Erdogan shmang homologun Meta
Axhenda e vizitës së presidentit turk, Erdogan, në Tiranë nuk parashikon një takim me homologun e tij, Ilir Meta. Kreu i shtetit turk e nisi vizitën zyrtare në Shqipëri me një takim në një familje në Laç, ku me mbështetjen financiare të Turqisë janë ndërtuar 544 banesa për të prekurit nga tërmeti, dhe mbyllet me një fjalim në seancën e parë të Kuvendit për këtë vit.
Vizita e presidentit turk vjen në ditën kur shënohet 554-vjetori i Skënderbeut. Meta zgjodhi të nderonte heroin kombëtar me homazhe në varrin e tij në Lezhë, ndërkohë që vetëm pak kilometra më tutje Erdogan shpallej Qytetar Nderi i Kurbinit dhe një sheshi të qytetit i jepej emri i tij.
Në fjalën e tij në ceremoninë e homazheve, Meta e vuri theksin te prirja europiane e shqiptarëve dhe Skënderbeu si simbol i saj.
“Është jo vetëm kryeheroi kombëtar, që i dha identitetin më të fortë kombit tonë, në mbrojtje të lirisë dhe të dinjitetit kombëtar dhe njerëzor, por edhe është ky personalitet i jashtëzakonshëm dhe një hero i qytetërimit evropian. Ai përcaktoi në mënyrë të pakthyeshme identitetin evropian të popullit tonë. Kjo figurë kaq e madhe, që edhe shekuj më pas shërbeu si frymëzim kryesor i rilindjes sonë kombëtare për të ngritur popullin shqiptar në luftën për liri, shtet formim dhe pavarësi. Është pikërisht Gjergj Kastriot Skënderbeu që me veprën e tij do të frymëzojë shqiptarët për veprat e tij dhe dinjitet kombëtar dhe njerëzor”, tha Meta.
Comments
Meta, të lumtë!
Edhe pse Meta e ka bërë këtë vizitë dhe këtë deklaratë edhe për arsye partiake dhe personale, prapëseprapë ky është një akt kurajoz dhe dinjitoz i Presidentit përballë kokëuljes dhe vetëposhtërimit të qeverisë dhe të parlamentit shqiptar para neo-otomanizmit të Erdoganit dhe vizitës së tij "krejt të rastësishme" në përvjetorin e vdekjes së Skënderbeut.
Të lumtë, president!
Add new comment