Kriza pozitive mes Prishtinës dhe Serbisë
Kriza e re, artificiale mes Kosovës dhe Serbisë, ka riaktivizuar teatrin e njohur të krekosjes me armë dhe luftë nga individë që për të përdorur një shprehje figurative “janë farë e përhapur në rajonin tonë”. Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, ka dalë në televizionin serb, PRVA për të deklaruar se Prishtina po nis luftën.
Duhen dy për paqen dhe për të nisur luftën mjafon një budalla dhe kam frikë se kemi një budalla në anën tjetër, ai është në Prishtinë, të cilit i përkon emri Kurti
ka thënë Vulin.
Sipas tij në Prishtinë drejtojnë frikacakët dhe prej tyre mund të presësh çdo gjë, ndërkohë që Serbia vetë po kapitalizon çdo dispozitë të mundshme për të rikrijuar pa ndalim pozita negociuese aty ku në fakt kërkohet mirëkuptim dhe pranim i realitetit. Ka mjaft zëra në Serbi që e quajnë Kosovën fakt politik të pamohueshëm dhe këmbëngulja me politikën e injorimit në fakt nuk sjell asgjë.
Beogradi duket se po luan me dy porta në një lojë që është stërvitur tashmë. P.sh Vulin ka deklaruar se firmat dhe qëndrimet e BE-së nuk kanë më vlerë, pasi vetë unioni nuk ka autoritet, pasi sipas tij është e pashpjegueshme sesi Kurti shkel detyrimet ndaj BE-së. Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm serb, Nikola Selakoviç ka deklaruar nga New York se Serbia është e gatshme për dialog, por ka kritikuar qëndrimin e ndërkombëtarëve që kanë ftuar të dyja vendet për dialog, rreth një situate që sipas tij është provokuar nga Prishtina.
Është e udhës të shihet në këto zhvillime edhe një aspekt tjetër: roli i Shqipërisë. Një vend që nën drejtimin e Edi Ramës shfaqet si promotore e paqes në rajon, si farkëtuese e miqësisë me Serbinë, nismëtare e Open Balkans, me një protagonizëm që nuk sjell kurrfarë autoriteti përderisa në klimën e tanishme nuk ka bërë asgjë veç deklarimeve neutrale në ton, por pro Kosovës në përmbajtje. Është rasti tipik kur diplomacia apo politika e jashtme e parë si teatër, zhvlerësohet sa hap e mbyll sytë nën peshën e zhvillimeve që kërkojnë tjetërkënd për t’u ricikluar në axhendë dialogu.
Add new comment