Varianti Omikron sfidon vaksinën
Bota ka përballë një “armik” të ri: variantin e sapozbuluar të Covid-19, të cilit një ditë më parë OBSH-ja i dha emrin Omikron. Të enjten, autoritetet shëndetësore në Afrikën e Jugut njoftuan se kishin konstatuar një variant të ri të virusit, i cili ka potencial të lartë transmetimi.
Një ditë më pas, në Belgjikë u konfirmua rasti i parë. Sot, autoritetet holandeze raportojnë për gjashtëdhjetë e një persona pozitivë me këtë variant. Ata mbërritën në Amsterdam nga Afrika e Jugut.
Bëhet fjalë për personat që ndodheshin në bordin e dy fluturimeve nga Afrika e Jugut. 531 pasagjerë të tjerë ishin negativë. Të gjithë pozitivët u karantinuan në një hotel pranë aeroportit Schiphol.
Ndërkohë, guvernatorja e shtetit të Nju Jorkut, Kathy Hochul, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në përgjigje të variantit të ri Omicron të Covid që kërcënon të arrijë edhe në Shtetet e Bashkuara.
Shkak është bërë një rritje e rasteve të reja në nivele që nuk janë parë kurrë që nga prilli i kaluar.
CDC amerikane, qendra për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve, ka konfirmuar se për momentin në SHBA nuk ka asnjë rast të variantit të ri.
Për shkak të nivelit të lartë të mutacioneve të variantit Omikron, OBSH njoftoi se po monitoron me kujdes përhapjen e tij.
Në krahasim me variantet e tjera, Omikron ka demonstruar aftësi më të madhe në shmangien e imunitetit të mëparshëm, qoftë ky i krijuar nga vaksina, qoftë nga infektimi nga Covid më parë. Këtë e konfirmuan studiuesit në Afrikën e Jugut, të cilët, megjithatë nuk kanë ende një përgjigje nëse Omicron paraqet një rrezik më të madh për shtrim në spital ose për fatalitet, përfshirë edhe në mesin e të vaksinuarve.
Një përgjigje e tillë nuk pritet të vijë pa kaluar të paktën 2-3 javë, tha Jinal Bhiman, shkencëtarja kryesore mjekësore në Institutin Kombëtar për Sëmundjet Transmetuese në Afrikën e Jugut.
Nëse vaksinat ekzistuese nuk ofrojnë të njëjtin nivel mbrojtjeje kundër infeksionit të ri, kjo mund t'i nxisë prodhuesit e vaksinave të modifikojnë produktet e tyre.
Add new comment