Serbia afirmohet si aktori kryesor në rajon për Rusinë dhe Perëndimin
Në Serbi po diskutohet me intensitet vizita e pritshme e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, që pritet të ketë një fokus mbi marrëdhëniet e Beogradit me Prishtinën. Presidenti serb, Vuçiç, bëri të qartë dy ditë më parë se pavarësisht mesazheve jo të lehta që priten nga vizita e Scholz, Serbia duhet të jetë mirënjohëse ndaj Gjermanisë, por edhe të mbajë parasysh se investimet gjermane punësojnë 77 mijë njerëz në Serbi.
Për analistët serbë, mesazhet e Scholz janë realisht sfiduese, por në politikë nuk duhet patur frikë.
Ai do të vijë me mesazhin se Serbia dhe Kosova duhet të dakordësohen mbi modelin e dy Gjermanive, që do të thotë si dy shtete të pavarura. Ai do të flasë po ashtu rreth zbatimit të reformave në Bosnje dhe Hercegovinë që është një eufemizëm për centralizimin. Ne duhet po ashtu ta linjëzojmë politikën tonë ndaj Rusisë me BE
shprehet analisti, Dragomir Andjelkoviç.
Një tjetër analiste, Suzana Grubjesiç e cilëson vizitën si të një rëndësie të jashtëzakonshme jo vetëm për raportet dypalëshe, por edhe për perspektivën europiane të Serbisë dhe bashkëpunimit rajonal.
Pas Beogradit Scholz do të drejtohet për në Prishtinë dhe unë pres prej tij të rikonfirmojë pozicionin e tij që të gjitha çështjet e rëndësishme duhet të zgjidhen me dialog…Kjo përfshin edhe normalizimin e marrëdhënieve
citohet ajo.
Vizita e kancelarit gjerman vjen pas samitit të Ohrit në kuadër të « Open Balkan” që I jep presidentit serb dorë të lirë të flasë për një menaxhim paqësues në rajon dhe të minimizojë akuzat për militarizim të politikës, apo njëanshmëri me Rusinë. Nga ana tjetër, përqendrimi në Beograd i vizitës flet për rëndësinë që ka tanimë qartazi Serbia si faktor rajonal, pavarësisht se cila është politika e saj. Ajo që ne duhet të kuptojmë është se në emër të kujt do të flasë Vuçiç në takimet me Scholz përderisa po duket qartë se BE-ja e ka shumë të lehtë të ndikojë në Tiranë, ndaj së cilës nuk ka realisht një politikë, por një seli ku vepron njësoj si të ishte në terrenin e vet.
Add new comment