Tërheqja nga Afganistani mund të bëhet një problem më i madh për Evropën sesa për SHBA-të
Shtetet e Bashkuara u larguan nga Afganistani të martën kokulur dhe me vetëm një pjesë të objektivave të arritura, pas 20 vitesh luftë. Për aleatët evropianë të Amerikës, poshtërimi mund të jetë thjesht në fillimet e tij.
E lidhur me Afganistanin në rrugë tokësore, ndryshe nga SHBA-të, për Evropën kthimi i talebanëve paraqet kërcënime më konkrete. Ato përfshijnë jo vetëm terrorizmin, por edhe migrimin masiv dhe tregtinë e heroinës. Pa pasur prani në terren, qeveritë evropiane tani do të kenë një numër të kufizuar mjetesh me të cilat të ndikojnë te grupi militant.
Në përgjigje të këtyre shqetësimeve, draft-konkluzionet e përgatitura për një takim të së martës mes ministrave të Brendshëm evropianë, (të cilave u referohet Bloomberg) i bëjnë thirrje bllokut prej 27 vendesh që të përdorin të gjitha mjetet për të ndihmuar vendet më pranë Afganistanit që t'u sigurojnë refugjatëve një "jetesë të qëndrueshme" dhe "parandalimin e migrimit ilegal" nga rajoni, të përforcojnë kapacitetin e menaxhimit të kufirit dhe të parandalojnë kontrabandën e emigrantëve dhe trafikimin e qenieve njerëzore. "
Aktualisht janë gati 2.5 milionë refugjatë afganë të regjistruar në vendet e botës, të dytët pas sirianëve, sipas UNHCR, agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët.
Spektakli i varësisë evropiane dhe britanike nga SHBA-të ndërsa këto të fundit u tërhoqën me shpejtësi nga Afganistani "ekspozon boshllëqet e mëdha në infrastrukturën evropiane të sigurisë dhe infrastrukturën britanike për menaxhimin e krizave në mënyrë të pavarur", thotë Karin von Hippel, drejtore e përgjithshme e Instituti Royal United Services Services, qendër kërkimore për mbrojtjen në Londër dhe ish-zyrtare e Departamentit të Shtetit në SHBA.
Megjithëse i vetëdijshëm për nevojën për të investuar në mënyrë më efektive në mbrojtje dhe për të ndërtuar një qasje më strategjike në politikën e jashtme, kapaciteti i Bashkimit Evropian për të mbrojtur vetëm interesat e tij ka rënë, si pas Brexit, ashtu edhe pandemisë Covid-19, thotë Von Hippel.
Edhe pas katër vitesh me Trump, nuk mendoj se ata e planifikuan seriozisht një Plan B.
Zonë e sigurtë
Dobësia e Evropës doli në pah plotësisht pas thirrjes së presidentit francez, Emmanuel Macron, të dielën për krijimin e një zone të sigurt të kontrolluar nga Kombet e Bashkuara në Kabul. Zona duhej të ndihmonte afganët që kishin viza të largoheshin në mënyrë të sigurt dhe të rregullt. Ideja e tij u hodh poshtë brenda një dite.
Ndërsa talebanët refuzuan menjëherë planin e Macron për një zonë të sigurt, edhe në rang ndërkombëtar ky i fundit nuk gjeti shumë mbështetje. Përpjekje të tilla gjithsesi kanë rezultate të njohura, përfshirë këtu masakrën e vitit 1995 të më shumë se 8 000 burrave dhe djemve boshnjakë në zonën e sigurt të mbrojtur ndërkombëtarisht në Srebrenicë, në Bosnjë, dhe sulmin e vitit 1983 mbi kazermat e paqeruajtësve në Liban, ku u vranë pothuajse 300 trupa amerikane dhe franceze.
Aeroporti Ndërkombëtar “Hamid Karzai” do të ishte pothuajse e pamundur të mbrohej nga sulmet sepse është i madh, i vendosur në periferi dhe vetëm 7 kilometra (4.3 milje) nga pallati presidencial në qendër të qytetit, sipas Francois Heisbourg, ish-diplomat dhe këshilltar i sigurisë për qeverinë franceze.
"Ju e dini se si nisin këto gjëra dhe gjithashtu, për fat të keq, si kanë prirjen të përfundojnë", thotë Heisbourg, tani këshilltar special i Fondacionit për Kërkime Strategjike me bazë në Paris.
Rezoluta e përbashkët e SHBA-së, Francës dhe Britanisë së Madhe, të hënën në Këshillin e Sigurimit të OKB -së, nuk përmendi një zonë të sigurt, në vend që t'u bënte thirrje luftëtarëve talebanë, të cilët ushtritë perëndimorë i kanë bombarduar për dy dekada, për të siguruar aeroportin civil të Kabulit, në respektim të angazhimeve të tyre për lejimin e udhëtimeve dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
Rezoluta e OKB-së theksoi zërin në rritje që fuqitë e tjera rajonale do të kenë në Afganistan, tani që trupat amerikane dhe trupat e tjera perëndimore janë larguar, si dhe rritjen e varësisë së Evropës prej tyre. Votimi në Këshillin e Sigurimit të hënën ishte vetëm shenja e parë konkrete se si do të funksionojë, sipas Heisbourg.
Pavarësisht përpjekjeve franceze në prapaskenë, Kina dhe Rusia abstenuan në votim, edhe për rezolutën e zbutur. Kjo e lejoi atë të kalonte, por Kina e kishte bërë të qartë në publik skepticizmin e saj për vendosjen e zonave të sigurta. “Kam konstatuar se ka raporte që thonë se talebanët afganë e kanë refuzuar një propozim të tillë", u tha gazetarëve zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Wang Wenbin, në konferencën e zakonshme, të hënën.
Paralajmërimet nga Evropa mbi rrezikun e refugjatëve do të vijnë duke u rritur, krahas mosmarrëveshjeve mes anëtarëve të BE-së mbi atë se sa refugjatë do të marrin dhe ku t'i vendosin ata.
Numri i të larguarve tani për tani është relativisht nën kontroll, dhe ka simpati për ata që punuan përkrah forcave aleate. Të evakuuarit janë pritur kryesisht mirë në Britani të Madhe dhe gjetkë. Sidoqoftë, situata në Afganistan mund të shkaktojë një krizë humanitare të "përmasave biblike", tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, për radion spanjolle Onda Cero.
Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn, ndërkohë kritikoi Austrinë dhe Slloveninë, duke i akuzuar për refuzimin e vlerave evropiane me kundërshtimin e tyre për të pranuar ata që po ikin nga talebanët.
Shqetësimet e Evropës mbi emigracionin janë të nxitura nga frika se rritja e paqëndrueshmërisë në Afganistan mund të përsërisë vitin 2015, kur më shumë se 1 milion refugjatë kryesisht sirianë u derdhën në Evropë brenda disa muajsh, duke fuqizuar partitë anti-emigrante dhe duke ekspozuar ndarje të thella brenda vendeve të Bllokut lidhur me mënyrën se di duhej ta menaxhonin situatën.
Në atë kohë, kancelarja gjermane, Angela Merkel, negocioi një marrëveshje me Turqinë, e cila u zotua të ndalë fluksin e refugjatëve në këmbim të 3 miliardë eurove (3.6 miliardë dollarë). Marrëveshja ishte e diskutueshme, për shkak të treguesve të dobët të qeverisë turke për respektimin e të drejtave të njeriut - një problem që do të zmadhohej në çdo bisedim me talebanët radikalë islamikë.
Dhe Evropa ka në dispozicion pak mjete të tjera. Kur Komisionerja Evropiane për Punët e Brendshme, Ylva Johansson, i bëri thirrje BE-së të "ndërhyjë" në Afganistan për të parandaluar një valë të re refugjatësh që kërkojnë jetë të re në Evropë, ajo gjeti rastin të theksonte se ndërhyrja do të thoshte para.
Talebanët tashmë kanë kërkuar ndihmë ndërkombëtare për të subvencionuar të ardhurat bujqësore, në mënyrë që të kompensohen fermerët për zëvendësimin e kulturave të lulëkuqes, që vlerësohet se furnizojnë më shumë se 90% të heroinës së shitur në Evropë.
Shkrimi është botuar në Bloomberg.com
Përktheu: Gazmira Sokoli
Add new comment