Pekini zyrtar shfronëzon Maon: Gaboi me Revolucionin Kulturor

Postuar në 17 Nëntor, 2021 17:28

Partia Komuniste Kineze ka miratuar një "rezolutë historike", që sipas ekspertëve do të çimentojë statusin e Xi Jinping në historinë politike. Dokumenti me 36 mijë karaktere është një përmbledhje e historisë 100-vjeçare të partisë dhe trajton arritjet kryesore dhe drejtimet e saj në të ardhmen.

Ky dokument është i treti i kësaj natyre në historinë e Partisë Komuniste Kineze. I pari u miratua nga Mao Ce Duni në 1945 dhe i dyti nga Deng Xiaoping në 1981.

Në rezolutë, presidenti Jingping nuk i kursen kritikat për Mao Ce Dunin dhe Revolucionin Kulturor Kinez. Edhe pse e cilëson korrekte idenë e Maos për aplikimin e marksizëm-leninizmit në realitetin kinez, Jingping shton se “për fat të keq, linja e miratuar në kongresin e VIII të partisë në vitin 1956 nuk arriti të mbahej në mënyrë rigoroze, duke sjellë gabime”.

Në rezolutë përmendet edhe ai që njihet si Kthimi i Madh Mbrapa, kohë kur në Kinë pati krizë masive ushqimi për shkak të politikave të gabuara ekonomike të Maos. Po ashtu, përmenden edhe protestat në sheshin “Tiananmen” të vitit 1989, kur u vranë qindra studentë pro demokracisë.

"Për shkak të mbështetjes dhe nxitjes nga forcat armiqësore globale antikomuniste dhe antisocialiste, klima globale dhe mikroklima e brendshme shkaktuan trazira serioze politike në Kinë gjatë kapërcyellit të pranverës/verës 1989", thuhet në dokument.

Rezoluta u miratua të enjten në seancën e gjashtë plenare, një nga takimet më të rëndësishme politike të Kinës. Me një rezolutë të tillë, Xi synon ta vendosë veten në të njëjtin pozicion me themeluesin e partisë Mao dhe pasardhësin e tij, Deng Ziaoping.

Në rezolutë, komunistët kinezë i vendosin vetes objektivin për t’u bërë një komb "plotësisht i zhvilluar, i pasur dhe i fuqishëm" deri në vitin 2049.

Analistë të politikës e shohin rezolutën si përpjekjen e fundit të Xi për të kthyer mbrapa decentralizimin e dekadave që filloi nën Deng Ziaoping dhe vazhdoi përmes liderëve të tjerë si Jiang Zemin - një shenjë se Kina mund të kthehet në një të ashtuquajtur kult të personalitetit.

Në vitin 2018, Kina hoqi kufirin me dy mandate të presidencës, çka i jep mundësi presidentit Jingping të qëndrojë në pushtet për gjithë jetën.

Rezolutat pararendëse, të miratuara nga Deng dhe Mao, u përdorën nga këta dy të fundit si një mënyrë për t'u shkëputur nga e kaluara.

Rezoluta e parë, e miratuar në një plenum partiak në vitin 1945, e ndihmoi Maon të konsolidonte udhëheqjen e tij në mënyrë që të kishte autoritet të plotë kur deklaroi krijimin e Republikës Popullore të Kinës në 1949.

Ndërsa pasardhësi i tij, Deng Ziaoping, pasi mori postin e udhëheqësit të komunistëve në 1978, inicioi rezolutën e dytë në 1981, ku kritikoi "gabimet" e Maos gjatë Revolucionit Kulturor nga 1966 deri në 1976 dhe vendosi themelet për reformat ekonomike të Kinës.

Në krahasim me rezolutën e Deng Ziaoping, arkitekti i reformave ekonomike, kjo e vitit 2021, është gjithsesi më e butë në raport me "kultin e personalitetit" të Maos dhe gabimet e tij gjatë Revolucionit Kulturor.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.