Filohelenizmi në kontekstin e ngjarjeve të mëdha në Evropë dhe SHBA

Postuar në 24 Mars, 2022 13:34
Jordan Jorgji*

 

Përpara se të filloj do të dëshiroja të theksoj rëndësinë që ka trajtimi i tematikës në fjalë nga auditorin shqiptar, për të paktën katër arsye kryesore. 

Së pari,  sepse  idetë e Iluminizmit, mbi të cilat u brymos Revolucioni Grek, mbeten aktuale edhe sot, sepse karakterizojnë shtetet e civilizuara dhe demokratike.

Së dyti, sepse gjatë tre dhjetëvjeçarëve të fundit kontaktet ndërmjet popullit grek dhe atij shqiptar janë zgjeruar dhe përmirësuar në mënyrë të ndjeshme.

Së treti, sepse Revolucioni Grek është trashëgimi të përbashkët me popullin shqiptar dhe historinë e tij moderne, duke u bashkuar në figura dhe simbolizma të veçanta. E tillë është figura e Lord Bajronit, filohelenit më të njohur, dhe njëkohësisht dashamirës të Shqiptarëve.

Së katërti, ekzistojnë filohelenë Shqiptarë që kontribuan personalisht në Revolucionin Grek. Të tillë ishin Apostol Arsaki, me origjinë nga Përmeti, ish-ministër i Jashtëm dhe ish kryeministër i Rumanisë, Joan Βanga, Georgos Sinas dhe Anastas Lakçe Avramidhi, të tre me origjinë nga Korça, Vangjel, Thanas dhe Konstandin Zhapa me origjinë nga Gjirokastra, e shumë e shumë të tjerë. 

Filohelenizmi si koncept, por edhe si fenomen i vënë re gjerësisht në fillimet e shekullit të 18-të, ka të bëjë me ndihmesën morale, materiale dhe ushtarake në favor të luftës së grekëve për të patur kombin e tyre të pavarur e demokratik. Në luftën e Revolucionit Grek morën pjesë 421 filohelenë nga vende të ndryshme të botës. Revolucioni zhvillohej në një kontinent, i cili prej disa dekadash po përjetonte artin e neoklasicizmit, të rilindjes së antikitetit të ndritur të Athinës, tashmë në kontekstin e një Evrope të shteteve-kombe. Adhurimi i monumenteve dhe i artit klasik kultivoi në Evropë një kulturë nostalgjie dhe personifikimi me antikitetin e Greqisë. Ky adhurim ngjalli tek intelektualët evropianë interesin për Greqinë, për vendin e antikitetit të lavdishëm, tashmë pjesë e Perandorisë Osmane. Si rezultat, në sferën publike u përhapen disa lloje filohelenizmi, të tipit arkeologjik, historik, letrar, artistik dhe akademik. Përmendim poezinë e Viktor Hygο me titull “Kokat në Saraj” të boruar në vitin 1826, ku ai shkruante:

“Për në Greqi marshojmë, o shokë,

hakmarrje dhe liri”;

Përmendim gjithashtu pikturat e artistit të madh francez, Eugène Delacroix, me temë masakrën e Chios, si dhe operën “Rrethimi i Korinthit” nga kompozitori i njohur italian, Gioachino Rossini. Nëse dëshirojmë të përmendim dhe analizojmë faktorë të rëndësishëm që ndikuan në zhvillimin e filohelenizmit, ato lidhen me impaktin që patën në Revolucionin Grek revolucionet e mëdha në dy anët e Atlantikut, Luftërat Napoleoniane, si dhe vlerat e parimet që burojnë nga Iluminizmi.

Revolucioni Francez i vitit 1789 përbën një produkt të një rëndësie madhore për Evropën dhe shtetet moderne, duke përfshirë edhe fatin e grekëve. Risitë dhe rezultatet që solli Revolucioni Francez janë njëkohësisht edhe parimet themelore të Iluminizmit, me më kryesoret ndërmjet tyre: shpallja e drejtave të njeriut, vetëvendosja e popujve dhe respektimi i vullnetit të tyre si burimi kryesor legjitimues për shtetet-kombe, kodifikimi i legjislacionit, dobësimi i autoritetit despotik dhe forcimi i autoritetit republikan, dobësimi i perandorive, transformimet politike-shoqërore, si dhe qarkullimi i këtyre ideve tek shtresat popullore, dhe jo vetëm tek elitat.

Ashtu si revolucioni në Amerikë, Revolucioni Francez u kthye në një ngjarje të madhe dhe diakronike, që influencuan zhvillimet e kontinentit evropian, por edhe më gjerë, siç ishin për shembull zhvillimet revolucionare në Amerikën Latine gjatë fillimeve të shekullit të 19-të. Në Greqi, parashikimet e kushtetutave të para gjatë revolucionit u frymëzuan dhe u mbështetën në dokumente si Deklarata Franceze e të Drejtave të Njeriut dhe Qytetarëve e vitit 1789, dhe në kushtetutat franceze të viteve 1791, 1793, 1795. Gjithashtu, radikalizmi i Revolucionit Francez frymëzoi iluministin grek, Rigas Velestinlis Fereos, i cili e shihte nevojën e shkëputjes së grekëve nga Perandoria Osmane, në kontekstin e krijimit dhe të funksionimit të një Federate Ballkanike, e bashkuar nën ombrellën e kulturës dhe identitetit grek. Filohelenët patën kontributin e tyre të rëndësishëm në krijimin e ushtrisë së rregullt greke, ku organizuesi dhe drejtuesi i saj ishte francezi Claude Fabvier, ish pjesë e ushtrisë së Napoleonit, i mbështetur nga dy Anglezë, Sir Richard Church dhe Thomas Cochrane.

Përmendim gjithashtu Revolucionin Amerikan dhe krijimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zhvillime të cilat përbëjnë një far paralel frymëzues për kombet e tjera, në rrugën e tyre të kërkimit të lirisë. Shpallja e pavarësisë dhe të drejtat që u garantuan në kushtetutën amerikane shoqëruan konsolidimin e shtetit amerikan dhe u panë si shembull imitimi nga popujt e tjerë.

Përpos kësaj, fuqia në rritje e shtetit të ri shihej me entuziazëm nga vendet e vogla, aspiratat e të cilave pranoheshin nga kombi i madh përtej Atlantikut. Kështu ndodhi me aspiratat e Revolucionit Grek, të cilat u pranuan nga autoritetet më të larta Amerikane, edhe pse “Doktrina Monroe” e kufizonte interesin e drejtpërdrejtë të Uashingtonit vetëm në hemisferën perëndimore. Vetë presidenti James Monroe pati shprehur përkrahjen e tij për çështjen greke në raportet vjetore për Kongresin Amerikan. Një rol gjithashtu mbështetës për Revolucionin Grek ndërmorën kongresmenët filohelenë, Daniel Webster dhe Sam Hiuston, por edhe ministri i jashtëm Xhon Kuinsi Adams në fushën e tij diplomatike. Në këtë prizëm ishte dhe ndihma humanitare që Amerika dërgoi drejt Greqisë në vitet 1827-1828, me qëllim lehtësimin e kushteve të popullsisë civile dhe të refugjatëve.

Filohelenë Amerikanë që udhëtuan në Greqi për të ndihmuar revolucionin ishin doktori i njohur Samiuel Grindlej Haw, si dhe Xhonathan Miller, i cili u kthye në SHBA së bashku me fëmijë grekë të birësuar prej tij. 

Pra, Revolucioni Francez dhe ai amerikan lehtësuan ndërkombëtarizimin e Revolucionit Grek, frymëzuan revolucionarët në Greqi, si dhe rritën interesin ndërkombëtar për fatin e Grekëve. Kjo pasi të dy këto revolucione çimentuan parimin e lirisë dhe të barazisë kundër despotizmave dhe shtypjes. Liria dhe barazia brenda një shoqërie të caktuar, si ide për mbrojtjen e lirive themelore të njeriut, por dhe synimi i lirisë në vetvete, u shtrinë si parime universale në kontekstin e marrëdhënieve ndërmjet shteteve të ndryshme. Filohelenizmi ishte produkt i modernizmit, i zhvillimit të hapësire publike politike në shoqëritë e Evropës perëndimore dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vlerat dhe parimet e Iluminizmit, të përhapura nga shkrimet e intelektualëve të ndryshëm në Evropë, nëpërmjet Revolucionit Francez dhe Luftërave Napoleoniane, patën ndikimin e tyre inkurajues tek elitat greke, si dhe në forcimin e lidhjeve të këtyre të fundit me elitat evropiane. Kështu, mund të përmendim Iosipos Moisiodax dhe konceptin e ‘shoqërisë së robëruar’ apo rëndësinë e diasporës, idetë e Konstantinos Karatzas mbi nevojën e përhapjes së vlerave iluministe nëpërmjet gjuhës së komunikimit të përditshëm, dhe veçanërisht kontributin e Adamantios Korais në çështet e gjuhës dhe të arsimit.

Një nga vlerat kryesore të Iluminizmit, të cilën intelektualët grekë e panë të mishëruar në modelin francez dhe në atë amerikan, është liberalizmi politik, pra ngritja e një shteti-komb modern, i cliruar nga robëria e perandorisë dhe autoriteti politik depotik. Në kombin e ri grek që po formohej, Korais pa si vlera frymëzimi të padiskutueshme modelin liberal dhe konstitucional anglo-amerikan, si dhe kontributet e Revolucionit Francez për sa i përket ridimensionimit të politikave në frymën e Modernizmit, pra transformimet e mëdha nga shoqëritë tradicionale drejt vlerave shekullare. Tipari liberal i Revolucionit Grek, që trazoi zemrat dhe mendjet e liberalëve në Evropë, bazohej në parimin themelor të liberalizmit politik “burimi i legjitimitetit të një shteti-komb është vullneti i popullit të tij”.

Napoleon Bonaparti dhe luftërat napoleoniane influencuan edhe ato Revolucionin Grek, si dhe fenomentin e filohelenizmit. Synimet strategjike që Napoleoni kishte për kontrollin e zonave në Mesdhe, si dhe konkurrenca ushtarako-strategjike e Francës me Britaninë e Madhe në këtë rajon e kthyen Greqinë dhe Grekët në një pikë kontakti të rëndësishme. Kështu, Francezët i dhanë fund sundimit katër-shekullor venetik në Korfuz dhe në ishujt përreth, dhe në këtë mënyrë përcollën tek banorët vlerat e Iluminizmit dhe të Revolucionit Francez. Gjithashtu, bashkëpunimi ushtarak me banorët e zonës, që kulmoi me krijimin e Legjionit Grek, kontribuan në përgatitjen ushtarake e ideore të luftëtarëve, të cilët disa vite më vonë do të ishin pjesë aktive e Revolucionit Grek. Adamantios Korais e idealizonte Francën e Napoleonit duke e krahasuar me rilindjen e Aleksandrit të Madh, sepse ajo ndërhynte ushtarakisht me qëllim çlirimin dhe bashkimine Grekëve të robëruar.

Si pasojë e fundit të luftërave Napoleoniane në vitin 1815, një numër i konsiderueshëm ushtarakësh të zhveshur nga regjimi i vjetër por i rivendosur, e panë revolucionin grek dhe revolucionet e tjera në Spanjë, Itali dhe në Amerikën Latine, si një mundësi për të vazhduar karierën e tyre ushtarake.

Si përfundim, lindja dhe zhvillimi i filohelenizmit duhet parë në kontekstin e ngjarjeve të mëdha të kohës. Gjithashtu, vatra e tensionit në gadishullin e Ballkanit, mbi të cilin u ngrit rryma e filohelenizmit, ndante karakteristika të ngjashme me dy vatra të tjera që reagonin kundër despotizmit, përkatësisht në Itali dhe në gadishullin Iberik.

Historiani grek, Thanos Veremis, përmend rastin e filohelenit, lordit George Gordon Byron, i cili dallohej për vlerat e tij liberale dhe impaktin që ai pati në romantizmin evropian, duke u personifikuar me përpjekjet e popujve për liri. Përmend gjithashtu bashkudhëtarin e Bajronit, Leicester Stanhope, liberal dhe njëkohësisht armik i madh i monarkisë angleze. Vdekja e Bajronit në Greqi në vitin 1824 e rriti më tej entuziazmin dhe fokusin e ushtarakëve profesionistë dhe filohelenë për Revolucionin Grek, i cili pas përfundimit të luftërave në Amerikën Latine ishte konflikti i vetëm në atë periudhë.

Filohelenizimi përshkoi interesin e intelektualëve liberalë të botës perëndimore, të cilët iu qasën Revolucionit Grek me ndjenja kosmopolite. Filohelenizmi si fenomen kosmopolit dhe globalist kapërcente identitetet etnike dhe kufijtë e tyre, dhe bazohej në forcimin e lidhjeve ndërmjet shoqërive. Theksojmë se në atë periudhë kozmopolitizmi dhe nacionalizmi nuk përbënin dimensione të kundërta, ndryshe nga ajo çfarë ndodh sot. Dëshira e kombit grek për liri dhe për të jetuar i pavarur nga despotizmi i Perandorisë Osmane mori trajtën e vlerave që i kalojnë kufijtë e një grupi të vogël etnik, veçanërisht sepse u vendos në tablonë e zhvillimeve liberale të shekullit të 18-të. Intelektuali francez dhe filoheleni, François-René de Chateaubriand, do të shkruante në vitin 1825:

“Lufta e Grekëve u kthye në luftë të përbashkët për të gjithë shtetet”.

Për sa i përket filohelenizmit në ditët e sotme, mund të përmendim shembuj të ndryshëm dhe më kompleksë, pasi dhe vetë koha ku ne jetojmë sot është më komplekse. Shembuj të tillë janë: solidariteti me Grekët dhe me dinjitetin e njeriut në një demokraci sociale gjatë krizës financiare të vitit 2008, apo dhe interesi që tregohet për mësimin e gjuhës dhe kulturës greke në vende të ndryshme të botës.

* Jordan Jorgji është pedagog i Studimeve Politike dhe Evropiane në Universitetin “Fan S. Noli” Korçë. Shkrimi u referua nga z. Jorgji në veprimtarinë “Filhelenizmi dhe Revolucioni Grek i vitit 1821” organizuar nga Universiteti “Fan S. Noli” në bashkëpunim me Konsullatën e Përgjitshme e Greqisë në Korçë, më 18 Mars 2022.

Comments

Submitted by zaza (not verified) on

Kam nje verejtje te vogel. Po e nis keshtu: une jam filorus, ne kuptimin kulturor te fjales, posacerisht ate letrar, artistik; une jam filogrek, ne kuptimin kulturor-filozofik-letrar, pse jo edhe historik te "grekut" antik.
Autori i shkrimit nuk ben dallim mes grekut antik dhe grekut modern, te lindur ne epruvete pas revolucionit te viti 1821 dhe boteve te ndryshme qe ata perfaqesojne; te paret, ata antiket, perfaqesojne ate qe e dime te gjithe dhe e nderojme, keta te dytet perafeqesojne nje deshire, nje metim per t'u pranuar si ata te paret.
Eshte nje gje te jesh filogrek, ne kuptimin kulturor-historik,pse jo edhe politik, por ketu, gjithnje duke patur parasysh antikitetin - dhe krejt tjeter gje te jesh filogrek, ne kuptimin politik te fjales, duke mos bere dallimin mes grekut antik dhe ketij modern. Autori nuk e ben keta dallim, sepse nuk do ta beje, sepse eshte filogrek ne kuptimin politik qe i jep greku modern fjales.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.