Një fashizëm i butë nga Perëndimi

Postuar në 07 Qershor, 2022 17:00

Bllokimi i hapësirës ajrore të Malit të Zi, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për kalimin e avionit të ministrit të Jashtëm rus, Lavrov, është vlerësuar nga SHBA. Zëdhënësi i DASH, Ned Price deklaroi gjatë një konference për shtyp se “SHBA i bën thirrje Serbisë të përqendrohet në synimin e vet për anëtarësim në BE përfshirë edhe harmonizimin e politikës së saj të jashtme me pjesën tjetër të Europës”. Ka diçka shumë arrogante kur i tregon një vendi se ku duhet të përqendrohet. 

Nga ana tjetër, diplomacia perëndimore, që duket se është përfshirë nga ethet e protagonizmit në këto kohë ka një tjetër “kokë” në Europë. Kancelari Olaf Scholz pritet të vizitojë Ballkanin Perëndimor, konkretisht Serbinë, pasi ka deklaruar se anëtarësimi i këtyre vendeve në BE është interes strategjik i Unionit.

Nuk mbaron këtu. Kori i integrimit pasurohet me të përhershmin e nismave tingëlluese, presidentin francez, Emmanuel Macron, që ka propozuar një tryezë mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, nën drejtimin e tij, për të shtuar se “anëtarësimi Shkupit do të ndodhë në momentin e duhur”.

Fjalë, fjalë dhe fjalë pa mbarim nga një Perëndim që ka humbur busullën dhe po e ndan botën në pro dhe kundra tij.

Presioni ndaj Serbisë është një ndër shembujt e fundit të një lloj fashizmi të butë, fashizmit të bukës dhe mbijetesës, përderisa ai injoron sovranitetin e një vendi, në emër të një politike që shpall mbrojtjen e sovranitetit të një vendi tjetër, Ukrainës.

Beogradi mund të fajësohet për shumëçka, por jo për krizën në Ukrainë, ndërkohë që politika e tij e dualitetit Lindje-Perëndim, kushtëzohet nga historia, pozicioni dhe favorizon interesin. Por të kesh interesa të tuat në botën tonë është një mëkat që duhet paguar shtrenjtë e ku çmimi më i papërballueshëm është injorimi i narrativës tënde, i pikëpamjes tënde, që ndodh ironikisht përballë atyre që shpallen si kampionë të multikulturalizmit.

Vende të vogla si tonat, ku dominon levantinizmi dhe ku politika priret të udhëhiqet nga premisa praktike apo pragmatike, mund të bindeshin nëse oferta do të ishte reale, por me premtimet boshe të vendeve si Franca që drejtohet prej dikujt që do vetëm të duket dhe që nuk ka të regjistruar asnjë sukses në politikën e jashtme veç polemikave pa kuptim, gërryejnë edhe atë ide që nisi në vitin ’90.

Në fund të fundit Europa mund të ishte edhe një histori e re, apo faqe e re e historisë për Ballkanin, por jo me kompromisin “o me NE, o me ATA”, pasi megjithë problemet e mëdha, edhe në rajonin tonë strehohet një histori jo e vogël. Dhe është fatalitet historik për Europën që sa vjen e po e redukton ofertën e vet vetëm në ekonomi dhe procedurë, çka dëshmon për mungesë vizioni dhe nevojë imediate për mbrojtje në një kohë ekspansioni të fuqive të tjera që kanë histori të madhe shtetësie dhe narrativa të konsoliduara.  

s.zaimi

Comments

Submitted by dori (not verified) on

Perseri i njejti gabim elementar logjik. Kur thuhet Serbia kihet parasysh shteti serb, institucionet zyrtare dhe drejtuesit politik te saj. Gabimi logjik qendron ne faktin, se autori i shkrimit mesa duket , kur thote Serbia, ka parasysh njesilloj entiteti homogjen, nje gati si qenie e pandashme. Te njejtin gabim e ben edhe kur flet per Kinen, Rusine, Iranin e te tjere vende si keto, qe na paskeshin po aq te drejte ne lojen e politikes boterore sa USA... shtete keto, shtet ky... jane njesoj dmth dhe duhen trajtuar njesoj!
Ky gabim logjik e con zoterine ne kete, qe se di se c'emer ti ve: " ... politika e tij e dualitetit kushtezohet nga historia, pozicioni dhe favorizon interesin(!)"
Pra, ne duhet te respektojme qendrimin e Beogradit, sepse ai mbeshtetet ne interesat e tij te natyrshme , aq me teper kur keto interesa na u kushtezokan edhe nga historia.
Me kete logjike, mund te thuhet gjithashtu: ne duhet te respektojme ate c'beri Beogradi ne Kosove , qe nga shekulli i 19-te e deri ne luften e fundit, sepse ka mbrojtur interesat e tij te ligjshme "te kushtezuara nga historia"...!!!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.