Parlamenti grek shqyrton marrëveshjen për blerjen e armëve nga Franca
Në Greqi, qeveria ka çuar për miratim në Parlament marrëveshjen me vlerë 3 miliardë euro për tre fregata të reja të prodhimit francez, që janë cilësuar jetike për të trajtuar tensionet e vazhdueshme me Turqinë fqinje. Parlamenti po shqyrton nëse mund të shtohen gjashtë avionë të rinj luftarakë Rafale në një porosi ekzistuese prej 18 avionësh - gjashtë prej tyre të sapondërtuar dhe 12 që ishin më parë në shërbim në forcat ajrore franceze.
Greqia dhe Turqia, të dyja anëtare të NATO-s, vijojnë të kenë përplasje për të drejtat e shfrytëzimit të mineraleve në Detin Egje dhe në Mesdheun Lindor. Tensionet nisën pas një studimi turk për naftën dhe gazin në zonën detare mes dy vendeve, në 2020.
Ministri i Mbrojtjes, Nikos Panagiotopoulos, thotë se ushtria greke duhet të modernizohet.
“Të gjitha programet e armatimit që ne kemi paraqitur për miratim, në një mënyrë apo në një tjetër, janë absolutisht të nevojshme për forcat e armatosura – jashtëzakonisht të nevojshme, urgjentisht të nevojshme”.
Qeveria e qendrës së djathtë të Greqisë ka 157 ligjvënës në Parlamentin prej 300 vendesh dhe propozimi pritet të miratohet pa kundërshtime brenda partisë në pushtet. Partia kryesore opozitare e krahut të majtë kundërshton blerjen shtesë të avionëve luftarakë francezë.
Marrëveshja është nënshkruar vitin e kaluar mes kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron.
Të prodhuara nga Grupi Naval i Francës, dy anije luftarake do të dorëzohen në vitin 2025 dhe e treta vitin e ardhshëm, ndërsa opsioni për të shtuar një fregatë të katërt që do të jetë gati në 2027.
Add new comment