Kina përplaset me SHBA-në në hapësirë
Gara SHBA-Kinë është zhvendosur prej kohësh edhe në hapësirë. Por një incident i fundit i ka acaruar marrëdhëniet edhe në këtë pikë. Pekini e akuzoi sot SHBA-në për sjellje të papërgjegjshme dhe të rrezikshme në hapësirë për shkak të dy “takimeve të afërta” mes stacionit hapësinor kinez dhe satelitëve të kompanisë Starlink të miliarderit amerikan, themeluesit të Tesla, Elon Musk.
Këtë muaj, qeveria kineze i dorëzoi agjencisë hapësinore të OKB-së një notë proteste, sipas të cilës stacioni i ri hapësinor kinez - Tiangong - u detyrua të kryente manovra emergjente për të shmangur përplasjen me satelitët e shërbimit të ardhshëm të Internetit Starlink në dy raste: në korrik dhe tetor të këtij viti.
Sipas qeverisë kineze, këto dy incidente kanë "vënë në rrezik jetën ose shëndetin e astronautëve në bordin e Stacionit Hapësinor Kinez".
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian, tha sërish sot se "Shtetet e Bashkuara ... i injorojnë detyrimet e tyre sipas traktateve ndërkombëtare, duke paraqitur një kërcënim serioz për jetën dhe sigurinë e astronautëve".
Starlink, divizion i kompanisë SpaceX të Musk, operon një plejadë prej rreth 2000 satelitësh që synojnë të ofrojnë akses në internet në nivel global. SpaceX është kompani private, por Kina deklaron në notën e saj se anëtarët e Traktatit të Hapësirës së Jashtme - themeli i ligjit ndërkombëtar të hapësirës - janë përgjegjës për veprimet e enteve të tyre joqeveritare.
Add new comment