serb Vuçiç do të deklaronte sot se ai nuk e mbështet më idenë e ndryshimit të kufijve pasi siç u shpreh ai “gjërat kanë ndryshuar”. Ky sinjal e akomodon më mirë Kurtin në nismat rajonale për të cilat po investohet kaq shumë Edi Rama dhe Aleksander Vuçiç, kryesisht me Open Balkan e cila duhet të jetë gjithëpërfshirëse që të përfitojë fonde apo të merret seriozisht. Sinjali i Vuçiç shkon padyshim edhe për Bosnje - Hercegovinën ku fermentohet një situatë e ndezur. 

Në një rend të përgjithshëm kemi: një opozitë në Shqipëri nën sulm nga diplomacia amerikane me disa forma banale diskreditimi që kalojnë në vendin tonë si gjyq publik, një afrim mes Tiranës dhe Prishtinës, një qëndrim të Beogradit për mosndryshim kufijsh. Pra një përpjekje për të stabilizuar skenën me neutralizim të atyre që mendohet se janë më aktivë kundër politikave të caktuara perëndimore. 

Duhet thënë edhe njëherë se loja e Zërit të Amerikës me financimet ruse të PD-së errëson edhe aferën e inceneratorëve për të cilën nuk kemi asnjë deklaratë nga e shumëbezdisshmja Yuri Kim. Në këtë kuadër duhet të kuptojmë se ShBA nuk qëndron në krah të Shqipërisë, por të vetes së vet me njeriun e saj në Tiranë, të cilit nuk ia sheh as korrupsionin dhe asgjë për arsye të faktit se është gati të bëjë çdo gjë që i kërkohet. Dhe patjetër: është më i kontrollueshëm se të tjerët. Lajmi këtu është rënia e Albin Kurtit që të paktën aq sa rrëfeu nuk kishte pse të ishte në Tiranë, pasi për sigurinë kibernetike nuk flet një kryeministër me një tjetër në një takim informal. Por me dorën e dhënë Edit do t’i vijë shpejt radha edhe Kurtit të provojë shijen e hidhur të tersit të Tiranës.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.