Rusia kalon nga Interneti në RuNet
Konflikti me Ukrainën u bë shkak që Rusia të konkretizojë nismën e përfolur prej kohësh për shkëputjen nga rrjeti global i internetit. Në një komunikim zyrtar të dërguar "të gjitha autoriteteve ekzekutive federale dhe autoriteteve ekzekutive të subjekteve përbërëse të Federatës Ruse" thuhet se "deri më 11 mars të gjithë serverët dhe domenet duhet të transferohen në intranetin rus".
Mesazhi është dërguar nga zëvendësministri i Zhvillimit Dixhital, Komunikimit dhe Masmedias Cernenko. Lajmi është bërë i ditur nga shërbimet e inteligjencës perëndimore. Sipas tyre, nota në fjalë ka tetë pika që rregullojnë funksionimin e rrjetit të pavarur rus.
Në atë që është quajtur lufta hibride, e cila i kalon kufijtë e një fronteve fizike, kjo është lëvizja e radhës nga ana e Kremlinit. I ashtuquajturi RuNet, ndryshe interneti rus, do të menaxhojë të gjitha burimet dhe infrastrukturën. Në praktikë, Putini i ka hapur dritën jeshile asaj që kishte qenë një kërkesë - e refuzuar nga ICANN, Korporata e Internetit për Emrat dhe Numrat e Caktuar, që është organi që menaxhon internetin në nivel global - nga ana e zëvendëskryeministrit ukrainas, Fedorov. Kërkesa atëherë u refuzua me argumentin se përbënte një hap të paprecedentë që do ta fuste sërish vendin pas asaj që njihet si perdja e hekurt.
Ky hap tashmë është hedhur. Me anë të një njoftimi, pushteti qendror u është drejtuar të gjithë autoriteteve të Federatës që menaxhojnë burimet e rrjetit në nivele të ndryshme. Nga 11 marsi, nëse plani realizohet, 140 milionë njerëz do të largohen nga interneti për të gjetur veten brenda një fushe informacioni të kufizuar të kontrolluar nga qeveria ruse.
Add new comment