Macron shpall kandidaturën nën aureolën e mediatorit
Presidenti francez, Emanuel Macron, shpalli zyrtarisht kandidaturën për një mandat të dytë. Macron e bëri këtë njoftim të enjten në mbrëmje, vetëm një muaj para zgjedhjeve. Vonesa e zyrtarizimit të kandidaturës është motivuar me krizën në Evropën Lindore, në bisedimet për të cilën Macron I ka dhënë vetes një rol aktiv.
Macron nuk është përfshirë ende në ndonjë fushatë zyrtare dhe ka anuluar një tubim të planifikuar në Marsejë këtë fundjavë për shkak të krizës në Ukrainë.
Sondazhet e tregojnë Macron si favoritin kryesor, në një kohë kur zhvillimet në Ukrainë po e kthejnë vëmendjen te politika e jashtme dhe jo te çështjet e brendshme që favorizojnë kundërshtarët e tij.
"Në një krizë, qytetarët gjithmonë qëndrojnë pas flamurit dhe rreshtohen pas kreut të shtetit," thotë Antoine Bristielle, ekspert i opinionit publik në Fondacionin Jean-Jaurès, një think tank në Paris.
"Kandidatët e tjerë nuk dëgjohen. Në çdo media, gjithçka që dikush flet është pushtimi", i tha ai AFP.
Një deputet i partisë në pushtet i tha AFP këtë javë se kriza në Ukrainë tregon se rivalët e Macron po “boksonin me njëri-tjetrin”, ndërsa disa sondazhe kanë treguar se vlerësimet për Macron po rriten.
Macron tha të mërkurën se kriza ka "goditur jetën demokratike dhe fushatën zgjedhore", por premtoi se "do të zhvillohet një debat i rëndësishëm demokratik për vendin".
Sondazhi i fundit i IFOP për Paris Match, LCI dhe Sud Radio të enjten tregoi se Macron dhe kandidatja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, kryesojnë në raundin e parë dhe kualifikohen për në balotazh, ku Macron merr 28 për qind dhe Le Pen 17 për qind.
Shifrat për balotazhin e 24 prillit treguan se Macron siguroi 56.7 për qind të votave përballë Le Pen.
Add new comment