“Nuk kam përgjegjësi për inceneratorët, jam kryeministri”
Në dëshminë e tij përpara Komisionit Hetimor për Impiantet e Trajtimit të Mbetjeve Urbane, kryeministri Rama refuzoi të përgjigjet për 17 procedurat brenda një dite për dhënien me koncesion të inceneratorin e Elbasanit. Kreu i qeverisë u distancua nga çdo përgjegjësi, duke thënë se vendimet janë finalizim i një procesi zinxhir që kalon në disa filtra.
Përsa i përket pyetjes për 17 vendimet, i keni marrë përgjigjet nga dëshmitarët paraardhës. Kryeministri zgjidhet për të udhëhequr. Të udhëheqësh do të thotë çfarë do bëjmë, ku do shkojmë dhe pse ta bëjmë këtë gjë. Ka një makinë të tërë shtetërore që është aty për të bërë punën e vet me të gjitha hallkat e një zinxhiri. Kjo makinë shtetërore ka bërë detyrën e vet. Unë nuk kam asnjë arsye në botë t’i vë presje apo pikëpresje asaj që kanë thënë këtu para maje dëshmitarë të tjerë. Unë kam ardhur këtu si kryeministër i Shqipërisë.
Këmbënguljes së kryetares së komisionit, Jorida Tabaku, për VKM nr. 907, dt. 17 dhjetor 2014, e cila miratoi financimin e inceneratorit të Elbasanit, Rama iu përgjigj se e vetmja mbledhje e qeverisë që mban mend është ajo e para si kryetar i saj.
Nuk refuzoj t’u përgjigjem pyetjeve. Por duhet të më bëni pyetje që lidhen me rolin tim si kryeministër. Mbledhja e qeverisë ku merret vendimi është kurorëzimi i një procesi legjislativ, që fillon nga sektori bazë, i cili është nevojë për aktin në fjalë, në kombinim me sektorë të tjerë që ndërthuren me njëri-tjetrin, kalon nëpër gjithë ata filtra dhe vjen te unë. Mua më rezulton që këtu është zbardhur në mënyrë shembullore. Përgjegjësia individuale përpara ligjit, për të cilat organi i hetimit identifikon shkelje është në tagrin e secilit. Nuk jam unë njeriu që keni akuzuar ju si kreun e një organizate kriminale. Më lini të jem heroikisht i sjellshëm. Është një nga vendimet që qeveria ka marrë. Nuk mbaj mend mbledhje qeverie, mos më cito sipas qejfit. Unë të thashë që pyetja a e mban mend një mbledhje qeverie. Mbaj mend vetëm një mbledhje qeverie, atë kur është vënë fotografia e Ismail Qemali.
Add new comment