Yaris Partners & Co

Postuar në 25 Nëntor, 2021 16:24
Skerdilajd Zaimi

 

Tre-katër ditë më parë u ankua se po e sulmoj me fjalët e Edi Ramës. Tani do t’i them: peng Basha në qoftë se Edi Rama apo cilido thotë një gjë që qëndron, Sali Berisha nuk e mohon kurrë. Është e vërtetë që Edi Rama të ka përmendur ty ‘Toyota Yaris’ në parlament, por është e vërtetë që ai e mban peng me ‘Toyota Yaris’ Lulzim Bashën sa për dijeni. Prandaj peng Basha, dil e sqaroje aferën e ‘Toyota Yaris’, ndave apo jo para me Taulant Ballën në atë aferë.

Kështu u shpreh disa ditë më parë ish-kryeminstri Sali Berisha nga Foltorja e Burrelit, duke u përshfaqur kështu tërësisht në stilin e tij politik. Akuza është penale dhe ajo ka brenda një thirrje për sqarim nga Lulzim Basha ndaj të cilit adresohet, por në fakt merr një natyrë provokative sa kohë që z. Berisha u largua nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nën pretendimin se ai duhet të sqarojë pozicionin e tij në raport me vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit që e shpalli non grata.

Nga ana tjetër, akuza e hedhur ilustron një metodë sesi mbyllen punët dhe skandalet në politikën shqiptare. Më i freskëti: pak ditë më parë u bë publik fakti se Ilir Beqja, ish-ministër i Shëndetësisë, tërhoqi akuzën e vet ndaj Shqipërisë, më saktë qeverisë dhe shumicës, për heqjen e imunitetit të depuitetit. Pak më vonë, në media u qarkullu lajmi se Beqja është propozuar për të drejtuar Agjencinë që menaxhon donacionet e huaja. Kuptohet, rastësia mund të jetë edhe mbreti i botës.

Por le të mos hiqemi si naivë e të pranojmë se në politikë ka vetëm rastësi. Vite më parë, kur në pushtet ishte PD-ja, ish-ministri i Informacionit, Genc Pollo, akuzonte në parlament Taulant Ballën se paguhej për të iniciuar intepelanca. Në fakt, Pollo thuhej se akuzonte ish-ministrin Sokol Olldashi, në rivalitet politik me të.

Kur vjen puna te Lulzim Basha dhe partia e tij, në radhët e demokratëve qarkullon një thashethem gjysmëzyrtar që i ndan daljet e deputetëve në media sipas kriterit: gjobë apo qëndrim politik.

Le të ecim më tej, në protestën kundër tarifës në Rrugën Durrës-Kukës. Ajo nisi vrullshëm dhe përfundoi heshturazi. Nuk munguan akuzat se z. Basha kishte mbyllur një Pazar me Shefqet Kastratin për të mos vijuar më me protestat. Nuk na duhen në fakt shembuj të tillë kur kemi majin e vitit 2017, që konfirmoi se Lulzim Basha nuk e ka për gjë që të marrë kthesat më të mëdha në përputhje strikt me interesin e vet.

Në këtë kuadër, akuza e z. Berisha është vetëm episodi i fundit në radhën e gjatë të dyshimeve se kjo opozitë në të vërtetë luan vetëm për aksionet e veta në ekonominë e vendit, duke përmbushur kështu një rregull të pandryshuar të tranzicionit.

Ka qenë një ministër i njohur I PD-së që sillte si shembull të pazarit edhe privatizimin e ARMO-s, për të cilën ish-opozita socialiste nuk bëzani.

Por ne mund të pyesim edhe në dritën e njoftimit zyrtar se partitë politike kanë fshehur në zgjedhjet e fundit 5 milionë dollarë reklama: sa kushton një vend në listë, një kryetar bashkie, një drejtor drejtorie?

Dhe këta që sot rreshtohen në krah të z. Basha janë pra politikanë të një bindjeje, apo investitorë që mbrojnë investimin e tyre? Akuza e z. Berisha na thotë që kemi të bëjmë me investitorë, pazarxhinj ordinerë dhe asgjë më shumë. Ndaj edhe një frymë e tillë është kaq konveniente kur pretendon se është opozita. Është konveniente për shumicën, por sidomos për të afirmuar se rregulli vazhdon të funksionojë duke bërë pis reciprokisht me shuma të mëdha, të gjithë spketrin. Është konveniente edhe për bizneset që sot marrin me lehtësi, ligjet që duan, konrtratat nga më të paiamgjinueshmet. Cila reform në drejtësi mund ta zhbëjë këtë nyje kaq të mpleksur interesash?

Sigurisht që z. Berisha është një ndër përgjegjësit kryesorë të kësaj që shohim sot, thjesht akuza e tij na vë në dukje faktin se Taulant Balla, apo ai që deri më dje z. Basha e quante Taulant Yaris është në fakt viktima e një incidenti, por edhe ustai i një pazari që na e bëri edhe Lulzin e PD-së, Lulzim Yaris. Kjo është Shqipëria jonë, ky është vendi ynë, një kosh i madh mbeturinash njerëzore që nuk bën gjë tjetër veçse tallet me vete, përqeshet e zhgërryhet sa të mundet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.