Kütahıu, greko- gjeorgjiani që nxori Toskët nga Epiri

Postuar në 07 Gusht, 2022 14:24
Basil C. Gounaris - Universiteti Aristotelian i Selanikut

 

Në këtë pjesë të dytë të esesë së Basil Gounaris për zhvillimet politike në Epir në periudhën që pasoi rënien e Ali Pashë Tepelenës ne kemi mundësi të shohim sadopak në një botë ku dhuna mori tipare të një perversioni politik unik. U bë anatomi shoqërore. Është e vështirë të gjesh një kapitull tjetër në historinë e shqiptarëve ku përfaqësues të tyre të përshfaqen kështu si bisha të tërbuara, mercenarë, banditë, bejlerë, përherë kalorës të kauzës së plaçkës e parasë, evokues të një lavdie personale, nën perandori, por pa din e pa iman, të bastisin hapësira nga Vjosa në Peleoponez e Akarnani si shqiptarë, Toskë, e të qeverisin mandej si otomanë.

Epiri qëndron këtu si një hapësirë e përzier kufitare ku bashkëjetojnë elitat greke dhe shqiptare, të dyja në dilemën ekzistenciale për të ardhmen e tyre. Gounaris i quan armatolët apo edhe kleftët, sikundër bejlerët shqiptarë të Toskërisë, agjentë të traditës në një kontekst modernizimi radikal. Është pikërisht natyra e objektivave që përcakton edhe rolin apo rezultatin. Nëse toskët lexohen këtu si mercenarë, lojtarë të interesit monetar, pa dalluar dhe kërkuar se kush paguante, Kutahiu – Veziri i Madh – Mehmed Reshid Pasha nga njëra anë dhe Kapodistrias nga ana tjetër – shfaqen me një projekt më të gjerë, më të plotë dhe më modern: ruajtja e shtetit, reformimi i tij për Portën dhe krijimi i një shteti për Greqinë. Kjo presë i shtypi toskët e harbuar – që pikërisht për karakteristikën e tyre sanguine zunë vend si portrete artistike të një eposi që nuk ka asgjë idilike – dhe e bëri nacionalizmin e mëvonshëm të atij rajoni, një zgjidhje, jo zgjedhje. Duke e kuptuar kështu historinë që pasoi, mund të kuptojmë edhe pse në krijimin e Shqipërisë nuk ka asgjë heroike, pasi për ta thënë me fjalët e Montanelit që i referon për Italinë: Shqipëria u bë keq, por u bë në të vetmen mënyrë që mund të bëhej.

Dhe meritë për këtë vonesë, për këtë kthesë, për këtë komplikim shumë të madh të historisë së Toskërisë, që befas u bë histori e Shqipërisë, ka sidomos Mehmed Reshid Pasha, gjeorgjiani me aftësi të mëdha dhe njohës shumë i mirë i shqiptarëve, i cili është ndër aktorët historikë – për arsye shtetërore – kryesorë, në mos qendrori, që nxori Toskët nga Epiri dhe ajo që sot është Greqia e Veriut. 

Përkthimi, hyrja dhe titulli shqip: Skerdilajd Zaimi 

Vijon nga pjesa e parë...

Traktati i Adrianopojës, kufiri i ri dhe armatolët e dikurshëm

Traktati i Adrianopojës u njoftua zyrtarisht në Janinë vetëm në fund të janarit 1830. Pak ditë më pas, me Protokollin IV të Londrës, Greqia e Adrianopojës u rrudh në këmbim të pavarësisë të çliruar nga haraçi. Kufiri i ri do të ndiqte rrjedhën e Sperkios dhe Akelout, duke i lënë kështu Portës një pjesë të konsiderueshme të Rumelisë qendrore, përfshirë disa vende me rëndësi strategjike dhe shumicën e Rumelisë Perëndimore, pra Etolinë Veriore dhe Akarnaninë. Kjo sekuencë e ngjarjeve diplomatike në një periudhë prej më shumë se 6 muajsh(shtator 1829-maj 1830) dhe zërat që i paraprinë dhe pasuan ato, ushqyen reagimin grek dhe shqiptar, që shumë shpejt u kthyen në zemëratë dhe dëshpërim për humbjen e territorit. Mesa duket fushata e fundit e Church kishte shkuar kot. Për pasojë ai dha dorëheqjen nga detyra e tij, akuzoi Kapodistrian për kompromis, nisi një lëvizje proteste mes krerëve luftëtarë të Rumelisë dhe në maj 1830, publikoi një raport të titulluar: Vëzhgime mbi një vijë kufitare të përshtatshme për Greqinë si një shtet i pavarur.

Church theksonte shumë zhgënjimin e padrejtë të veteranëve rumeliotë të cilëve u duhej të tërhiqeshin dhe dorëzonin vendin e tyre shqiptarëve të mundur. Ndërsa perspektivat ndryshonin, mbajtja nën kontroll e kapedanëve që kishin kaluar me Church, bëhej një çështje e ndërlikuar. Në fund të vitit 1829, kur lufta kishte mbaruar zyrtarisht, Augustinos Kapodistrias, vëllai më i ri i Guvernatorit, mori përsipër detyrën e riorganizimit të ushtrisë së rregullt greke. Plani i tij ishte mjaftueshëm fleksibël për të siguruar nderime dhe pozicione të tjera policuese në njësitë e lehta, për të plotësuar kërkesat e kryetarëve dhe të paqëtonte edhe ata që ishin tërhequr së fundmi nga kauza greke. Inkurajimi nënkuptonte edhe pagesën e pak kapedanëve dyshues.

E megjithatë ishte e pamundur t’i kënaqje të gjithë. Kur u formuan batalionet e para të lehta, luftëtarët dhe krerët që nuk duheshin, apo që ishin të pakënaqur, kërkuan karriera alternative në Perandorinë Otomane. Përderisa sistemi armatolik ishte rivendosur kudo, pretendimi i të drejtave të familjes dhe posteve në vendet e tyre të largëta, Thesalia dhe Maqedonia, nuk ishte pa kuptim. E njëjta ishte e vërtetë edhe për të famshmin, Armatolinë Agrafa, prej kohësh tokë e askujt, pjesërisht apo tërësisht jashtë kufirit grek. Një ndër krerët lokalë, Sotiris Stratos, ndonëse i përçmuar nga vendasit, u tolerua dhe iu dhanë poste si nga autoritetet greke, ashtu edhe ato otomane, për ta mbajtur neutrale provincën e tij. Çështja vërtet e vështirë  megjithatë u përball nga ish-armatolët të atyre rajoneve që pritej të merreshin nga Greqia pas protokollit të fundit. Ata ishin ende në kontroll të kuadrit taksues dhe merrnin pjesë të kontributeve, por jo pa konflikte me qeverinë qendrore. Këta njerëz si rregull i takonin opozitës së Kapodistrias, të drejtuar nga Ioannis Kolettis, një ish-doktor në oborrin e Ali Pashës, me origjinë vllahe dhe një mjeshtër i mirënjohur i intrigave politike. Për një farë kohe, mentori i tyre kishte qenë inaktiv, duke shpresuar për një post të përshtatshëm nga Guvernatori.

A duhet të qëndronin ende në heshtje? A duhet ta sfidonin ata me armë diplomacinë dhe t’i bashkoheshin forcave rebele të drejtuara nga Zylyftar Poda apo të rinovonin aleancën e tyre me Sulltanin në këmbim të përfitimeve të cilat Kapodistria nuk ishte në gjendje apo nuk donte t’i jepte?

Guvernatori e dinte se këta veteranë nuk mund të besoheshin. Komisioneri i tij i posaçëm në Greqinë Perëndimore, i mirëarsimuari dhe me përvojë të madhe udhëtimesh, Konstantions Rados si dhe komandanti i njësive ushtarake në të njëjtin rajon që nga shtatori 1829, oficeri napoletan me përvojë Vincenzo Pisa, po vëzhgonin nga afër këta veteranë dhe raportonin vendndodhjen e tyre. Kapodistrias ishte në ankth që të kufizonte çdo komunikim mes kapedanëve grekë dhe Mehmed Rehidit, që do të interpretoheshin si evidencë e besnikërisë ndaj Portës dhe dobësi e tij për të frymëzuar rregullin. Ajo çfarë ai i druhej , shtuar konspiracioneve dhe rebelimeve lokale – ishte hakmarrja otomane në rast se këta kapedanë do të përfshiheshin në kryengritjet shqiptare. Një invazion i suksesshëm  otoman do të eleminonte çdo shpresë për të tjetërsuar kursin e diplomacisë në favor të Greqisë dhe do ta bënin dorëzimin e Rumelisë perëndimore si dhe rënien e tij, të pashmangshme.

Nga ana tjetër, Veziri i Madh, djali i tij, Emin beu, të stacionuar në Janinë që në prill të vitit 1830, Mahmud Hamdi Pasha i Larisës, një çekrez besnik i Mehmed Reshidit dhe shumë efikas, si dhe Veli bej Jaxiu, po punonin të gjithë për kauzën e kundërt, po aq vendosmërisht sa Kapodistrias. Në fakt, politika e shkundjes së ndikimit grek në Rumeli kishte nisur shumë më herët, por u rinovua dhe riformësua pas luftës ruso-turke dhe Protokollit IV. Shtuar aleancës së re me armatolët, Porta kërkoi të rivendoste ligjin dhe rendin në provincat e veta perëndimore. U morën masa për rregullimin e taksave dhe tributeve. U lëshuan qarkore të rëndësishme në të gjitha provincat të cilat siguronin subjektet e Sulltanit se shqetësimi i tij i parë do të ishte lehtësimi i shqetësimeve të të varfërve dhe trajtimi si të barabartë i të krishterëve. U dërguan letra lajkatuese dhe kërcënuese ndaj personave me ndikim. U përhapën zëra të rreme për të rritur presionin. U kërkuan deklarata besnikërie ndaj Sulltanit dhe disa u arritën të merreshin. Rikthimi i aleancës jo vetëm me krerët luftëtarë, por edhe me grekë të njohur, veçanërisht në Rumeli, ishte thelbësore për tranzicionin e paqtë të pushtetit dhe reduktimin e emigrimit nga Perandoria në shtetin grek, një kërcënim ky dhe shenjë e keq-administrimit. Megjithatë, asnjë prej këtyre masave nuk ishte e destinuar të sillte ndonjë rezultat për sa kohë që rebelët shqiptarë po bastisnin provincat. Mposhtja e tyre nuk ishte një detyrë e lehtë.

Në vitin 1830, rebelët shqiptarë vijonin të kërkonin për aleatë në krahun grek, por atyre po u mbaronte koha dhe shteronte hapësira, pasi si kampi grek, ashtu edhe ai otoman, shtrënguan radhët. Ata u tërhoqën në një përplasje ndër-armatolësh në Agrafa, ndonëse pa ndonjë fitim strategjik. Asllan beu ia doli të rekrutonte disa qindra banditë grekë(listes) të drejtuar nga një farë Theocharis, por pa ndonjë rezultat.

Mahmud Hamdi Pasha dha një goditje fillestare ndaj rebelëve në prill 1830, afër Caricanit, në një kalim mes Maqedonisë dhe Thesalisë. Rakipi dhe Kapllani, vëllezërit e Asllan bej Pucit, u mundën keqazi. Qindra u vranë dhe u plagosën. Asllan beut, asokohe në Lamia, iu desh të manovronte përmes territorit grek për të shpëtuar veten dhe ndjekësit e tij. Ndërkohë që Thesalia u pastrua nga rebelët Toskë, ai dhe bashkëpunëtori i tij ri, Tafil Buzi, dikur një ndjekës i Omer Vrionit që ishte rreshtuar me grekët, rrënuan qytetin e Kozanit në Maqedoninë jugperëndimore. Ata u detyruan të evakuoheshin prej andej pas një muaji plaçkitjeje. 

Çamët, ende në padijeni të problemeve që i ishin mbledhur Asllan beut, po lëviznin po ashtu, duke rrethur rojet e sulltanit kudo në Epir. Zylyftar Poda ishte me ta dhe Mustafa Pashë nga Shkodra po priste ende të hidhej në veprim dhe të mposhtte otomanët. Por çamët ishin të frustruar(ose ndoshta të lehtësuar) në mënyrën më të papritur. Veli bej Jaxiu, që kishte qenë thuajse i padobishëm për Vezirin e Madh deri më tani, ia doli ta gjente gjuhën me Asllan beun. Në atë kohë, Kutahiu kishte siguruar pozicionin e vet në Bitola, i ruajtur nga njësi të ushtrisë së rregullt të sapokrijuar. Ajo çfarë pasoi nuk është e panjohur për historianët. Veziri mblodhi në atë qytet të krishterë të njohur dhe myslimanë po ashtu për t’i indoktrinuar ata me mënyrën e re të administrimit dhe krerëve shqiptarë iu paguan pagesat e tyre të prapambetura. Pasi i fërkoi krerët shqiptarë me falje dhe rryshfete për disa ditë, më 9 gusht 1830 ai i mblodhi ata, gjoja për të marrë pjesë në një paradë përshëndetëse të ushtarëve të rregullt dhe vrau qindra prej tyre, përfshirë Asllanin dhe Veliun. Kokat e tyre të prera u kriposën siç duhet dhe u dërguan në Konstandinopojë për t'u shfaqur në publik.

Dy ditë më parë, Emin beu, djali i Vezirit, zuri në pritë dhe vrau vëllanë e Veliut brenda në fortesën e Janinës. I kujdesshmi Poda nuk shkoi në takimin e Bitolës dhe shpëtoi. Vëllai i Asllanit, Rakipi, asokohe në Janinë, e refuzoi ftesën e Eminit dhe i shpëtoi po ashtu masakrës. Mustafa Pasha dhe ushtria e tij gege nuk kishte ndërhyrë fare.

Toskët u hutuan dhe tërbuan nga tradhëtia e Mustafa Bushatlliut dhe mashtrimi i Vezirit të Madh; por ata nuk ranë në dëshpërim, për sa kohë që Zylyftar Poda ishte në anën e tyre. Bejlerët e tyre merrnin pjesë në takime, betohesin për hakmarrje dhe mblidhnin forcat e tyre. Ata kërkuan ndihmë edhe nga pala greke: emigrantët suliotë, të krishterët e Himarës, madje edhe nga Guvernatori Kapodistrias. Nuk morën asgjë. Kapodistria ia shpjegoi dy bejlerëve çamë që i kishin shkruar atij se paqja me Perandorinë Otomane ishte rikthyer dhe se thyerja e saj shkonte kundër interesave greke. Poda nuk i përsëriti përpjekjet e tij në mënyrë që të shpëtonte nga vdekja veten dhe djalin e tij, asokohe peng në duart e Vezirit. Lëvizjet e vendosura të Kutahiut në fundin e vitit 1830 shkurajoi të gjithë kundërshtarët e tij. Pashallarët e tij lëvizën shpejt dhe të ndihmuar nga armatolët grekë, nisën të ripushtojnë qytetet dhe fortesat epirote si dhe të zëvendësonte rojet e parregullta me roje të rregullta. Në javët që pasuan, teksa forcat e Mahmud Hamdiut lëvizën në rajonin e Beratit për të konfiskuar pasuritë e Asllanit dhe Veliut, shpërtheu vala e bejlerëve rebelë dhe familjeve të tyre drejt ishullit të Korfuzit.

Kur ai la Janinën për në Bullgari, 18 muaj më parë, Kutahiu kishte premtuar me lotë në sy të hakmerrej ndaj kryengritësve shqiptarë. Ai e mbajti premtimin. Por kjo nuk mjaftoi që ta kënaqte zotin e tij. Kthimi i tij nga Bitola në Epir duhej të sinjalizonte restaurimin e rendit dhe drejtësisë dhe ai punoi intensivisht për këtë. Letra amnistie u dërguan kudo në Rumeli, brenda dhe jashtë domeneve të Sulltanit. Ai ftoi popullin e Pargës, që ishte strehuar në Korfuz më 1817, të rikthehej në vendin e vet dhe inkurajoi blegtorë nga Akarnania(territori grek) që të përdornin kullotat e zakonshme verore në pjesën otomane të Epirit. Për kristianët e njohur lokalë dhe bejlerët myslimanë, ai rezervoi një përzierje mes sajdisjes, presionit, kërcënimit dhe kryesisht ndëshkimit. Kjo ishte ajo që dinte të bënte më mirë. Të gjithë ata që kishin bërë të vuanin të varfrit në mungesë të tij do të duhet ta paguanin shtrenjtë.

Terrori u përhap mes tyre. Pas kthimit në Janinë të Vezirit të Madh, askush prej atyre që kishin guxuar të merrnin armët kundër Sulltanit nuk do të rrezikonte të afrohej personalisht ndaj tij për të kërkuar falje apo të negocionte një kompromis; sidomos armatolët e paskrupullt që kishin flirtuar me të gjitha palët. Teksa dimri po afrohej, atyre iu kërkua të reduktonin forcat e tyre në minimum. Ata u kërcënuan por nuk u dorëzuan. Në dimër, armatolët ishin të paprekshëm. Procesi diplomatik po vinte po ashtu drejt fundit. Pavarësisht deluzioneve greke, Akarnania duhej të evakuohej nga forcat e armatosura greke dhe t’i dorëzohej Portës në këmbim për Athinën dhe Eubenë. U dakordësuan hollësitë ndërkohë që transferimi i njëkohshëm ishte rregulluar. Konsulli britanik në Prevezë, Edward Meyer, njoftoi se në Epir ishte rikthyer qetësia perfekte pas një dekade lufte. Ai nuk mund të gabohej më shumë se kaq.  

Tubullime, dhunë dhe pasiguri

Vetëm pak ditë më vonë, më 24 dhjetor, Veziri i Madh do t’i habiste të gjithë edhe njëherë. Pas një planifikimi të hollësishëm, ai ndërmori një sulm të befasishëm kundër të gjithë armatolëve në Maqedoni, Thesali dhe Epir. Disa prej tyre u ftuan të merrnin urdhërat personalisht dhe me të mbërritur u vranë; të tjerë u zinë në prita në shtëpi, apo u rrethuan në vendet ku fshiheshin nga trupa të dërguara  kundër tyre, në zbatim të një plani të gjerë strategjik, në të cilin u përfshinë edhe kalorësia dhe marina. Në ditët dhe javët që pasuan, operacioni që ishite fillimisht klandestin, evoluoi drejt një fushate me dëme anësore të rënda, nga mali Pelion në Kalkidiki dhe Agrafa. Në këtë të fundit, forcat otomane të mbështetur nga një milici e fuqishme e rekrutuar nga një grek i njohur i zonës, i nxori armatolët jashtë rajonit. Qindra u vranë në këto operacione në mes të dimrit, por vetëm disa kapedanë, me gjasë më pak se 10. Disa prej tyre, si kapedanët armatolë të Maqedonisë jugore, ia dolën të arratisen falë ndërmjetësimit të shpejtë të konsujve rusë dhe francezë në Selanik me Vezirin e Madh dhe bakshishit të majmë që iu dorëzua pashait lokal.

Në ngjashmëri me atë që ndodhi në Bitola, sulmi u drejtua kundër të gjithë armatolëve, pavarësisht qëndrimit të tyre në muajt paraardhës. Kundër tyre u nënshkruan peticione nga njerëz të njohur të fshatrave, të cilat ishin marrë më parë. Kapodistria ishte informuar nga Veziri i Madh mbi vuajtjet e shkaktuara nga brigandazhi dhe ra dakord që të refuzonte hyrjen në Greqi të tyre kur do të ndiqeshin nga ushtria otomane. Kur fuqitë protestuan për gjakderdhjen e panevojshme, Porta paraqiti dokumente të mjaftueshme për të provuar se kjo bëhej për një çështje të mirë dhe me miratimin grek, nga kreu në fund. Hileja ishte se armatolët në shërbim të Portës u ngatërruan qëllimisht me hajdutët, grabitësit apo brigandët; ata quheshin listes, një term pezhorativ i vënë në punë në vend të termit të mirënjohur kleft, një sinonim i lufttarit të lirisë. Edhe nëse e meritonin këtë ngatërresë, sërish, në atë kohë, shumica e armatolëve ishin në marrëdhënie të arsyeshme, në mos të mira me administratën otomane.

Në muajt që pasuan, teksa shpërtheu një revoltë më e madhe shqiptare, u mendua se sulmi i dhjetorit kundër armatolëve ishte një goditje parandaluese për të minuar moralin shqiptar dhe të reduktonin rezervën e tyre kristiane. Ky nuk është një shpjegim i kënaqshëm. Nëse Veziri i Madh do ta kishte parashikuar apo ditur revoltën e hapur të Mustafa Pashë Bushatlliut, ai do të fuqizonte në vend se të prishte lidhjet e tij me kapedanët grekë për të siguruar kështu shpinën e tij. Ka më shumë gjasë që Kutahiu e ka konsideruar këtë operacion si fazën finale të një misioni të ngarkuar ndaj tij nga Sulltani për të pastruar zotërimet e veta nga të gjithë trupat e parregullta ushtarake, kristianë apo myslimanë dhe të siguronte “monopolin e dhunës” për Portën. Të paktën kështu i shpjegonte ai veprimet e veta në një letër drejtuar konullit francez dhe rus.

Në shërbim apo jo të Portës, kapedanët e armatolive, mblodhën rreth vetes njerëz të të gjitha llojeve; ndaj ata kontribuuan shumë në krijimin e një gjendjeje anomalie, të cilën Kapodistria e kishte ekspozuar si një deficit serioz të administratës otomane dhe e përdorte si argument kundër aneksimit të Akaranisë. Në optikën e tij, turbullirat lokale dhe pasiguria ishin shenja se Porta nuk kishte të drejtën moral të sundonte. Diplomacia po u bënte presion otomanëve në mënyra të tjera. Lord Palmerstone kishte informuar tashmë Kapodistrian se Protokolli IV mund të rishikohej në favor të Greqisë dhe e kishte këshilluar atë të shtynte evakuimin nga Akarnania. Veziri i Madh duhet të lëvizte shpejt në mënyrë që të eliminonte çdo hendek të mundshëm që mund të shfrytëzohej nga Kapodistrias. E megjithatë ai dështoi në përmbushjen e deyrë së vet. Shumica e kapedanëve ishin të lirë. 

Akti i pandershmërisë së radhës nga Kutahiu ndërseu tërbimin e trupave të parregullta greke që kishin mbijetuar, armatolëve dhe banditëve po ashtu. Ndërsa bora në male nisi të shkrinte, në fillim të pranverës 1831, ata dolën nga vendet ku ishin fshehur dhe u mblodhën, të gatshëm për të kryer një hakmarrje dhe nëse shansi do e donte, pas një kompromisi të ndershëm, të merrnin sërish armatolitë e tyre. Kapedanët e mbijetuar u ndoqën nga ndjekësit e atyre që ishnin vrarë dhe nga shumë hajdutë të zakonshëm nga Greqia që panë një mundësi unike për të palçkitur dhe grabitur. Dezertorë të papaguar të batalioneve greke, luftëtarë suliotë të papunë dhe blegtorë të rinj u bashkuan me ta dhe kështu në fund të pranverës bandat e tyre prej vrasësish numëronin mijëra.

Ky tubim njerëzish nuk mund të shpjegohet veçse nëse merren parasysh disa ngjarje të caktuara. Që nga muajt e parë të vitit 1831 u përhapën zëra se Bushatlliu do të niste sulmin e tij të pritur gjatë kundër Vezirit të Madh. Zylyftar Poda, pasi liroi djalin e tij të mbajtur peng, pritej po ashtu të merrte pjesë. Të dy liderët ishin në kontakt me refugjatët çamë në ishujt jonianë dhe në Mesollongj dhe kishin dërguar përfaqësues në Greqi, deri brenda kampeve ushtarake, për të rekrutuar luftëtarë.

Shqiptarët dhe aleatët e tyre mbështeteshin përfundimisht si në teori, ashtu edhe në praktikë nga qarku i kapedanëve të pakënaqur në Akarnani, të sipërpërmendurit opozitarë të Kapodistrias, që dëshironte të rinovonte revolucionin dhe të shtynte kufijtë grekë në veri kundër parashikimeve të protokollit të fundit. Kjo është arsyeja pse forcat brigande mbanin flamuj me kryq dhe e paraqisnin veten si çlirimitarë të cilët ishin përndjekur nga vetë qeveria e tyre dhe të detyruar të kërkojnë një të ardhme më të mirë në domenet e Sulltanit. Në fakt, në maj 1831 shpërtheu një rebelim në ushtri kundër Kapodistrias. Ai ia doli megjithatë, të ruajë kontrollin në të gjitha batalionet ndërkohë që rebeluesit u bashkuan me brigandët. Megjithatë entuziazmi vijonte të ishte i lartë ndërkohë që vinin lajme për plaçkitjen e qyteteve dhe fshatrave të shumta otomane dhe përmbi të gjitha, përfshirjen eventuale të Bushatlliut dhe Podës. Brigandët e krishterë bashkuan forcat e tyre me rebelët shqiptarë dhe u bënë edhe më kërcënues.

Por pavarësisht entuziazmit filestar, koha nuk përkonte për rebelët. Mustafa Pasha kishte përgatitur kthimin, të paktën që në janar 1831. Ai ishte përpjekur të siguronte mbështetje të çdo lloji nga Serbia, Egjipit dhe Bosnja, kryesisht nga boshnjakët, që ndanin urrejtjen e tij për nizam-in. Lufta e hapur megjithatë nisi në fund të marsit kur ai lëvizi drejt jugut dhe pushtoi Shkupin. Mes aleatëve të tij ishin edhe disa shqiptarë – ayanë të Maqedonisë – një prej tyre Ali Bey Karafejzić i Tetovës, bastisi pazaret e Sofjes – dhe toskët e aziluar të Peleoponezit, Lala-t. Veziri i Madh nxitoi për në Bitola ndërkohë që qytete kryesore në Thesali dhe Maqedoninë Jugore po binen lehtësisht pre e rebelëve. Gjasat ishin kundër tij, por ai i mundi Bushatlliun dhe gegët e tij dy herë në më pak se dy javë. Mustafai u largua për në Shkodër. Në atë kohë, Poda vështirë se kishte lëvizur forcat te veta. Ai u kontrolua dhe më pas u rrethua në kështjellën e tij nga Mahmud Hamdi Pasha i Larisës.

Fronti verior nuk ishte pastruar ende – boshnjakët po vinin dhe Bushatlliu ishte ende aktiv. Por në maj Veziri i Madh, ende i paprekur nga kursi i luftës në veri, ishte në pozitën që të mobilizonte nën kërcënimin me ndëshkim të rëndë, bashkëpunëtorët e tij në Janinë dhe i hodhi ata urgjentisht kundër brigandëve greko-shqiptarë. Nuk iste një detyrë e lehtë, por ajo u përmbush përpara rigjallërimit të aktiviteteve revolucionare çame në korrik në Epir, ofensivës së suksesshme boshnjake dhe ikjes befasuese të forcave të rrethuara të Bushatlliut në Shkodër. Aty nga fundi i qershorit 1831 forca kryesore e brigandëve grekë dhe shqiptarë ishte mundur dhe shpërbërë në banda të vogla, bezdisëse, por të paafta për të konstituuar ndonjë kërcënim serioz. Tafil Buzi dhe Aliko Lamçe, një dajo i Asllan Bej Pucit, udhëhiqnin më të fuqishmen, por nuk mundën të çanin dhe të ndihmonin Podën e rrethuar. Me sa duket forcat rebele dhe aleatët e tyre nuk ishin të koordinuar.

Për aq sa u takon brigandëve grekë, mungesa e koordinimit ishte vetëm një ndër problemet e tyre. Me më shumë rëndësi ishte mungsa në rritje e mbështetjes nga popullsia e krishterë lokale. Fshatarët e krishterë në domenet e Sulltanit nuk donin të shihnin të restauruar pushtetin e brigandëve. Ata nuk mund të përballonin më mbështetjen ndaj tyre. Në të njëjtën kohë, në palën greke të kufirit, dëshira përvëluese për lavdi revolucionare nuk mund ta fshinte stigmën e Turkofilisë. Ata ishin privuar nga njohja shtetërore dhe mbrojtja si në Greqi, ashtu edhe në Perandorinë Otomane. Pa lejen greke apo otomane, ata nuk ishin të ndryshëm të jashtëligjshmit e zakonshëm në të dyja anët e kufirit. Kjo pikëpamje ndahej si nga Veziri i Madh dhe Guvernatori greke që sipër përmendëm. Bashkëpunimi i dy liderëve për asgjësimin të brigandazhit, ndonëse jo me të vërtetë i dëshirueshëm, ishte i pashmangshëm. Perandori Otomane dhe Greqia në lindje duhet të vepronin si shtete modern në dritën e kujtimeve të hidhura të kohëve të fundit. Në kohën(qershor 1831) që brigandët ishin mundur nga pashatë që u dërguan për t’i asgjësuar, ishte bërë një farë progresi për të kufizuar lëvizjen e tyre, ndonëse nuk ishte aq befasuese. Asgjësimi i tyre nuk mund të realizohej për sa kohë Greqia do t’i lejonte ata të kalonin kufirin dhe strehoheshin aty.

“Grabitje” dhe negociata

Kütahıu dhe djali i tij Emini, kishin nisur të ushtronin presion të konsiderueshëm mbi Kapodistrian, menjëherë pas sulmit fillestar kundër kapedanëve armatolë në dhjetor 1830. Bindja e guvernatorit se grabitja(listeia) ishte e keqe dhe duhej kontrolluar u mor si një angazhim zyrtar në mbështetje të sipërmarrjes otomane dhe premtimit të fundit të tij për të kërkuar çdo të jashtëligjshëm dhe për t’i nxjerrë ata jashtë Greqisë, u interpretuar si një garanci për një ndjekje të pandalshme. Shumë shpejt, Emin Pasha ishte në gjendje të jepte evidenca të hollësishme se guvernatori nuk mund ta mbante premtimin e tij dhe në përputhje me pritmëritë otomane, ndonëse synimet otomane ishin në linjë, sipas optikës së Eminit, me ligjin ndërkombëtar.

Hamendësimet otomane u shfrytëzuan nga Kapodistrias për të fuqizuar çështjen e vet. Ai pranoi hapur paaftësinë e vet për të kontrolluar kufirin. Ai ishte përpjekur shumë dhe kishte dokumente që provonin vullnetin e tij, por kishte burime të kufizuara. Lufta dhe anarkia nga ana tjetër e kufirit, argumentonte ai, tërhiqte njerëz që e kishin atë si profesion dhe armët si mjete tregtie. Ai sugjeronte një rirregullim të vijës kufitare në mënyrë që ajo të ishte e mbrojtshme dhe e kontrollueshme nga ana greke apo gjetiu ndjekja e brigantëve t’u besohej trupave franceze.

Si Kütahiu ashtu edhe Kapodistrias ishin të vetëdijshëm se në thelb korrespondenca e tyre dhe diskutimet mbi brigandazhin lidheshin me debatin e pezullt dhe më të gjerë të linjës së ardhshme kufitare. Në këtë kontekst ata donin të dy të bënin të qartë se ishin të aftë të qeverisnin efektivisht në zotërimet e tyre. Dështimet e veta, i atribuoheshin kryesisht tjetrit. E megjithatë, Kapodistrias e dinte se pavarësisht sa të përshtatshme ishin argumentet e tij për europianët, ato nuk do ta shpëtonin vendin e tij, nëse Veziri i Madh, në dëshpërim dhe mëri, do të urdhëronte një pushtim të Greqisë për të asgjësuar brigandët. Ky ishte shqetësimi i tij konstant dhe jo tërësisht i pabazuar.

Në maj 1831 Kütahiu i kërkoi atij që të zgjidhte urgjentisht mes ndalimit të hyrjes së brigandëve, ose lejimit të ushtrisë otomane t’i ndiqte ata brenda Greqisë. Letra e tij iu komunikua po ashtu oborreve europiane. Në një përpjekje finale për të fituar kohë, Kapodistrias propozoi dërgimin e një komiteti miks për të negociuar me Veizrin e Madh në Bitola. Kjo ishte një mënyrë e qytetëruar për të trajtuar çështjen.

Misioni iu caktua senatorit Ioannis Karapavlos, një mik politik i ngushtë i Guvernatorit, një fisnik nga Koroni që shoqërohej nga konsulli rus Ioannis Paparrigopoulos dhe Konsulli i Përgjithshëm britanik, William Meyer, një i njohur i vjetër i Vezirit të Madh që nga viti 1828. Propozimi grek konsistonte në tri terma:

•             Do të bëheshin të gjitha përpjekjet për të ndalur hyrjen e brigandëve dhe rebelëve si dhe për t’i mbajtur të padëshirueshmit larg nga zona kufitare

•             Familjet e brigandëve do të ristacionoheshin në Peleoponez apo në ishuj ose përndryshe duhet të linin Greqinë

•             Për aq sa placka e grabitjes mund të dallohej nga tregtia legale, plaçka të tilla nuk mund të tregtoheshin në Greqi.

Përfaqësuesit lëvizën nga Nafplio në Ohër përmes Mesollongjit, në Prevezë dhe Janinë, por kur arritën aty, tri javë më parë, Veziri i Madh nuk ndodhej aty. Ai ishte nisur në prag të mbërritjes së tyre, për të përballur sulmin boshnjak që kërcënonte Shkupin.

Në vend të tij negociatat i çoi para Hati Efendiu, i dërguar i posaçëm i Portës. Ato u futën në një ngërç kur u bë e qartë se termat e diskutimit nuk ishin të njëjtat me ato që iu dorëzuan nga Kapodistrias ambasadorëve europianë në Konstandinopojë. Ky i fundit kishte dhënë urdhër për arrestimin dhe deportimin e të gjithë atyre që do të kërkonin strehim në Greqi. Kthimi i të mundurit dhe të inatosurit Kütahi dy javë më pas, nuk i lehtësoi gjërat. Ai nuk do të pranonte asgjë më pak sesa mbyllja e prerë e kufirit, arrestimin dhe deportimin e rebelëve në kërkim dhe grabitësve, si dhe pagimin e sigurimeve të dëmeve të kryera nga autorët. Edhe hyrja e ushtrisë otomane në Greqi si një masë ultimative qëndronte ende në tryezë, ndonëse jo e paraqitur me shkrim. Misioni i Karapavlos doli të ishte i pamundur.

Sapo të dërguarit raportuan se çfarë ishte diskutuar në Bitola dhe termat e rinj të Vezirit të Madh u bënë të ditura, Kapodistrias nisi të përgatiste një kundërpropozim të pranueshëm të cilin ia komunikoi Fuqive. Ai ia bëri të qartë të dërguarve të vet dhe oficerëve se nëse nuk do të ndiqnin udhëzimet e tij për të vëzhguar nga afër shkelësit dhe t’i deportonin ata “interesat më esenciale të shtetit” do të viheshin në rrezik. Negociatat kishin qenë një dështim në gjithçka, veç njërës. Guvernatori grek kishte fituar pak kohë atëherë kur ajo duhej shumë. Në fund të korrikut, kur Karapavlos debatonte me Hati efendiun në Bitola, përmirësimi i kufirit në favor të Greqisë më në fund u vendos në Londër dhe ky kufi i ri konsistonte në restaurimin e vijës së Adrianopojës, Ambraki-Pagasitikos. U shpërndanë udhëzime nga Londra në Konstandinopojë në fund të shtatorit. Me shumë gjasë Kapodistrias nuk ishte në dijeni të hollësive kur ai përgatiti kundërpropozimin e tij. Kjo ndodhte vetëm pesë ditë para vrasjes së tij.

 Deri në atë kohë, si Zylyftar Poda ashtu edhe bejlerët çamë të Epirit ishin mposhtur ose kishin kapitulluar për të shpëtuar kokën. Tri javë më vonë Bushatlliu u dorëzua. Një bombë kishte shpërthyer magazinën e tij të barutit në fortesën e vet. Ai u fal po ashtu me kushte. Rënia e shtëpisë Bushatlliu nuk solli fundin e problemeve të Portës në Ballkan. Kryengritja boshnjake vijoi në vitin 1832 dhe kryengritje të reja shqiptare morën jetë mes viteve 1833 dhe 1836, në të cilat Tafil Buzi luante përherë një rol drejtues. Kalimet ilegale të kufirit nuk u ndalën dhe u shndërruan gradualisht në një tipar të përhershëm në relacionet greko-otomane si dhe një prerekuizitë e irredentizmit të sponsorizuar nga shteti.

Vrasja e Kapodistrias

Shumë shpejt pas vrasjes së Kapodistrias, Greqia u tërhoq në një tjetër raund të fërkimeve civile mes pjesëmarrësve të atyre që kërkonin një Kushtetutë, me prirje pro-franceze dhe britanike dhe pro-rusëve, pasues të familjes Kapodistria dhe Kollokotroni. E kotë të thuhet, Koletti dhe klientët e tij armatolë rumeliotë përbënin zemrën e partisë së parë. Në këtë periudhë kaotike (vjeshtë 1831-dimër 1831-32) një numër i madh brigandësh kalonin lehtësisht kufirin dhe disa prej kapedanëve të tyre, përfshirë Buzin, u rekrutuan si oficerë nga opozita. Veziri i Madh mbajti një profil të ulët deri kur iu desh të nisej për në Siri(pranverë 1832) për t’iu përgjigjur invazionit egjiptian, që erdhi vonë shumë sa për të ndikuar çështjet shqiptare.

Ai pa kapitullimin e krerëve shqiptarë, sidomos Podës, që kishte kërkuar strehim në Greqi në vend se të shkonte në pelegrinazh në Mekë siç kishte premtuar dhe protestoi më kot ndaj qeverisë greke; por ai nuk guxoi të ndërhynte, siç druhej Kapodistrias. Si një Serasqer i regjimit të vjetër, me shumë gjasë ai dëshironte të shtypte këta kapedanë brigandë që i dilnin në rrugën e tij për më shumë se një dekadë dhe të përmbushte detyrën dikur të caktuar ndaj tij prej Sulltanit. Si një Vezir i Madh, ai e dinte se ditët e shtypjes brutale kishin ikur. Pavarësia e Greqisë nën Mbretin Otto u vendos më 29 maj 1832 dhe hollësitë e mëtejshme të vijës kufitare, katër muaj më vonë. Gjithçka që Perandoria Otomane mund të bënte ishte të sillej siç duhej dhe të reformohej.

Ndonëse problemi i brigandazhit nuk ishte në të njëjtën shkallë për Greqinë dhe Perandorinë Otomane, duke konsideruar mospëlqimin e përgjithshëm për sistemin e nizamit në Ballkan, dhe luftimet e vazhdueshme për të imponuar vullnetin e sulltanit, si Guvernatori Kapodistrias, ashtu edhe Veziri i Madh, Mehmed Reshid Pasha, bënë maksimumin për ta zgjidhur çështjen me mjete diplomatike. Në lojë nuk ishte thjesht dhënia fund e brigandazhit dhe rënia dakord në mënyrë efektive me krerët dhe bejlerët, myslimanë apo të krishterë, shqiptarë apo grekë.  Kush do të kontrollonte vendin e ri kufitar, një produkt i revolucionit grek, kjo ishte çështja me rëndësinë më të madhe në mendjet e të dyja palëve.

Kufijtë e rinj shkuan dora dorës me vijat ndarëse; një vijë ndarëse mes një shteti të ri, të torturuar nga ndasitë e brendshme politike, Hellas, një Perandori Otomane në shkërmoqje, që përpiqej të mbahej dhe pretendimi shqiptar i tërthortë, ndonëse i dhunshëm për një lloj territorialiteti. Ndërkohë që diplomacia shtynte, një zonë përherë e më e madhe mori karakteristikat e një vije ndarëse qëkurse asnjë prej tri palëve të interesuara nuk mund të impononte kontrollin. Përmasa e saj ishte e paspecifikuar, Sterea Hellas, Thesalia, Epiri, Maqedonia e Jugut dhe Veriut, Shqipëria, Bosnja.

Shqiptarët në zemër të problemit

Shqiptarët ishin në zemër të problemit. Shenja të mjegullta nacionalizmi mund të gjurmohen në planet, letrat dhe thëniet e disa prej liderëve të tyre, gegë apo toskë, por është e vështirë të thuhet se ata të gjithë po ndiqnin një projekt nacionalist. Përkundrazi, bejlerët dhe drejtuesit e klaneve kishin lidhje gjaku dhe ndaheshin nga hakmarrjet. Numri i ndjekësve të tyre të paguar, përcaktonte hierarkinë sociale të këtyre lidhjeve. Lidershipi varej nga madhësia e kuletës. Kështu, siç u përmend më sipër, shqetësimi i tyre i përbashkët dhe më serioz, ishte të mbanin gjallë sistemin e mercenarizmit, jo ndërtimi i një shteti. Përkujdesja e tyre për ruajtjen e traditave lokale apo islame nuk reflekonte asgjë më shumë sesa këtë shqetësim financiar. Toskë dhe gegë u rreshtuan me apo kundër Vezirit të Madh, me apo kundër njëri-tjetrit në varësi të premtimeve për pagesa. Nëse Porta i paguante, do të rifitonte lehtësisht besnikërinë e tyre. Nëse jo, ata do mund – dhe e bënë – të rreshtoheshin me grekët pa ndonjë rezervë fetare; sërish kjo ishte një zgjedhje taktike, një zgjidhje e momentit për rebelët, jo një shenjë e konvergjencës nacionale; veçse shqiptarët greqishtfolës(përfshirë suliotët) do të kishin dëshirë të hiqnin dorë nga cipa e tyre e fundit greke dhe të ktheheshin në shqiptarë.

Për t’i ikur stigmës së Islamit, Tafil Buzi, që kishte investuar shumë në kampin grek, e identifikoi veten si Epirot, një pasardhës të mbretit antik Pirro dhe luftëtarit të krishterë mesjetar shqiptar, Skënderbeu.

Për bejlerë të tjerë shqiptarë të rangut të tij argumente të tilla ishin të ekzagjeruara. Zakonisht ata përpqieshin të shfrytëzonin lidhjet e vjetra të miqësisë, besimin, aleancën apo kujtimin e afërt të Ali Pashës; një kauzë që nuk reflektonte detyrimisht një të shkuar reale, por ishte shoqërisht e pranueshme. Në çdo rast, në mungesë të pagesës së rregullt, rebelët shqiptarë nuk kishin nevojë për një mekanizëm alternativ shtetëror. Plackitja dhe taksimi lirisht i një rajoni përherë në zgjerim, nga Preveza dhe Trikalla në Sofje dhe Shkup, sidomos i qendrave urbane, zëvendësonte humbjen e pagesave.

Ngjitur dhe në kontakt me rebelët shqiptarë ishte bota e palikarëve grekë, kleftë apo listes, armatolët dhe kapedanët e tyre, të veshur me kiltet e tyre, dikur të bardha dhe jo më pak të disponueshëm që t’i zëvendësonin ato me një lloj uniforme europiane. Në këtë botë, siç u tha më sipër, fleksibiliteti ishte po ashtu një virtyt i domosdoshëm për të mbijetuar, përveç rrjetit të pushtetit që lidhte krerët, pasuesit, padronët politikë, miqtë dhe të afërmit. Pas dhjetë vjetësh lufte ishte kirjuar një surplus palikarësh të armatosur; luftëtarë të rinj profesionistë, kryesisht epirotë rumeliotë dhe maqedonas, të paaftë të siguronin jetesën në kohë paqeje. Batalionet e lehta greke ishin një opsion pas vitit 1829 por nuk kishte shumë hapësirë për qindra prej tyre, apo perspektivë të mirë për shpërblime të rregullta.

Kjo vlente edhe për kapedanët e tyre të irrituar me kërkimin e posteve të larta, që mund të zgjaste taksimin e parregullt të provincave të veta dhe pagesën e ushtarëve të tyre.

A kishin opsione më të mira jashtë Greqisë?

Si ushtria otomane ashtu edhe rebelët shqiptarë të Podës dukej se kishin dëshirë t’i kompensonin për mbështetjen e tyre. Ata mund të shfrytëzonin situatën dhe të rimerrnin postet e tyre apo edhe të arrinin terma më të mirë punësimi duke vënë njërin punëdhënës kundër tjetrit. Më pas, në Rumelinë e rimarrë nga otomanët, ata mund të kryesonin hierarkinë sociale, duke qenë më të aftët dhe më të përshtatshmit për të sunduar sërish grekët. Flirtimi me shqiptarët ishte në të vërtetë i rrezikshëm; por të paktën ata mund të kërkonin strehë për veten dhe familjet e tyre si dhe treg për plaçkën e grabitur në Greqi, përtej vijës kufitare.

Sulmi i dhjetorit i Mehmet Reshidit kundër miqve dhe kundërshtarëve e ndryshoi përfundimisht prioritetin e atyre që mbijetuan. Karriera e armatolëve kishte ardhur mesa duket zyrtarisht në fund, por ata nuk kishin mbetur pa opsione, sidomos kur Bushati dhe Poda u përfshinë aktivisht. Në këtë kontekst, brigandët grekë, së bashku me shqiptarët, mund të plaçkisnin gjerësisht myslimanë dhe të krishterë, pa dallim. Në të njëjtën kohë ata mund të shpallnin se merrnin pjesë në një aksion revolucionar për të detyruar rishikimin e Protokollit IV, si një protestë ndaj politikës së kompromisit të Kapodistrias dhe në favor të një qeverie kushtetuese. Kështu, ata e portretizonin veten si nacionalistë të nxehtë që meritonin falje dhe shpërblim, si viktima të varfëruar nga politika e brendshme të Guvernatorit dhe anëtarë të opozitës kundër tij, të gatshëm të merrnin drejtimin e qeverisë së Greqisë.

Zgjedhja e tyre justifikohej pas vrasjes së Kapodistrias dhe më shumë akoma gjatë dekadave në vijim, kur bëmat e kleftëve dhe armatolëve u pastruan dhe veneruan në kontekstin e irredentizmit grek.

Mbajtja nën kontroll dhe paqëtimi i kësaj zone problematike, habitat I elitës ushtarake greke dhe shqiptare, ishte një detyrë e ndërlikuar. As Veziri i Madh as Guvernatori grek nuk kishin kapitalin e nevojshëm për të blerë shefat e brigandëve. Për të dyja palët, mobilizimi me forcë në ushtrinë e rregullt ishte i vetmi rregullim për çrregullin, por rekrutët lokalë nuk mund të besoheshin, pasi kishin shërbyer për një kohë të gjatë si trupa të parregullta. Në dallim nga Greqia që varej eksluzivisht nga rekrutët vendas, Perandoria kishte opsionin që të lëvizte trupa aziatike në Ballkan. Por rezervistët e stërvitur ishin të pakët nisur nga nevojat strategjike në atë kohë dhe risitë e modelit të ri ushtarak.

Si rezultat, forcat e rregullta otomane ishin përherë më pak sesa rebelët shqiptarë dhe të parregulltit duheshin përherë patjetër, për të vendosur ekulibrin e forcës. Kontrolli nuk ishte vetëm një çështje e pushtetit ushtarak por edhe besimit. Por besimi ndaj shtetit ishte i pakët në të dyja anët e kufirit qëkurse e ardhmja e atyre rajoneve nuk ishte vendosur ende.

Kütahıu dhe Kapodistrias bazoheshin në një numër ofiecerësh të besuar, të mbështetur nga të dërguar specialë dhe administrator(myteselimë në rastin otoman) për të administruar taksat dhe mbikëqyrur besnikërinë e pjesës tjetër. Ata po ashtu harxhonin shumë energji në lajkatimin e njerëzve të njohur dhe klerit me premtimet për rend dhe ligj, në mënyrë që të çliroheshin nga kontrolli strikt i kapedanëve. Në këtë detyrë, Veziri i Madh u dëshmua me efikas sesa Guvernatori grek.  Nuk ishte vetëm çështje përvoje. Ndonëse politika e tij vëzhgohej intensivisht nga fuqitë europiane, ai mund të aplikonte dhunën masive dhe mashtrimin për të nënshtruar kundërshtarët e tij për sa kohë që mund të provonte se ky ishte i vetmi opsion dhe një prerekuizitë për rendin e ri.

Përpjekjet për të kontrolluar hapësirën kufitare do të kishte qenë me efektiv nëse do të ishte përcaktuar një vijë e qartë kufitare. E megjithatë, edhe në mungesë të saj, ishte zhvilluar një ndjesi territorialiteti nga i cili përfitonin të dyja shtetet, ashtu edhe të jashtëligjshmit. Të parët duhet të binin dakord për kufirin në mënyrë që të siguronin tregtinë, lëvizjen e blegtorëve të trashumancës, kontrollin e pasaportave, karantinën dhe përmbi të gjitha, sigurinë.

Këto nuk mund të arriheshin pa kontaktin fizik mes pashave otomanë dhe majorëve grekë, me apo pa komunikimin direkt mes Guvernatorit dhe Vezirit të Madh. Edhe të jashtëligjshmit kishin përfituar po ashtu. Plaçkitja jashtë vijës kufitare me flamurin e duhur nuk ishte një akt i keq, por një manifestim i patriotizmit grek. Brenda vijës, siç u përmed më sipër, kishte përherë vend të sigurtë për brigandët, hajdutët, rebelët dhe kryengritësit si dhe shanse për të tregtuar plaçkën e grabitur, kryesisht dele dhe dhi. Ndonjëherë oficerët grekë u jepnin të jashtëligjshmëve dreka, alkool dhe rryshfet për të qëndruar jashtë Greqisë dhe kështu të hidheshin poshtë supozimet otomane se po u jepnin atyre strehë. Ky rregullim arriti edhe deri në përplasje. Në raste të tjera oficerët grekë merrnin para dhe ushqime nga bejlerët myslimanë për të siguruar kullota për bagëtitë e tyre në Greqi. Me shumë gjasë nuk ishin vetëm këto rastet për të nxjerrë rryshfete dhe ato nuk u ndalën kur vija kufitare u fiksua.

Përfundim

Për ta mbyllur, pavarësia greke dhe fundi i luftës pas përfundimit të luftës ruso-turke preku në shumë mënyra elitat ushtarake greke dhe shqiptare në rajon. Demarkacioni territorial, përpjekja për restaurimin apo ndërtimin(në rastin e Greqisë) e kontrollit qendror për të monopolizuar dhunën, paqja në terma të papranueshme dhe modernizimi ushtarak shkonin qartë kundër interesave të tyre. Bota e tyre dukej se kishte ardhur në fund. Përgjigja e tyre u bë e dhunshme në proporcion me kërcënimin e asgjësimit me të cilin ata u hasën. Por kjo nuk nënkupton se ata nuk kishin vullnet për kompromis. Kthimi në brigandë apo rebelë, sipas rastit, ishin praktika standard që lehtësonin një marrëveshje të suksesshme me terma të rinj.

Padyshim, kjo sjellje ishte në mendjen e kujtdo, nga kreu e deri poshtë, nga Mustafa Pasha i Shkodrës deri në palikari i fundit grek. Ata nuk donin të ndaheshin keq, por të rimerrnin statusin e tyre, ndikimin dhe pasurinë. Vetëm se kësaj radhe shkalla ishte e ndryshme. Kryengritja e përgjithshme brenda Greqisë dhe Perandori nuk dëshirohej nga Fuqitë e Mëdha. Kjo ishte e qartë për Kapodistrian dhe Vezirin e Madh. Ata u dëshmuan të dy shumë të gatshëm që të sakrifikonn elitën e vjetër të kapedanëve dhe bejlerëve për nevoja të diplomacisë së kohës përveçse nëse ata do të nënshtroheshin dhe bindeshin. Në një mënyrë të papritur, megjithatë, reaksioni i dhunshëm i këtyre agjentëve të traditës, pavarësisht motiveve të tyre të vërteta dhe slloganeve që përdornin, ushqyen si nacionalizmin në lindje të shqiptarëve, ashtu edhe irredentizmin grek dhe ka përndjekur prej kohësh diplomacinë. Hakmarrja është një gjellë që hahet përherë e ftohtë.

Comments

Submitted by Lexues i rregullt (not verified) on

Tema eshte trajtuar ne menyre shume profesionale, Faleminderit per botimin dhe nese keni materiale te tjera, qofte dhe me kendveshtrim ndryshe, do te priten me interes, sidomos te kesaj periudhe.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.