Qameti ndodh në tetor/Burime nga SHBA: Pritet shpallja non grata e Enver Hoxhës dhe arrestimi i tij më datë 16

Postuar në 14 Shtator, 2022 10:26
Skerdilajd Zaimi

 

Sot jemi 14 shtator. Koha ka marrë për fresk. Nuk del dot lehtë pa një këmishë me mëngë të gjata.

Ky muaj është tradhtar i çdo shprese dhe çdo profecie të gushtit. Në gusht të çdo viti thuajse të gjithë që merren me zanatin e llapësit mediatik parashikojnë se pritet nami. Hapini dhe lexojini mërgatën e qyqeve në botën e zhurmës dhe rrëmetit se çfarë parathanë. Sesa të ligë e bënin fytyrën e vetëkënaqur pse ishin autorizuar, ca nga paguesit, ca nga malinjiteti i brendshëm, të kërcënonin një pjesë të pushtetit të cilit i kanë shërbyer, lëpirë, zgërdhirë e kërrusur kurrizin gungë të mendjes së tyre.

Shtatori po ikën lehtë, me puhizë politike, me protestë me pjesëmarrje më pak sesa një varrim, me shantazhe, kërcënime, e dërr - dërret e zakonshme të banditëve.

Është një shtator krejt indiferent edhe pse ne jemi nën agresion kibernetik. Mos! Nuk do kemi certifikata, nuk do marrim dot pasaporta, aman do na bllokohet shërbimi online për pagesa. Seriozisht? Këto ngjajnë si një masë rrangullash të një kohe të çuditshme, pa adresë, pa origjinë, një kostum prestigjatori, në një vend që progresin e sheh si karnevale dhe karnevalen si mënyrë jetese. Sepse progresi këtu është në fakt prokurim me paratë tona – vallë nga doli kjo që paratë janë tonat?- i një cope Facebook, Google, SHBA, Italie, Gjermanie, France – ngujuar mes nesh ca aty e ca këtu si monoliti i Kubrickut, që korrodon çdo kuriozitet. Shqipëria vazhdon aty njësoj, te kafeja, muhabeti, marifeti, dembelizmi dhe shtyrja! Nami ka për t’u bërë dikur, kjo as diskutohet.

Erdhi shtatori, po del shtatori. Hiç, asgjë. Zero. Njësoj. As non grata, as gratta e vinci, rikonstruksione shkollash, ministra që qeshin, apo bëjnë sikur, llapësa që krekosen me kontrata të rinovuara helmatisjeje, të njëjtat rromuze dhe të njëjtat mimika. U zbuluan ca kulla pa leje. Sesi ishin bërë ashtu vetë, 30 m të larta. Tipike për shtator! Në gusht duhet të kenë qenë të ulëta, ose nuk kishte njeri t’i shikonte.

Po vjen kriza! 800 kilovatëshi na është bërë gogoli i ri. Po do na ndërpriten dritat, do lajmë rroba në 30 gradë. Edhe furnellat me vajguri mund të kthehen. Pse nuk na duken të reja këto ? Pse është kaq recidivist apokalipsi këtu?

Ah po, në shtator u bë abetarja e unifikuar. Tani shqipen e kemi në xhep, nuk ka më lajthitje, nuk ka më shtrembërime. Tani do merremi vesh.

Të mos nxitohemi se nuk ka dalë akoma, por si qetë ka nisur. Ndërkohë të mendojmë për muajin tjetër se te ky nuk qullosëm gjë. Ja bastet u legalizuan por bastin e gushtit e humbëm. Kemi tetorin para. Burime nga një vend shumë i rëndësishëm perëndimor i kanë thënë iks analisti me peshë që më 15 tetor SHBA dhe BE shpallin non grata Enver Hoxhën dhe më 16 e arrestojnë. Vendimit i bashkohet edhe Kina!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.