Lajmi më i rremë: Zgjedhjet fitohen me lajmet e rreme ruse
Ja një lajm që ilustron komedinë neurotike që përjetojmë e që është padyshim parathënie e një tragjedie nesër:
Moska mund të përfshihet në zgjedhjet e ardhshme në Itali duke përhapur lajme të rreme në mediat sociale për të favorizuar partitë pro-ruse
kështu është shprehur ish-kryeministri i Italisë, Enrico Letta që ka shtuar:
Po e lëshoj këtë alarm të kuq për të mirën e vendit, por edhe për të mirën e Evropës
Komedia qëndron tek interpretimi politik i një rreziku eventual që nuk ka sesi të jetë i tillë për shkak të lajmeve të rreme. Kur themi që ka një parti pro-islamike në Shqipëri p.sh, aktualish ende e paformalizuar, por që ka të dhëna të tilla te masa e ndjekësve së imamëvë të ndryshëm, kjo konfirmon një realitet politik që konsiderohet margjinal dhe duhet mbajtur i tillë për elitën aktuale.
Por ai realitet nuk mund të bëhet dominues me lajmet e rreme të shërbimeve ruse, pasi asnjë aksion politik nuk mund të manipulojë në masë një shoqëri të tërë. Në momente krizash, sidomos si këto të tanishmet që janë kriza sistemike dhe të identitetit, pjesë të shoqërisë vetëmanipulohen nga zgjidhjet e shpejta, që ofrohen nga individë të spektaklit politik.
Të thuash se në Italinë e qeverive që bien si pika shiu se në zgjedhjet e ardhshme Rusia do të ndërhyjë, do të thotë të shndërrosh dëshpërimin në kredo politike.
Jo se Rusia nuk ndërhyn, apo Irani, Kina e kështu me radhë. Por nuk sfidohet dot narrativa e një sistemi nga lajmet e rreme. Për më tepër që ky apel i z. Leta implikon në fakt se shtete të rreme si Italia, ose që nuk justifikojnë dot emrin historik dhe fuqinë ekonomike që kanë me seriozitetin politik, kanë pranuar si të qenësishëm dhe normal, survjeimin e aleatëve si p.sh amerikanëve apo gjermanëve.
Është një lloj lëshimi sovraniteti ndaj partnerëve dhe amplifikim rreziku të kundërshtarëve, të dyja variable të deformuara në kontekstin e një ligjërimi për të drejtat dhe liritë që Perëndimi e ka bërë pjesë të startegjisë ekzistenciale, por që në fakt janë bërë sapun për tualet publik.
Lajmi kryesor i rremë i kësaj dekade është se Rusia dhe Kina fitojnë zgjedhjet në vendet e perëndimit me lajme të rreme. Nuk ka asnjë rast të vetëm ta provojë këtë ; ndikim po, por jo aq sa të justifikojë një histeri të këtyre përmasave. Dhe është e vëretët e provuar se rastet më kritike të këtyre dy dekadave për të dhënat, survejimin dhe origjinën e megamanipulimeve janë : WikiLeaks, Snoëden dhe Cambridge Analytica.
Add new comment