Një Belul-iadë në Foreign Policy

Postuar në 04 Gusht, 2021 01:13
Skerdilajd Zaimi

 

Revista e njohur “Foreign Policy” publikonte dy ditë më parë një profil për Edi Ramën. Kryeministrin e Shqipërisë. Autorë: Una Hajdari dhe Aleksandar Brezar. Nëse lexon këtë shkrim, si shqiptar nuk mund të mos të bësh humor me vete duke e parë atë si një biçim jetëshkrimi politik nga z. Vurko i Çajupit.

Është një ndër ato dorë(sh)kruajtje klishe që nisin me veshjet provokuese të z. Rama – ky vazhdon të provokojë padyshim – shprehje e lirisë së tij, te prapakthimi në kohë si piktor, mandej pedagog, ministër Kulture, kryetar Bashkie, fasadaxhi i suksesshëm, e në fund kryeministër që po jep e po merr me Europën që nuk kupton as atë, as Shqipërinë.

Shkrimi ujdiset sa për të thënë me disa komente patetike të z. Rama, që i kemi dëgjuar e stërdëgjuar si p.sh: Gjëja më e bukur e këtij vendi është se nuk është kurrë i mërzitshëm, dhe shpresoj se nuk do të jetë. Ose: Feja e shqiptarëve është Europianizmi!

Ne e dimë se në një vend si ky yni, ku ecën vetëm eksponati, fraza që tingëllojnë sikur kushedi çfarë thonë, ndërtojnë imazh. Z. Rama luan me frazën, por jo si Mao Tse Dung, që e kishte parrullën pjesë themelore të strategjisë së përpunimit. Ai luan si kronikan i oborrit që e regjistron vëzhgimin në përputhje me atë që duhet dhe i konvenon interesit.

Përndryshe çfarë kuptimi mund të kenë këto fraza bajate? Shqipëria, për këdo që ka udhëtuar qoftë edhe njëherë të vetme jashtë saj, është – ose është bërë së paku nën drejtimin e socialistëve – vendi më i mërzitshëm, më i dëshpëruar. Një vend ku asgjë nuk funksionon normalisht.

Sa për atë idilin e z. Rama me Europën që kaq shumë vetësugjestionohet se e do, ky është rasti për ta përsëritur se ai është padiskutim bizantini kryesor në Shqipëri. Në të gjithë frymëmarrjen e tij politike. Ndaj kjo gjoja "narrativë" proverbash, e shumta mund të konkurojë me atë “this is a miracle of freedom”, por padyshim që e lë indiferente Europën që ka parë shumë dandy në politikë.

Por ajo që të habit është arsyeja e një shkrimi të tillë në FP. Kujt audience i drejtohet kjo beluliada e radhës tani që z. Rama ka nuk dihet sesa në pushtet? Si vallë nuk paskan autorët një fjalë për korrupsionin, krimin, por në mënyrën më të pacipë i kërkojnë stereotipet ndaj Shqipërisë në kohën e regjimit të Enver Hoxhës. Fatkeqësi për nivelin e mediave që autorizojnë petulla të tilla që nuk përmbushin brenda asgjë për të përligjur pritmëritë për një “analizë” politike.

Është fyese, por edhe e çuditshme të shohësh sesi në një media Perëndimore, Vuçiç i Serbisë del i lidhur me mafian, Orban si një dikush me prirje autoritariste të cilit i merret për kapital vendimi për LGBQTI, Polonia si vend që nuk dihet nga po shkon, Bullgaria portretizohet me dyshime, kurse Edi i Tironës, na del me ngjyra ekzotike. Në luftë me stereotipet e Europës, paragjykimet e saj e kështu me radhë pa kuptuar se tashmë, pas 30 vjetësh nuk bëhet më fjalë për të tilla, por për një raport njohjeje. Objektiv pse jo. Ne nuk e njohim Europën, supermarketet dhe butikët e saj, po. Kaq është ambicia jonë. Dhe ajo mesa duket na njeh aq sa kemi rëndësi për të. Fundja ne nuk aderojmë shpirtërisht në historinë e saj, të kulturës dhe institucioneve edhe pse po na thonë se feja jonë është europianizmi. Një tjetër eufemizëm ky vetëmashtrues për konsumizmin, mundësisht Qyl.

Ka kush talent më shumë se kaq për t’u bërë me dëshirë palaço në sytë e dynjasë? Ja një temë e mirë për Foreign Policy që na nxori mallin e gazetës “Bashkimi”, pa dashur ta fyejmë këtë të fundit.

Comments

Submitted by Doktor Mortja (not verified) on

Dy Kurva ka Shqiperia,
Ed mavria dhe Salija!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.