Ndahet nga jeta bateristi i Rolling Stones
Bateristi i Rolling Stones, Charlie Watts, është ndarë nga jeta në moshën 80-vjeçare. Lajmin e konfirmoi publicisti i tij në Londër, Bernard Doherty. Watts ndërroi jetë në një spital në Londër herët, i rrethuar nga familja e tij, citohet ai nga The Guardian.
Një nga bateristët më të mëdhenj të brezit të tij, Watts ka qenë pjesë e grupit legjendar për mëse 60 vjet. I lindur në 1941, Watts u rrit në Wembley, Londrën veriperëndimore, dhe më vonë në periferi të Kingsbury. Dashuria e tij e parë muzikore ishte xhazi amerikan. Ai ndoqi shkollën e artit dhe u bë një dizajnues grafik pas diplomimit, ndërsa paralel luante me bandat muzikore lokale. Në vitin 1962 ai u bashkua me Blues Incorporated, një grup britanik i udhëhequr nga Alexis Korner dhe luajtën së bashku me basistin e Cream, Jack Bruce. Përmes Korner ai u takua me Brian Jones, i cili luante në koncertet Blues Incorporated, dhe më pas me Mick Jagger dhe Keith Richards.
Jagger dhe Richards shumë shpejt formuan grupin e tyre, Rolling Stones, dhe Watts u bashkua me ta në 1963.
Krahas Rolling Stones, Watts gjithashtu luajti xhaz me një seri grupesh gjatë viteve, përfshirë Rocket 88, dhe u ribashkua me Korner dhe Bruce në fund të viteve 1970 për të luajtur boogie-woogie.
Ndryshe nga historitë e panumërta të shokëve të tij të grupit në Rolling Stones, Ëatts ishte i qëndrueshëm në jetën e tij personale: ai u martua me gruan e tij Shirley Ann Shepherd në 1964, dhe qëndruan së bashku deri në vdekjen e tij. Ai ka lënë një vajzë: Seraphina.
Në 2004, ai u diagnostikua me kancer në fyt, por u shërua pas një kure radioterapie.
Hera e fundit që Watts performoi me grupin ishte Living in a Ghost Town, një single i vitit 2020.
Add new comment