30 vjet më pas, bebja në cover e albumit "Nevermind" padit grupin "Nirvana"
Ka mënyra e mënyra për të bërë para. Një ndër më pa kosto është procedimi gjyqësor për shkelje të supozuara të drejtash. Konkretisht, një 30 vjeçar i quajtur Spencer Elden ka vendosur të padisë grupin e njohur të rokut, “Nirvana” për përdorimin e paautorizuar të imazhit të tij si kopertinë e albumit “Nevermind”. Asokohe, Elden ishte vetëm 4 muajsh dhe ai paraqitet në ujë, i zhveshur duke qëndruar para një kartëmonedhe të lidhur me fillo peshikimi. Pretendimi i tij sot është se grupi nuk kishte marrë leje apo autorizim nga prindërit e tij për imazhin e përdorur dhe se paraqitja e tij pa rroba përbën akt të pornografisë me fëmijë.
Imazhet ekspozojnë pjesë intime të trupit të Spencer dhe shfaqin në mënyrë erotike gjenitalet e Spencer nga koha që ishte foshnje deri më sot
thuhet në padi.
Ligji amerikan nuk e konsideron pornografi përdorimin e fotove të paseksualizuara të fëmijëve. Mirëpo për këtë çështje, avokati Robert Y. Lewis ka këtë argument:
Përfshirja e kartëmonedhës(që u vendos pasi ishte shkrepur fotografia), e bën fëmijën të duket si punëtor seksi
Ndërkohë që një tjetër pretendim është se “Nirvana” premtoi të mbulonte gjenitalet e Elden, por nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Identiteti i vërtetë dhe emri ligjor janë të lidhura përjetësisht me shfrytëzimin komercial seksual që Elden ka përjetuar si foshnje që është përhapur në mbarë botën…Kam vuajtur dhe vazhdoj të vuaj një dëm të përjetshëm si rezultat i një vepre arti përfshirë stresin permanent ekstrem emocional
shprehet paditësi në padinë e tij.
Dëmi i kërkuar shkon në të paktën 150 000 dollarë për secilin prej 15 të paditurve përfshirë anëtarët e grupit apo trashëgimtarë të tyre, menaxherë dhe fotografin. Gjashtë vjet më parë, Eleden kishte tjetër mendim, pasi u shpreh për “The Guardian” se fotoja i kishte hapur dyert në mjediset e artit.
Add new comment