BE-ja vendos kordon sanitar me Ballkanin

Postuar në 06 Tetor, 2021 23:56

Samiti BE-Ballkani Perëndimor zhvilluar së fundmi në Slloveni ka rezultuar një takim ku është afirmuar koma e Europës që nuk pranon transfuzion me gjakun jokompatibël të rajonit tonë. Në dokumentin e publikuar pas samitit, fjala vend kandidat është hequr nga teksti për t’u zëvendësuar me fjalën Partner. Është në thelb miratim i asaj që mund ta quajmë strategjia e Macron për zëvendësimin e Zgjerimit me Partneritetin Strategjik. Samiti vjen ndërkohë që po kjo Francë merr presidencën e BE-së në janar duke sinjalizuar kështu se axhenda e Parisit do të prevalojë mbi çdo manovër rajonale në Ballkanin Perëndimor.

Rajon që ndoshta me ikjen e kancelares gjermane Merkel ka humbur një dëgjues të vëmendshëm në Europë.

Përtej këtij kuadri të përgjithshëm që është pasojë e strategjive të improvizuara europiane duhet parë si e menaxhon situatën vendi ynë. Nëse hedhim në sy fjalës së kryeministrit Rama në samit ne do të vëmë re mëtimet dhe regëtimat e reflekseve të një publicist që gjykon Europën, bën avokati të rajonit dhe në finale ka veëm një tezë gati politike: Z. Rama ka kërkuar publikisht që Europa të mbështesë Plotësisht nismën e Ballkanit të Hapur.

BE-ja duhet ta mbështesë plotësisht Ballkanin e Hapur, që është një nismë e dakordësuar mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, për të mos lejuar që procesi vizionar i Berlinit të katandiset në hijen e vetvetes, e të kthehet në një tur samitesh të përvitshme nëpër Europë, të cilat përsërisin vetveten, njësoj siç përsërit ky samit atë të 18 viteve më parë, pa sjellë rezutate të reja të prekshme për njerëzit tanë. Ballkani i Hapur është një përpjekje inkluzive krejt gjenuine, për të realizuar në këtë jetë 4 liritë e BE-së në rajonin tonë, pa pritur për një jetë tjetër që të kemi integrimin e rajonit si një hapësirë lirie të plotë të lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve e kapitaleve.

Nisma e Ballkanit të Hapur është e frymëzuar nga Procesi i Berlinit. Të dyja s’ka pse i kundërvendos askush me njëra-tjetrën përmes qasjesh patronaliste apo deklarimesh konfuze. Ballkani i Hapur reflekton një nivel të ri pjekurie, që vendet e kanë fituar përmes Procesit të Berlinit dhe një vullnet për ta marrë në dorë të ardhmen e përbashkët, pa pritur “takimet me prindër”, si edhe duke shmangur frenimin prej një vetoje këtu e të një vetoje atje, nga një vend a një tjetër, që në të drejtën e vet mund të mos e dëshirojë të njëjtën shpejtësi integrimi rajonal

është shprehur z. Rama.

Kjo është një thirrje vetëpërgënjeshtruese përderisa deri më sot kryeministri ka deklaruar përherë se BE-ja e mbështete nismën. E cila mesa duket kundërshtohet nga Unioni për shkak se nuk është gjithëpërfshirëse dhe ushqen fragmentarizimin e Ballkanit Perëndimor. Paradoksi këtu është se ndërsa vende si Shqipëria ankohen për vonesa nga BE dhe politika ndarëse në rajon, vetë Open Balkans kontestohet nga Europa po për këto arsye, por nga vende anëtare.

Në këtë kuptim kërkesa e z. Rama zhbën edhe krekosjen me natyrë sovraniste që ai bëri në Novi Sad e më vonë në takimet e Shkupit kur tha se “ne nuk do presim Europën”. Është e qartë tashmë se njësoj si në kohën e Luftës së Ftohtë, nuk ka asnjë nismë rajona gjenuine që të funksionojë pa bekimin e Fuqive të Mëdha. Kjo e redukton në aventurizëm nismën mes Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, përderisa ndonëse do të pranonim se udhëhiqet nga premisa të shëndosha, ajo injoron këtë koniunkturë ndërkombëtare që është përcaktuese. Do të ishte krejt tjetër rasti me shtete në krye të të cilave janë njerëz që marrin realisht vendime autonome, por Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë shtete me demokraci në inkubim. Serbia po ashtu ka orientim gjeopolitik të posaçëm në Ballkan, çka edhe në sensin e parimeve të integrimit prodhon probleme jo të vogla.

Këtu nuk është puna të pyesësh se çfarë mund të bënte z. Rama apo Shqipëria në Slloveni sepse këto janë vendime që nuk varen prej nesh. Por këtu çështja është se Ballkani edhe me nisma si këto nuk kushtëzon do gjë, as përmirëson dot pozitën negociuese, ndërkohë që integrimi mbetet përherë e më tepër një proces ndaj të cilit Europa po tëhuajëzohet. Një kufi i qartë po krijohet brenda vetë Europës dhe në konturet e saj dhe ky është kufiri i zhvillimit i cili në fund të fundit, me bllokimin e zgjerimit, apo me masa kufizuese po riaktualizon politikat e kordoneve sanitare që u panë gjatë shekullit të 20-të por kësaj here me masa administrative.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.