A kemi edhe Ne një diplomaci kulturore?
Më 22 Qershor 2022, këngëtari i njohur grek Janis Parios dha një koncert të madh e të suksesshëm në Tiranë, plot katër dekada pas ardhjes së tij të parë artistike në Shqipëri, në vitin 1978. Në atë periudhë, vizita e tij kryhej në kuadrin e diplomacisë kulturore, me anë të së cilës të dy vendet, konkretisht Greqia dhe Shqipëria synonin të thellonin marrëdhëniet e tyre dypalëshe.
Siparin e diplomacisë kulturore në Shqipëri e hapi këngëtarja po aq e njohur sa Pariosi, Marinela, së bashku me ansamblin e saj, në Gusht të vitit 1977, gjashtë vite pas rivendosjes së marrëdhënieve ndërshtetërore diplomatike, e ndjekur nga vizitat e ansamblit shqiptar në qytete të Greqisë. Performimi i Marinelës dhe Pariosit i dhuroi emocione publikut shqiptar, i cili në ato vite nuk dispononte mundësinë të shprehte hapur dhe pa censurë kënaqësinë e tij artistike.
Ndrydhja totalitariste që gjeneronte regjimi shqiptar në periudhën e Luftës së Ftohtë, i ndërthurur me komplekset e së kaluarës, komplekse që gjenden akoma edhe sot në të dy anët e kufijve, si në raport me Greqinë, ashtu dhe me fqinjët e tjerë në veri, nuk i shmangën dot debatet dhe paragjykimet publike. Kështu, edhe pse Marinela vinte në kuadrin e mirëkuptimit paraprak që ishte vendosur mes shtetit grek dhe atij shqiptar, nuk munguan të indinjuarit që ankoheshin tek Partia për shfaqjet antimarksiste të ansamblin grek, siç ishte për shembull mjekra e një anëtari të orkestrës apo tundja festuese e supeve të këngëtares. U desh ndërhyrja e diktatorit Hoxha nëpërmjet dokumenteve të asaj kohe dhe më vonë në librin e tij mbi miqësinë shqiptarogreke, i cili përpiqej tu shpjegonte “puristëve” siç i quante ai të indinjuarit tiparet e kulturës greke.
Megjithatë, konformizmi i drunjtë dhe diktatorial në jetën publike shqiptare nuk e ndali preferencën për muzikën greke, të cilën ashtu si edhe muzikën e huaj, populli i dëgjonte fshehurazi. Rënia e regjimit në fillimin e viteve 1990 i nxori në sipërfaqe preferencat e Shqiptarëve për muzikën e huaj, ku një pjesë të saj e zinin këngëtarët grekë, si Stratos Dhionisiu, Daralaras, Marinela, Pariosi, etj. Këngët greke u institucionalizuan si mekanizmi më i fortë që Grekët e gjetën të gatshëm në Shqipëri për të ushtruar diplomacinë e tyre kulturore. Kështu, pyetja e vjetruar nëse “je apo nuk je grek” u zëvendësua në jetën e përditshme me pyetjen e tipit “cila këngë e Pariosit të pëlqen më shumë”.
40 vite më vonë Pariosi erdhi në Tiranë në një sallë të tejmbushur, me dashamirës të muzikës greke që e shoqëruan këngëtarin duke kënduar përgjatë afërsisht tre orëve. Tashmë në vend të llogaribërjes politike për përdorimin e diplomacisë kulturore nëpërmjet duartrokitjeve të kontrolluara ekziston liria e shprehjes, si liri themelore e çdo vendi demokratik. Parios, Gliqeria, Dalaras kanë emocionuar publikun shqiptar me muzikën e tyre cilësore, në një botë të globalizuar ku falë mobilitetit publiku në fjalë ka përqafuar muzikën dhe kulturën greke dhe i ka bërë ato pjesë të jetës së tij të përditshme. Diplomacia kulturore greke nuk ka më formën e prezantimit të diçkaje të re për publikun e vendit fqinj, por mbajtjen gjallë të filohelenizmit kulturor dhe artistik që karakterizon një pjesë të shqiptarëve.
Pyetja që ngrihet këtu dhe që ka nevojë të hulumtohet me kujdes është nëse ka ndonjë diplomaci kulturore të Shqipërisë në Greqi dhe si funksionon realisht ajo? Cila është ngjizja e simpatisë që publiku grek mund të ketë për Shqipërinë? A mund të identifikojmë ne esencën apo pjalmin e ngjizjes, që të mund ta përdorim më pas si mekanizëm për forcimin e imazhit të Shqipërisë në opinionin publik në Greqi? A është kjo kënga shqiptare, piktura, sporti, apo muzika klasike? Në një moment duhet që edhe ne të dimë se çfarë eksportojmë dhe promovojmë.
Nënvizojmë se kjo pyetje bëhet akoma më e vështirë sot sepse jetojmë në shoqëri ku ekziston liria e shprehjes dhe publiku mund të ndjekë emisionin apo këngën që ai dëshiron. Gjithashtu, konkurrenca mediatike për zgjerimin e teleshikueshmërisë e ka denacionalizuar artin në njëfarë mënyre dhe zor se ky i fundit mund të përdoret si një instrument ku bashkë me të të përcillen edhe mesazhe politike. Ajo që është e rëndësishme për tu përmbushur paraprakisht është zgjerimi i kontakteve të ndërsjellëta dhe ndërmarrja e iniciativave të përbashkëta tek të dyja vendet, si në Shqipëri, ashtu edhe i talentit shqiptar në Greqi.
Add new comment