Gara presidenciale, Gjykata e Lartë e Brazilit mbyll Telegramin
Gjykata e Lartë e Brazilit vendosi mbylljen e aplikacionit popullor të mesazheve Telegram në vend, duke ndaluar efektivisht një nga kanalet e preferuara të komunikimit të Presidentit të ekstremit të djathtë Jair Bolsonaro, pak muaj para zgjedhjeve.
Gjykatësi Alexandre de Moraes e motivoi vendimin me dështimin e Telegramit për të përmbushur udhëzimet e autoriteteve braziliane dhe për të hequr mesazhet dezinformuese, raporton Reuters.
Vendimi vjen ndërsa Bolsonaro përgatitet për të kërkuar rizgjedhjen në tetor. Bolsonaro ka mbi 1 milion ndjekës në këtë platformë.
Gjykatësi tha se kompania kishte refuzuar në mënyrë të përsëritur të përmbushte vendimet dhe kërkesat nga policia, Gjykata e Lartë Zgjedhore dhe vetë Gjykata e Lartë.
Kjo përfshin një hetim të urdhëruar nga Gjykata e Lartë mbi pretendimet se administrata Bolsonaro kishte përdorur kanale zyrtare të komunikimit për të përhapur dezinformata. Bolsonaro është përplasur hapur me Moraes, i cili urdhëroi që ai të hetohej personalisht në atë rast.
Moraes urdhëroi edhe Apple dhe Google që t’u hiqnin klientëve të tyre mundësinë e përdorimit të Telegramit.
Telegrami ka rezultuar i suksesshëm si mjet komunikimi sidomos te grupet e ekstremit të djathtë në mbarë botën.
Ngjashëm me ish-presidentin amerikan, Donald Trump, Bolsonaro ka thënë disa herë gjatë muajve të fundit se sistemi elektronik i votimit të Brazilit ishte manipuluar gjatë zgjedhjeve presidenciale të 2018-ës, të cilat ai i fitoi.
Ai gjithashtu ka hedhur dyshime mbi integritetin e zgjedhjeve të këtij viti, duke lënë të kuptohet se mund të mos pranojë rezultatet nëse sistemi elektronik nuk ndryshohet.
Bolsonaro pritet të përballet me ish-presidentin e krahut të majtë Luiz Inacio Lula da Silva, i cili ka jo pak gjasa të dalë fituesi i zgjedhjeve presidenciale.
Add new comment