Shqipëria vlen diçka, pse Unë Jam!

Postuar në 04 Nëntor, 2021 16:11

Dje, ose pardje, z. Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, tregtoi në media një takim të tijin spontan me aktorin Leonardo di Caprio. I ashtuquajturi takim duket se është një bezdisje e Ramës për hir të një fotoje, në tavolinën ku ishte ulur aktori në samitin për klimën në Glasgow. Kush mund të besojë se njeriu që nuk dëgjon e vlerëson asnjë peticion për Vjosën ku parashikohet të ndërtohen hidrocentrale, po ka merak për klimën me Di Caprio që ka një angazhim publik në këtë drejtim?  Askush. As edhe fotografi/ja që ka shkrepur foton.

Në këtë dalldisje me veten dhe përkujdesje maniakale për të na gënjyer e suprizuar kaq shumë, ky njeri, pra Edi Rama, i provoi të gjitha. Pikturën të cilën e mobilizoi si letër kredenciale imazhi, publicistikën ku shkruan e stërshkruan me të njëjta predikime, me sukses padyshim përmes një stili monoton por që po prek telin nervor të kokës së shqiptarëve, sportin, si vëlla i futbollistëve të kombëtares, si juventin e mandej si dikush me fat që takon e fotografohet me Ibran. Shtetarin që shëtit samiteve me atlete, drejtuesin e OSBE-së që i çuçurit vetes idenë se po zgjidh konfliktin e Ukrainës, makiavelistin që ndan Kosovën në letër dhe oshënarin e prekur nga tërmeti apo që pranon nga Papa t’i mëkojnë fëmijën. Përherë ka një fotografi publike për këto. Asnjëherë private.

Lista vazhdon e gjatë me këtë gagarel të politikës shqiptare, tironsin par excellence të saj, tregtarin e kotësive në një kohë kur këto të fundit janë malli më i shtrenjtë.

Është një shoë i neveritshëm për një popull që ka adoptuar norma sociale dhe kulturore të neveritshme, ku predominon hipokrizia dhe sundon smira. Që bën sikur nuk e kupton se këto lojëra televizive, këto tik-toke vendimmarrëse nuk janë për të. Janë shfaqja e një njeriu që po pretendon të na mbushë mendjen se ne vlejmë diçka pikërisht pse Ai është. Pse atë e begins dynjaja e madhe, të cilës i është qepur si muti pas këpucës. Siç e thotë një shprehje shqip.

Nuk ka korrespondencë mes Shqipërisë sonë, gjendjes së saj, mjerimit social, injorancës së frikshme dhe në rritje, kriminalitetit dhe kriminalizimimit dhe pretendimeve publike për demokraci dhe integrim europian. Nuk ka përputhje morale dhe objektive mes kësaj Shqipërie që kemi dhe spektaklit të një kryeministri që vuan e vuan për t’u dukur, ndoshta në mënyrë groteske, duke besuar se po i shërben edhe vendit me vanitetin e vet të pashtershëm.

Një ditë këto do të jenë arkiva zyrtare e këtij vendi, do na thonë se do jenë pjesë e kujtesës së tij, e historisë madje. Do ta mësojnë fëmijët tanë këtë në shkolla, në mediat e fekalizuara nga paraja dhe dominuar nga katundaria e inteligjencës së instinkteve të mbijetesës, dipllomaxhinjtë me gastrit permanent dijet e faqes 1-15, për të lënë pa kujtuar arkivën e vërtetë. Shqipërinë e përjetshme që është këtu, ka qenë e do të jetë si një vragë, një vurratë në kontinent me mjerimin e vet ta pashërueshëm, një kënetë e heshtur, e sëmundshme, e thellë dhe e qelbur por të cilës kanë qejf t’i përshkruajnë apo përmendin vetëm xixëllonjat.

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Te gjitha postimet qe ka frike nga komentet i ben ne instagram ku i ka bllokuar. Njeri pa karakter.

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Po na zuri tashti, do ta mbajme ne kurriz njelloj si Enver Hoxhen, Sali Berishen, Fatos Nanon. Nuk shpresoj qe ai tjetri qe do te vije pas ketij karadyzenit do te jete me i mire, thuaj ishallah nuk eshte me beterr (nëse ka mundesi sigurisht).

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.