Rasti i Indisë/ Kur politikën e jashtme e përcaktojnë interesat
India ishte ndër vendet që nuk e dënoi agresionin rus në Ukrainë, çka pasqyron edhe marrëdhëniet e saj të gjata me Moskën.
Lideri i demokracisë më të madhe në botë duket se e ka të vështirë të shqiptojë fjalën që ka dominuar titujt dhe ligjërimin diplomatik për gati një muaj.
Çështja e Ukrainës i ka kryesuar axhendat shumëpalëshe dhe dypalëshe që prej 24 shkurtit, por kryeministri indian Narendra Modi duket i vendosur ta shmangë këtë temë me çdo kusht.
Në një samit virtual midis liderëve të Australisë dhe Indisë të hënën, kryeministri australian Scott Morrison hapi takimin duke iu referuar "sfondit shumë shqetësues të luftës në Evropë" dhe "pushtimit të paligjshëm rus të Ukrainës".
Ndërsa kryeministri indian, Modi, në kontrast të mprehtë, e anashkaloi “elefantin në dhomë”, duke u zhvendosur te tregtia, teknologjia, artefaktet e vjedhura dhe kriketi.
Aleatëve të Indisë nuk u pëlqejnë lëshimet e Modit në raport me Rusinë.
Gjatë javëve të fundit, India ka abstenuar pesë herë nga dënimi i pushtimit në OKB, duke përfshirë një rezolutë të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut (UNHRC) që kërkon një hetim të pavarur mbi shkeljet ruse në Ukrainë.
India jo vetëm që ka qëndruar mënjanë teksa komuniteti ndërkombëtar vendos sanksione kundër regjimit të Putinit, por madje po shqyrton blerjen e naftës ruse në kohën e nevojës ekonomike të Moskës. Zyrtarët indianë kanë konfirmuar se banka qendrore e vendit është në konsultime fillestare me Moskën për një shkëmbim dypalësh rupi-rubla për të ruajtur marrëdhëniet tregtare pavarësisht sanksioneve të Perëndimit.
Nju Delhi ka qenë i kujdesshëm në shpjegimin e kësaj situate delikate, duke përfshirë lidhjet historike të mbështetura nga mbështetja ekonomike dhe diplomatike e Moskës.
Por ndërsa lufta ka hyrë në një fazë më brutale, ky mund të kthehet në një çmim të lartë për t’u paguar.
Gjatë kulmit të Luftës së Ftohtë, India ishte një nga anëtarët themelues të Lëvizjes së të Paangazhuarve (NAM) të kombeve kryesisht postkoloniale që refuzuan të rreshtoheshin zyrtarisht as me SHBA-në ose me BRSS.
Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, NAM ka vijuar kritikat ndaj politikës së jashtme të SHBA-së, ndërsa Rusisë iu dha statusi i vëzhguesit vitin e kaluar. Nga 35 vendet që abstenuan në një votim të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së më 3 mars, duke bërë thirrje për një fund të menjëhershëm të pushtimit të Ukrainës, të gjitha vendet – përveç Kinës – janë anëtarë të NAM.
Dhe përtej moralit, duket se kjo marrëdhënie drejtohet mirëfilli nga interesat.
"Ne po shohim një nga rastet më serioze të agresionit të kryer nga çdo vend që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore," thotë Michael Kugelman nga Wilson Center me qendër në Uashington DC në një intervistë me FRANCE 24. "Pse 30 vendet “e çuditshme” refuzojnë të dënojnë agresionin? Përgjigja është e thjeshtë: sepse nuk ishte në interesin e tyre të votonin pro rezolutës. Në fund të fundit, janë interesat, jo morali, që drejtojnë vendimet e politikës së jashtme.”
Add new comment