Tahiri dënohet me burg
Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri është dënuar me burgim. Pak rëndësi ka koha, apo përmbatja e akuzës. Zoti Tahiri është pas hekurave me vendim gjykate për një aferë që lidhet me trafikun e drogës.
E thënë në parim, mund të themi se një hap përpara është bërë.
E thënë politikisht, duhet të pranojmë se politika e ka përherë e më të vështirë të mbrojë të pambrojtshmen. Ndodh kjo për shkak të flagrancës së aktit, apo kompleksitetit të sistemit, këtë vështirë ta thuash dhe ka rëndësi të kuptohet, por dënimi i Tahirit është padyshim një moment erozioni në paprekshmërinë e politikës.
Që këtej, z. Rama është mirë të heshtë. Mençuria apo një lloj takti ia kërkon, edhe pse si një njeri që qeveris me karakter dhe udhëhiqet nga propaganda, do ta thotë herët apo vonë se Drejtësia që Duam erdhi.
Që këtej shumëkush ka të drejtë të pyesë pse Tahiri brenda dhe Berisha me Metën jashtë? Ka të drejtë të pyesë pse Damiani mban ende një kolltuk, apo Taulant Balla përfaqëson një parti shumice?
Dënimi është pjesë e një procesi politik pa dyshim. E një akuze të vënë në lëvizje nga aktorë me pushtet dhe duhet të theksojmë se i plotfuqishmi Edi Rama ka humbur në këto vite shumë “asete” të vetat për shkak të presionit publik. Është e udhës që këtë rrokullimë graduale dhe të mbajtur në kontroll ta mbajmë parasysh përpara sesa të flasim për anët hermetike të pushtetit që nuk është asnjëherë aq i fortë sa duket.
Sa për z. Tahiri, e sigurtë është se ai doli, apo e nxorën nga politika. Kjo që ushtrohet ende.
Add new comment