Disa skenare për luftërat klimatike
Lufta për shkak të klimës është një realitet afatshkurtër. Këtë e pranojnë edhe strategët ushtarakë, të cilët theksojnë rëndësinë e veprimit kundër ndryshimeve klimatike. Në dritën e Samitit të G-20, i cili çështjen e klimës e kishte në qendër, pyetja që ngrihet është: Kur mund të nisë kjo luftë e pritshme?
Nuk janë pak ata që pretendojnë se konfliktet e fundit janë nxitur drejtpërdrejt nga efektet e ndryshimeve klimatike. Këshilltarë dhe strategë të tjerë ushtarakë kanë identifikuar luftëra specifike të reja që mund të shpërthejnë në Azi, Afrikë ose Arktik, shkruan Mike Pearl për Daily Beast.
Këshilli Atlantik, një think-tank amerikan, sugjeroi në mars se ndërsa Rusia dhe Kina kërkojnë rrugë të reja detare përmes ujërave që kanë qenë të ngrira më parë, të pakalueshme rreth Groenlandës, Islandës dhe Rrethit Arktik, mund të ketë një epokë të re të konkurrencës së fuqive të mëdha në rajon. Britania dhe SHBA-ja i janë përgjigjur një rritjeje të madhe të aktivitetit rus dhe kinez në zonë me një prani të shtuar ushtarake dhe detare. Një aeroplanmbajtëse amerikane ka hyrë së fundmi në Rrethin Arktik për herë të parë që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
Matthew Rendall, pedagog në Universitetin e Nottingham-it, kërkimi i të cilit fokusohet në ndryshimet klimatike dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, argumenton se ka më shumë gjasa që vendet më pak të qëndrueshme dhe më të prirura ndaj fatkeqësive si Siria ose Somalia të bëhen fushë-beteja klimatike. “Ato tashmë janë vende të nxehta. Shumica e tyre janë edhe shumë më të varfra. Si rezultat, popujt e tyre kanë më shumë gjasa të vuajnë mungesa akute të burimeve, migrim masiv të refugjatëve dhe paqëndrueshmëri politike”.
Rendall i shton kësaj faktin që Kina dhe Rusia posedojnë armë bërthamore.
“Ato mund të përplasen për Arktikun, por nuk ka gjasa të nisin Luftën e Tretë Botërore – kjo do të ishte shumë e kushtueshme.”
Kompania e analizës së riskut global, Global Risk Insights, në një artikull të fundit thotë se ka arsye të mendohet se dhuna në Somali është e lidhur me ndryshimin e klimës. Miliona somalezë kanë filluar të përballen me pasigurinë e ushqimit pas "periudhave thuajse të vazhdueshme të thatësisë që nga thatësira e Afrikës Lindore të vitit 2011".
Ndërsa studimet e konflikteve të kaluara nuk i kanë lidhur përfundimisht këto efekte me praninë e shtuar të grupit xhihadist al-Shabaab, artikulli argumenton se "xhihadistët përfitojnë nga humbja e jetesës dhe pasiguria ushqimore e shkaktuar nga klima" dhe ndërsa kjo e fundit përkeqësohet, ata mund të përdorin mjete si ushqimi dhe mbrojtja për të rekrutuar të pambrojturit. ”
Pentagoni po bën vëzhgime të tilla, por pa përmendur drejtpërdrejt emrat e luftëtarëve të mundshëm. “Me ndryshimet klimatike”, sipas planit të Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së, i cili u botua fillimisht në shtator dhe më pas u publikua në fillim të këtij muaji, “mund të ketë ndryshime proporcionale në politikën lokale dhe rajonale për të zbutur mungesën e ushqimit dhe ujit. Këto rregullime politike mund të rezultojnë në rritje të sulmeve terroriste fizike dhe kibernetike nga palë të treta të panjohura.”
Plani i ri i Pentagonit për Përshtatjen Klimatike është ilustruar me një foto të dy ushtarëve që qëndrojnë në shkretëtirën Mojave të Kalifornisë, nën një diell të fortë që duket në horizont.
Fotoja në mënyrë të pamohueshme të rikthen te retë-kërpudhë që fotografët ushtarakë amerikanë kapën në shkretëtirën jugperëndimore rreth 75 vjet më parë. Energjia e dobishme e diellit – me intensitet gjithnjë e më të shtuar - është tani në ballë të strategjive të Pentagonit, njësoj siç ishte energjia atomike ajo që gjallëroi militarizmin amerikan gjatë epokës që lamë pas.
Në vitin 2015, një ekip hulumtues i udhëhequr nga Colin P. Kelley, studiues në Universitetin e Kolumbias, arriti në konkluzionin se lufta civile tashmë dhjetëvjeçare në Siri është përkeqësuar nga valët e të nxehtit dhe thatësira të lidhura me ndryshimet klimatike dhe luftimet pasuese mbi burimet, të cilat nxitën trazirat e shtypura brutalisht nga Presidenti Bashar al-Assad.
Strategjitë ushtarake që krijohen për t'u përballur me këto çështje të reja përqendrohen në përshtatjen ndaj sfidave të reja, megjithatë pa u shoqëruar kjo me reduktim masiv të emetimeve të karbonit. Plani i Pentagonit për ndryshimin e klimës flet për reduktimin e emetimeve të gazeve serrë, por "zbutja" është e treta në listën e termave udhëzues të planit, pas "përshtatjes" dhe "rezistencës".
Departamenti i Mbrojtjes konsumon deri në 80 për qind të energjisë së qeverisë federale të SHBA-së, sipas një raporti të vitit 2019 nga Instituti Watson për Çështjet Ndërkombëtare dhe Publike në Universitetin Brown. I njëjti raport vë në dukje gjithashtu se emetimet e gazit serrë të ushtrisë amerikane në vitin 2017 - rreth 59 milionë tonë metrikë – i tejkalojnë ato të të gjithë Suedisë.
Add new comment