Nesher Ramla është një Neandertal. Degradon debati shkencor
Një histori bizarre ka zënë vend në rrethet akademike izraelite për shkak të vënies në dyshim të një zbulimi të publikuar në qershor në revistën e njohur “Science”. Në këtë publikim, shkencëtarët izraelitë nën drejtimin e prof. Izrael Hershkovitz njoftonin zbulimin e një lloji të ri hominini të quajtur Nesher Ramla. Madje artikulli ishte në kopertinën e revistës, çka thekson rëndësinë e lajmit në mjediset shkencore.
Mirëpo një profesor i universitetit të Tel Avivit, prof. Yoel Rak e vuri në diskutim zbulimin dhe për pasojë edhe ekzistencën e vetë këtij lloji të ri hominini duke marrë kështu një kërkesë nga revista për një artikull sqarues për pozicionin e vet. Pas replikës, prof. Rak pretendon se ka patur një sërë incidentesh në universitet që nisin me banalitete të tilla si ndryshim i bravave të laboratorit e kështu me radhë deri në akuza.
Kisha nevojë për referenca dhe shkoja në bibliotekë. Përpiqem të hap derën dhe shoh që është ndryshuar çelësi. Shkova te përgjegjësi dhe ai më thotë se departamenti e ka urdhëruar që të mos i japë çelësin. Çfarë po ndodh këtu? Shkova edhe te decani dhe na del se ai e dinte për këtë gjë po ashtu
citon “Haaretz” prof. Rak.
Në laborator gjendet një koleksion unik me më shumë se 70 kopje shkencore të kafkave prehistorike, realizuar në plastikë dhe allçi. Një koleksion i sjellë në universitet nga vetë Rak 40 vjet më parë nga Berkley, ku siç thotë ai ishte personi përgjegjës për kopjimin e fosileve dhe kafkave. I pensionuar pesë vjet më parë, ai vazhdon të japë mësim dhe ka një zyrë ngjitur me laboratorin në të cilin i është ndaluar hyrja tashmë.
Debati lindi pas pretendimeve të zbuluesve se Nesher Ramla Homo që datohet 130 000 vjet më parë – është përfaqësues i një grupi njerëzor të panjohur deri më tani nga shkenca. Sipas tyre ky grup mund të jetë paraardhësi evolutiv i Neandertalit, një grup me shumë rëndësi në kuptimin e evolucionit njerëzor. Kërkuesit pretendojnë se klasifikimi i gjetjeve në një grup të ri hominini, i jep përgjigje shumë pikëpyetjeve si p.sh transferimet genetike dhe marrëdhëniet mes Neandertalit dhe Homo Sapiensit dhe pyetjes sesi Neandertali u rikthye në Europë pas epokave akullnajore. Lidhur me këtë pretendim, Hershkovitz i pari paralajmëroi sulmet.
Sot do të jetë nata e thikave të gjata
u shpreh ai në qershor, përmes një metafore të hidhur.
Dhe përgjigja nuk vonoi nga vetë TelAvivi, teksa Rak dhe një student i tij, dr. Assaf Marom shkruanin se Nesher Ramla nuk është gjë tjetër veçse një Neandertal i zakonshëm. Përgjigja nuk mbeti pa kundërpërgjigje nga Hershkovitz dhe partnerët e tij që pretendojnë se Rak injoron morfologjinë kafkore dhe për më tepër e akuzon atë për një optikë të deformuar.
Bota e tyre është dikotomike; ka Homo Sapiens dhe Neandertalë. Në një botë të tillë gjetjet janë automatikisht Neandertalë. Studimi ynë ka shumë më tepër rezolucion
komenton studiuesi.
Incidenti në fjalë ilustron më së miri klimën në mjediset akademike dhe në fakt infalcionin e madh të sensacionit në shkencë, sensacion i cili lidhet ngushtësisht me promovimin e teknologjisë, duke përmbysur deri diku raportin kërkim, analizë, eksperimentim, përfundim. Me pandeminë ne dëshmuam të gjithë se parimi i postuluar se progresi ka karakteristikë të duket më i madh nga sa është, është mëse i vërtetë.
Add new comment