Kalimi bjellorus i emigrantëve, NATO e cilëson kërcënim hibrid
Kriza e refugjatëve në kufijtë e Bjellorusisë me vendet baltike dhe Poloninë po gjenerohet nga Minksu. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një intervistë për polaken “Rzeczpospolita”, thotë se do të dëgojë në Lituani një grup eskpertësh për të vlerësuar situatën.
"Ajo që shohim në kufi dhe mënyra se si qeveria bjelloruse po i përdor emigrantët si instrument i një sulmi hibrid është shumë shqetësuese dhe ne si NATO po e trajtojmë me kujdes këtë situatë. Ne kemi vendosur të dërgojmë një ekip ekspertësh të NATO-s në kufirin bjelloruso-lituanez, që të ndihmojë Lituaninë të luftojë kërcënimet hibride si edhe të bëjë vlerësimin e situatës në vend", tha Stoltenberg.
Ndërkohë, Lituania dhe Polonia kanë nisur zbatimin e planit për ngritjen e një gardhi 2.5 metra të lartë në kufirin me Bjellorusinë. Kjo do të shërbejë si pengesë për kalimet ilegale të refugjatëve, kryesisht nga Afganistani dhe Iraku, që kërkojnë azil në Poloni. Ideja e hedhur fillimisht nga qeveria e kryeministrit Mateusz Moraëiecki pason atë të homologut të tij hungarez, Viktor Orban, në mes të krizës së refugjatëve, për t’i penguar këta të fundit të hynin në vendin e tij nga Serbia.
Refugjatët mbërrijnë ligjërisht në Bjellorusi me një vizë turistike dhe më pas përpiqen të kalojnë në Poloni, ku kërkojnë azil. Por që nga maji, Bjellorusia refuzon të pranojë refugjatët e kthyer për mosplotësim të kushteve të azilit, duke shkelur kështu marrëveshje ndërkombëtare që i ka firmosur vetë.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg lëshoi të mërkurën një masë të përkohshme që urdhëron Poloninë dhe Letoninë, ku një grup prej 41 kurdësh irakianë po qëndrojnë në kufirin me Bjellorusinë, t’u dërgojë urgjentisht ushqim, ujë dhe rroba dhe t'u sigurojë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Masa e përkohshme, e cila është e vlefshme deri më 15 shtator, i detyron Letoninë dhe Poloninë të shqyrtojnë kërkesat e tyre për azil, por nuk i detyron t’i pranojnë.
Kryeministri polak, Mateusz Moraëiecki, e ka akuzuar disa herë presidentin bjellorus Aleksandër Lukashenko ditët e fundit se po përpiqet të destabilizojë vendet fqinje dhe të hapë një rrugë të re refugjatësh në shenjë hakmarrje ndaj sanksioneve të BE-së, në mënyrë që dhjetëra mijëra refugjatë nga Afganistani dhe Azia të dynden në Poloni dhe shtetet baltike.
Add new comment