Afganët një vit në Shqipëri? Kjo varet nga programi amerikan i vizave
Afganët erdhën dhe kryeministri Edi Rama po bën sërish atë që di më mirë: po mburret. Ku të mundë dhe sa të mundë. Po mburr veten duke vënë para Shqipërinë dhe ne, që në fakt i identifikon si plaçkë të vetën. Ne jemi mikpritës, ne dimë të jemi miq, të besës, shtëpia jonë është e atyre që do Edi Rama, se edhe Europa duhet të ketë turp etj.
Është karnevali i zakonshëm i një vendi që rishpik histori virtytesh dhe fsheh historinë e vet. Për më tepër e bën këtë në një kohë kur informacioni e përkufizon atë. Konkretisht për çështjen e afganëve njoftohet se ShBA dhe aleatët e vetë kanë evakuuar tanimë 100 000 njerëz nga Kabuli që janë shpërndarë në vende të ndryshme të Lindjes së Mesme dhe Europës.
14 500 kanë zbritur në bazën Ramstein në Gjermani, nga të cilët 3 500 kanë udhëtuar drejt ShBA. Afganët, stafi mbështetës nuk e ka patur këtë privilegj megjithatë, pasi ata për momentin do të qëndrojnë në bazën ushtarake të Kaiserslautern.
Ai që duket si problem humanitar në fakt është problem politik i brendshëm i ShBA që po e transferon atë në vende të tjera. P.sh vendet që pop resin afganët tani janë: Shqipëria, Kanadaja, Kosta Rika, Kili, Kosova, Maqedonia e Veriut, Meksika, Polonia, Katari, Ruanda, Ukraina, Uganda dhe Kolumbia.
Pse po mburret vetëm Shqipëria atëherë?
Përtej këtij aspekti klinik të shtetit tonë të rremë situata është më keq sa dukej në raportet mes ShBA dhe atyre që i quan partnerë, mes tyre edhe Ne. Deutsche Welle shkruan se problemi i evakuiimit të afganëve që kanë qenë staf mbështetës për aleatët në Afganistan ka të bëjë me burokracinë amerikane dhe këtu administrata Biden nuk duket se ka hjë në dorë edhe aq shumë, por edhe nuk do të veprojë. Për afganët që po qëndrojnë në këto vende, i talentuari për të lëshuar thagma lart e poshtë, sekretari i Shtetit, Anthony Blinken ka deklaruar se ata do t’i nënshtrohen një ekzaminimi të kujdesshëm dhe përmbi të gjitha:
Do të verifikohen nëse janë të përshtatshëm për të marrë vizë
Kjo lidhet me të ashtuquajturin programin Special Immigrant Visa – SIV – miratuar për punonjësit afganë që nga viti 2009.
Programi u miratua për të lehtësuar përfitimin prej tyre të rezidencës së përhershme në ShBA dhe që atëherë e kanë fituar këtë të drejtë rreth 76,000 afganë. Në qershor kriteret u lehtësuan edhe më tej.
Por nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë. DW citon një ekspert të emigracionit nga Cato Institute, Alex Nowrasteh, sipas të cilit pavarësisht se kush ka të drejtë për vizë nga programi, shumë pak do ta fitojnë atë.
Është kaq e vështirë, kaq e kushtueshme dhe kërkon të provosh se ke punuar për ushtrinë amerikane për një periudhë kohe. Dhe është tronditëse por ushtria e ShBA nuk ka mbajtur të dhëna të sakta për këtë gjë
shprehet ai.
Mungojnë edhe kontrata pune, apo urdhërpagesat, ndërkohë që vetë administrata Biden nuk do të nisë hapjen e dyerve sepse i druhet rritjes së ndjesive anti-imigracion. E thënë shkurt, ShBA po vepron siç di dhe për aq sa di: e provuam, eci keq. Ju nxorëm jashtë, ju shpëtuam jetën, tani jeta vazhdon. Shihni punën!
Pra na u tha se afganët do rrinë një vit në Shqipëri? Kjo mbetet për t’u parë bashkë me mburravecin 60 vjeçar që qeveris.
Add new comment