"Bitcoin po kthehet në sëmundje ngjitëse"
Bitcoin po kthehet në një "sëmundje". Nasim Nicholas Taleb, profesor i inxhinierisë së riskut në NYU dhe autor i librit "The Black Swan", thotë se kriptomonedha po kthehet në një flluskë të brishtë spekulative që mund të shkojë drejt shpërthimit.
Duke qenë se Bitcoin pritet të arrijë nivelet më të ulëta historike, shanset janë që parashikimi i tij mund të realizohet.
Një vit më parë, Taleb ishte një nga mbrojtësit më të mëdhenj të Bitcoin. Në vitin 2017, Taleb shkoi aq larg sa shkroi parathënien e librit "The Bitcoin Standard", shkruar nga bashkatdhetari dhe ekonomisti libanez Saifedean Ammous. Në libër, Taleb dhe Ammous e mbronin kriptomonedhën si një rrugëdalje nga krizat e përsëritura financiare të shkaktuara nga bankat tradicionale.
Megjithatë, tani Taleb mendon të kundërtën. Verën e kaluar, ai publikoi një arsyetim pse nuk po merret më me Bitcoin dhe pse ai tani e konsideron atë të pavlefshme dhe të rrezikshme.
Propozimi për kriptomonedhat që veprojnë si "politikë sigurimi" kundër qeverive që kontrollojnë tregjet financiare ka dështuar tërësisht, argumenton Taleb në punimin e tij.
“Është me të vërtetë rruga e duhur që të ketë të paktën një monedhë reale pa një qeveri,” argumenton Taleb. Por sipas tij, Bitcoin nuk është fare monedhë reale dhe njerëzit e ngatërrojnë atë shkak të vlerës së saj spekulative dhe paqëndrueshmërisë së dukshme.
“Pak asete në historinë financiare kanë qenë më të brishta se Bitcoin,” shkruan ai.
Taleb thotë se Bitcoin mund të rezultojë një përsëritje më pak estetike e krizës holandeze të shekullit të XVII – e cila përfundoi në katastrofë.
Add new comment