Afrika e Jugut kalon pikun e Omicron pa rritje të numrit të viktimave
Afrika e Jugut, vendi ku varianti Omicron u shfaq për herë të parë, njoftoi të enjten se ka kaluar pikun e valës së re të shkaktuar nga ky i fundit, pa vënë re një rritje të ndjeshme të numrit të të vdekurve.
"Të gjithë treguesit sugjerojnë se vendi ka gjasa ta ketë kaluar kulmin e valës së katërt" të epidemisë Covid-19, citon "Le Monde" një deklaratë të presidencës, që njoftoi heqjen e disa kufizimeve shëndetësore, përfshirë mbylljen gjatë natës.
Numri i infeksioneve të reja ra me gati 30% javën e kaluar (mbi 89 000), krahasuar me javën pararendëse (mbi 127 000). Numri i të shtruarve në spitale ranë në tetë nga nëntë provinca, pavarësisht faktit se varianti i ri është shumë i transmetueshëm.
Omicron, i cili ka një numër të lartë mutacionesh që ngrenë frikën e rezistencës ndaj vaksinave Covid-19, u identifikua për herë të parë në Botsvana dhe Afrikën e Jugut në fund të nëntorit. Ai u bë menjëherë dominues në Afrikën e Jugut, duke bërë që numri i infeksioneve të rritet në mënyrë eksponenciale - në më shumë se 26 000 raste ditore që nga mesi i dhjetorit, sipas statistikave zyrtare.
Varianti Omicron është aktualisht në qarkullim në rreth 100 vende, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Shumë më ngjitës se variantet e mëparshme, ai prek njerëzit edhe ata që janë vaksinuar dhe ata që e kanë kaluar njëherë virusin SARS-CoV-2.
Statistikat në Afrikën e Jugut konfirmojnë edhe njëherë atë që shumë epidemiologë parashikuan që në krye të herës: virusi do të vijë duke u zbutur.
Add new comment