Macron ndërmjetëson mes Libanit dhe shteteve të Gjirit
Franca dhe Arabia Saudite do të angazhohen në dialogun mes Libanit dhe shteteve të Gjirit.
Ministri libanez i Informacionit, George Kordahi, dha dorëheqjen të premten për të lehtësuar një përplasje diplomatike me Arabinë Saudite, pas komenteve që ai bëri në tetor duke kritikuar rolin e Arabisë Saudite në luftën në Jemen, gjë që e nxiti Riadin të ndalonte importet libaneze.
Rinagazhimin financiar të Riadit e bëri të ditur presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili ishte në Arabinë Saudite për bisedime me Princin e Kurorës Mohammed bin Salman (MBS), raporton Reuters.
Të dy këta të fundit folën me kryeministrin libanez, Najib Mikati, i cili në një deklaratë të mëvonshme e quajti thirrjen një "hap të rëndësishëm" në rivendosjen e marrëdhënieve me shtetet e Gjirit.
Macron ka udhëhequr përpjekjet ndërkombëtare për të zgjidhur krizën politike dhe ekonomike në Liban. Por pavarësisht se është investuar shumë, ai ka dështuar deri më tani të nxisë politikanët vendas për të kryer reforma ekonomike që do të zhbllokonin ndihmën e huaj.
Në tetor, Riadi dëboi të dërguarin e Libanit në mbretëri, tërhoqi ambasadorin e tij në Bejrut dhe ndaloi importet libaneze pas komenteve të Kordahit mbi rolin e Arabisë Saudite në luftën e Jemenit.
Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Bahreini morën hapa të ngjashëm kundër Libanit pas lëvizjes saudite.
Arabia Saudite myslimane sunite dhe Irani shiit kanë luftuar prej kohësh për ndikim në rajon, përfshirë Libanin, i cili aktualisht është në një krizë të thellë ekonomike dhe ka nevojë dëshpërimisht për mbështetje financiare nga donatorët rajonalë dhe ndërkombëtarë.
Add new comment