Edi, po Pogradecin pse e ke lënë pa uniformën e Rilindjes Urbane?
Pamje nga shëtitorja(kështu ka mbetur emri) e Pogradecit. Sajesat e një tranzicioni, manikota mbi një trup të vjetër ku lidhen shumë kujtime. Por edhe një identitet urban që sa vjen dhe asgjësohet.
Është një copë udhe e këndshme që nuk dihet sesi i ka shpëtuar uniformës së Rilindjes Urbane. Lungomare në Vlorë, lungomare në Sarandë. Një stil, një material, ato ngjyra, i njëjti parim. Miniaturat e këtyre dy blanave urbane janë në Himarë, Belsh, po edhe Koplik.
Pa pyetur se çfarë ishte nuk ishte vetëm gërmadhë. Ndodh që gërmadhat, rrënojat më mirë të jenë më estetike sesa rikonstruksionet që u ngjajnë atyre saçeve që u zunë frymën pallateve që duke mëtuar të shihnin pak botë me sy, u bënë gazi i botës. Kështu ndodhi që shqiptari u katandis në albanez, alvane. Nga padija.
Erdhi Edi dhe e bëri shqiptarin tirons, një kategori më vete kjo që sikur industrializoi të gjitha zakonet dhe çzakonet tona duke i amballazhuar me imagjintën e një parvenuje. Kulla anembanë, me projekt të paracaktuar, pedonale dhe pemë, kudo njësoj, kozmetikë urbane e marrë nga të mundet e sjellë në Tiranë dhe Shqipëri si ato pakot dikur.
E çuditshme pra sesi Pogradeci është lënë kështu, pak a shumë si dikur. Si vallë nuk u bë ai një xhevahir urbanistik si gjithë konviktet e tjera urbane të mëmëdheut? Ndoshta kjo harresë është trill i fatit, ndoshta duhet të mos shpresojmë pasi me prishjet në Drilon ustallarët ia kanë nisur avazit. Me kredon ndoshta se “ne i bëmë(baballarët tanë), ne i prishim”.
s.zaimi
Add new comment