Kostot e sanksioneve për aviacionin europian
Aviacioni ishte ndër objektivat e parë të sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë.
Brukseli filloi relativisht butë, duke ndaluar shitjen e avionëve dhe pjesëve për kompanitë ruse në paketën e parë të masave të miratuara javën e kaluar, por ashpërsia u rrit me intensifikimin e sulmeve në Ukrainë. Deri të dielën, të gjithë avionët rusë - komercial dhe privat - u ndaluan të hyjnë në hapësirën ajrore të BE-së.
Në kundërpërgjigje, Rusia ndaloi linjat ajrore të BE-së - si dhe ato nga çdo vend tjetër me masa të ngjashme - nga qielli i saj.
Cilat janë implikimet lidhur me sanksionet në aviacion?
1. Kohë më e gjatë fluturimi
Shmangia e hapësirës ajrore ruse do të thotë shumë ndryshime në fluturimet nga Evropa në Azi – një farë rikthimi në situatën e Luftës së Ftohtë kur mbifluturimet ishin një gjë e rrallë.
Shumë linja ajrore që fluturojnë drejt ose mbi Rusi kanë anuluar fluturimet për javën e ardhshme, ndërkohë që po hartojnë strategji të reja fluturimi. Linja ajrore më e prekur e BE-së është Finnair, sipas të dhënave nga menaxherët e rrjetit Eurocontrol, me 18 fluturime në ditë që kalojnë mbi Rusinë për në Azi.
“Anashkalimi i hapësirës ajrore ruse zgjat në mënyrë të konsiderueshme kohën e fluturimit drejt Azisë dhe, për rrjedhojë, funksionimi i shumicës së fluturimeve tona të pasagjerëve dhe mallrave në Azi nuk është ekonomikisht i qëndrueshëm apo konkurrues”, tha të hënën Topi Manner, CEO i Finnair.
Zgjatjet e itinerarit për avionët që shmangin hapësirën ajrore ruse do të variojnë nga 90 minuta - për shembull në rrugën Frankfurt-Pekin - dhe pesë orë, për fluturimet midis Helsinkit dhe Tokios.
Nuk janë vetëm udhëtimet e pasagjerëve që preken.
Virgin pezulloi fluturimet vetëm për mallra midis Londrës Heathroë dhe Shangait, të cilat zakonisht operojnë katër herë në javë, ndërsa linja ajrore përpiqet të kuptojë se si t'i rikthejë këto shërbime.
Ndërkohë linjat ajrore duhet edhe të mendojnë si do ta mbajnë ekuipazhin në bord pa shkelur rregullat për orët maksimale të punës.
2. Pikëpyetjet mbi karburantin
Rrugë më të gjata fluturimi nënkuptojnë se linjat ajrore kanë më shumë gjasa të kenë nevojë të ndalojnë për të furnizuar me karburant.
Presidenti i kompanisë Emirates, Tim Clark, tha se po shikohen operacionet e linjës ajrore në bregun perëndimor të Shteteve të Bashkuara, të cilat zakonisht kalojnë përmes hapësirës ajrore ruse.
Aeroporti Anchorage i Alaskës, një ndalesë karburanti për fluturimet nga Evropa në Azi gjatë Luftës së Ftohtë, ka marrë telefonata nga linjat ajrore. Kjo ndalesë shtesë do të shtonte një sasi të konsiderueshme kohe: Kalimi në pol, sipas analistit të aviacionit John Ëalton, do t'i shtonte pesë orë e gjysmë një fluturimi nga Pekini në Helsinki që aktualisht zgjat tetë orë, përtej rrezes së disa avionëve.
Fluturimi i mëtejshëm do të godasë gjithashtu bilancet bankare të linjave ajrore, pasi ato do të duhet të paguajnë për karburantin shtesë të avionit.
3. Qiratë
Rreth gjysma e flotës tregtare të Rusisë jepet me qira, kryesisht nga kompani me bazë në Irlandë, qendra globale e industrisë.
Sanksionet financiare nënkuptojnë se do të jetë e vështirë për linjat ajrore ruse që marrin me qira ato avionë të paguajnë qiradhënësit, edhe nëse janë të aftë ekonomikisht, thotë Donal Hanley, ekspert irlandez i ligjit të financave dhe qiradhënies së avionëve. Shqetësimi i menjëhershëm për kompanitë që japin me qira është nëse ato mund t'i kthejnë avionët e tyre nga Rusia - por kjo duhet të lehtësohet nga hapësira e lëvizjes brenda sanksioneve të BE-së që lejojnë kthimin e këtyre fluturimeve, sipas një zyrtari të lartë të Komisionit Evropian.
4. Paratë
Rusia njoftoi të hënën se do të kufizojë fluturimet në hapësirën e saj ajrore në 36 vende në përgjigje të sanksioneve të lidhura me aviacionin. Kjo do të thotë kohë më e gjatë fluturimi për transportuesit me distanca të gjata, por gjithashtu do të thotë se Rusia humbet paratë që ndihmojnë në financimin e transportuesit të saj shtetëror, Aeroflot.
Moska njihet për tarifat veçanërisht të larta; Shifrat më të fundit të disponueshme publikisht, nga viti 2008, tregojnë se transportuesit e BE-së paguanin 420 milionë dollarë në vit.
5. Prodhuesit tërhiqen
Boeing ka mbyllur përkohësisht zyrën e tij në Kiev dhe ka ndërprerë trajnimin e pilotëve në kampusin e tij në Moskë. Airbus tha në një deklaratë se është e parakohshme të komentohet mbi ndikimin e sanksioneve, por shtoi se ka një ngarkesë prej 14 A350 të destinuar për Aeroflot dhe rreth 40 avionë me një rresht (familja A220 dhe A320) që do të dorëzohen përmes qiradhënësve.
Si Boeing ashtu edhe Airbus marrin titan nga kompania ruse VSMPO-Avisma, por Airbus tha: “Rreziqet gjeopolitike janë të integruara në politikat tona të burimit të titanit. Prandaj ne jemi të mbrojtur në afat të shkurtër/mesëm.”
Add new comment