Shtëpia e Bardhë korrigjon Bidenin: Nuk e kishte fjalën për ndryshim regjimi në Rusi
Presidenti amerikan Joe Biden ka provokuar një diskutim të gjerë mediatik dhe politik me mbylljen e fjalimit të tij në Poloni, prej nga ku duket se ka lëshuar një frazë të paparashikuar.
Sipas tij, “kasapi Putin nuk mund të lejohet më të qëndrojë në pushtet”. Fjalimi është cilësuar historik, edhe pse shkak të vendit ku u mbajt, në kufi me Ukrainën. Por ky duket se është një lloj imitimi teatral i fjalimit të dikurshëm të Kenedit në Berlin, përderisa ShBA ka për detyrë të dialogojë me vendet e mëdha për të stabilizuar rendin ndërkombëtar dhe jo të kërkojë ndryshim pushteti. Për këtë nuk ka më as fuqinë për ta bërë.
Lidhur me deklaratën në fjalë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka komentuar se Putin është zgjedhur nga rusët dhe se kush qëndron në pushtet në Rusi nuk e cakton Joe Biden.
Mediat kanë nxituar të citojnë zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, sipas të cilëve deklarata e Biden ka patur kuptimin se Putin nuk mund të lejohet të ushtrojë pushtet mbi fqinjët e tij apo në rajon dhe jo në atë kuptim që është qarkulluar.
Ai nuk po fliste për pushtetin e Putinit në Rusi apo ndryshim regjimi në Rusi
citohen këta zyrtarë.
Incidenti me këtë moment reflekton se lufta është tashmë mjet negociate në tryezë dhe se Perëndimi nuk e ka intimiduar dot Rusinë, e cila për hir të së vërtetës edhe sikur të jetë, nuk mund t’ia lejojë vetes të shfaqet si e tillë. Korrigjimi i bërë është një mesazh për të mbyllur një spirale të mundshme propagandistike mbi synimet e ShBA në Ukrainë, që akuzohet qysh tani nga Moska për sponsorizim të luftës, e cila po i kushton të gjithëve shumë. Është një mesazh që flet për nevojën e mbylljes së kësaj vatre në Europë e cila nuk mund të prodhojë fitues.
Add new comment