Arti i brishtë i pastrimit para vdekjes
Pastrimi i vdekjes quhet në Suedi dhe vitet e fundit është kthyer në njëfarë kulti. Ka të bëjë me seleksionimin dhe reduktimin e sendeve personale para se të largohesh nga kjo botë. Një qasje pragmatiste për europianoveriorët dhe ndoshta e vështirë për t’u pranuar për një pjesë tjetër të banorëve të kontinentit të vjetër, kjo praktikë mori emër nga një bestseller i vitit 2017. “Arti delikat i pastrimit të vdekjes suedeze: Si të çlironi veten dhe familjen tuaj nga një jetë rrëmujë" është libri i Margareta Magnusson, ku u përmend për herë të parë. Dostadning është termi që suedishtja përdor për të përshkruar këtë proces.
Në apartamentin e saj elegant në qendër të Stokholmit, 84-vjeçarja Lena Sundgren ka përpara raftin e mbushur me libra. Duke psherëtirë thellë, ajo ngre një grumbull librash kopshtarie dhe i zhvendos në njërën anë. "T’i heq qafe është një lehtësim," pranon ajo. “Ky pastrim i vdekjes, të cilin e bëj disa herë në javë, sikur më qetëson”.
"Mendoj se ju duhet të kujdesesh për gjërat tua në mënyrë që askush tjetër të mos duhet ta bëjë të gjithë këtë punë për ty me gjithë katrahurat që ke lënë pas", thotë për AFP autorja e librit.
Pastrimi i vdekjes ndryshon nga qasja ndaj një shtëpie të rregullt, që zakonisht lidhet me Marie Kondo, një personazh i famshëm japonez që fitoi famë globale duke promovuar idenë se njerëzit duhet të mbajnë vetëm ato sende që u sjellin gëzim.
Në kulturën suedeze, pastrimi i vdekjes ka për qëllim të lehtësojë familjet nga barra e klasifikimit të pasurisë pas vdekjes së një njeriu të dashur.
'Nuk mund të jetosh përgjithmonë!'
Vajza e Magnusson, Jane, vlerëson përpjekjet e nënës së saj.
"Unë mendoj se shumica e njerëzve që kanë prindër të moshuar dhe një jetë të ngarkuar do të donin të kishin vërdallë më pak nga gjërat e prindërve të tyre kur ata të mos jenë më," thotë ajo.
"Unë i jam mirënjohëse nënës për punën e madhe që ajo ka bërë... dhe jam e lumtur që kjo po përhapet në mbarë botën."
Libri i Magnusson ka hyrë në listën e bestsellerëve të "New York Times" dhe është përkthyer në dhjetëra gjuhë.
Një blogere amerikane e cila postoi një video në lidhje me përvojën e saj me pastrimin e vdekjes ka grumbulluar tre milionë shikime në internet.
Ndërsa Magnusson shpiku termin, suedezët këtë praktikë e kanë ndjekur me shekuj.
“Dyzet vjet më parë, një fqinje ime shumë e vjetër më tha se do të bënte pastrimin e vdekjes”, kujton Kristina Adolphson, një ish-aktore 84-vjeçare që tani po e bën vetë.
"Kur e bën këtë pastrim... duhet të kuptosh se nuk mund të jetosh përgjithmonë!"
Qasja pragmatike e suedezëve ndaj vdekjes ndihmon në shpjegimin e fenomenit, thotë Magnusson, duke sugjeruar që kulturat e tjera preferojnë ta shmangin këtë temë.
"Ata kanë frikë nga vdekja, siç kemi frikë edhe ne suedezët. Por ne flasim për këtë."
Vetëm disa veshje bazë varen në dollapin e saj, por disa figurina kafshësh dhe objekte të tjera janë ende në dhomën e ndenjes.
"Unë e kam bërë disa herë këtë lloj pastrimi, por kam ende shumë gjëra. Kështu që nuk mbaron kurrë."
Add new comment