Përplasja në PD, mbështetësit e Berishës hyjnë në seli (VIDEO)
Oborri i selisë së Partisë Demokratike është sot skena e një proteste unike në historinë e politikës shqiptare. Mbështetës të ish-kryetarit Berisha mbërritën në oborrin e selisë rreth orës 11:00 dhe arritën të futen në ndërtesë, pasi thyen derën kryesore. Pas një përplasjeje me Roland Bejkon në oborrin e selisë, mbështetësit e Berishës thyen xhamat e dyerve dhe kamerat, duke depërtuar në hollin e selisë.
Partia Demokratike reagoi pas incidentit, duke e cilësuar dhunë të papranueshme.
Dhuna e mercenarëve të Sali Berishës ndaj anëtarit të Kryesisë qendrore të PD Roland Bejko, është fytyra e Sali Berishës, që frymëzon dhunë, ushtron dhunë dhe pengon një sekretar të PD të vijë në seli në një mbledhje pune. E papranueshme që dhunohet një demokrat i orëve të para, një demokrat i ndershëm me kontribute 30 vjeçare në këtë parti. Roland Bejko u dhunua sot vetëm se mendon ndryshe nga Sali Berisha, vetëm se nuk i shërben interesit të Sali Berishës, vetëm se ka vendosur ti shërbejë interesit të demokratëve dhe PD.
Ndërsa Berisha e cilësoi protestën një lëvizje paqësore, pavarësisht incidenteve të shumta.
Nëse zoti Basha nuk do të ishte peng Basha, nuk do të mund të qëndronte katër herë humbës kryetar PD. Ne jemi për një lëvizje paqësore. I them Bashës të hapë dyert, ky është apeli, shtëpia është e demokratëve dhe jo e pengjeve.
Ndërsa policia po monitoron protestën nga distanca, nuk ka munguar një reagim i ambasadores amerikane.
Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara me rritjen e tensioneve në ndërtesën e selisë së Partisë Demokratike dhe përdorimin e forcës nga protestuesit. U bëjmë thirrje organizatorëve të protestës që të refuzojnë dhunën dhe të ushtrojnë qetësi. Ata që nxisin dhunën ose minojnë sundimin e ligjit do të mbahen përgjegjës.
Add new comment