Londra i "dorëzon" Assange-in Amerikës

Postuar në 10 Dhjetor, 2021 12:28

Qeveria amerikane fitoi sot në apel kundër një vendimi të gjykatës në Londër që kishte bllokuar ekstradimin e themeluesit të WikiLeaks, Julian Assange, nga Britania. Uashingtoni e kundërshtoi vendimin e shkallës së parë, dhënë në janar të këtij viti. Gjykata e kishte ndaluar ekstradimin e Assange, me argumentin se 50-vjeçari australian rrezikonte të vetëvritej nëse do të transferohej në sistemin e drejtësisë amerikane.

Në SHBA, Assange duhet të përgjigjet para drejtësisë amerikane për publikimin nga WikiLeaks në vitin 2010 të dokumenteve të klasifikuara ushtarake në lidhje me luftërat e SHBA-së në Afganistan dhe Irak. Avokatët që përfaqësojnë palën amerikane kanë dhënë garanci se ai nuk do të mbahet në izolim ndëshkues në ndonjë nga burgjet federal supermax dhe do ta marrë trajtimin e duhur. Dy gjyqtarë të apelit në Gjykatën e Lartë në Londër i pranuan garancitë e SHBA-së. Çështja tani do të kthehet në gjykatën më të ulët për rishqyrtim.

Por partnerja e Assange, Stella Moris, tha se "vendimi do të apelohet në momentin më të parë të mundshëm".

Rasti i Assange është hapur prej vitesh një debat të madh për fjalën e lirë. Mbështetësit e tij argumentojnë se WikiLeaks ka të njëjtat të drejta si mediat e tjera për të publikuar materiale sekrete në interes të publikut. Qeveria amerikane ka ngritur nga tij 18 akuza në lidhje me publikimin e 500 000 dosjeve sekrete nga WikiLeaks mbi konfliktet në Afganistan dhe Irak. Nëse ekstradohet, gjykohet dhe dënohet, ai mund të dënohet me burg deri në 175 vjet. Assange ka qenë në paraburgim që nga viti 2019, pavarësisht se ka vuajtur një dënim të mëparshëm për shkelje të lirimit me kusht në një rast të veçantë.

Ai i kaloi shtatë vjet në ambasadën e Ekuadorit në Londër për të shmangur transferimin në Suedi, ku ndaj tij ishin ngritur akuza për sulm seksual, të cilat më vonë u rrëzuan. Gjatë qëndrimit në ambasadën e Ekuadori, Assange është bërë baba i dy fëmijëve me Moris, një prej avokateve në ekipin e tij ligjor. Autoritetet e burgut britanik muajin e kaluar i dhanë çiftit lejen për t'u martuar në burgun e sigurisë së lartë Belmarsh në Londrën juglindore.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Tashme mbyllje goje, veshesh dhe sysh! Diktaturat kane siparin e tyre! Rrofshin diktatoret qe na fusin ne burg!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.