Halli i Polonisë me mbetjet
Qeveria polake synon të ashpërsojë ligjet për krimet mjedisore, një lëvizje që, megjithatë, nuk pritet të përmirësojë rekordin e dobët të vendit në përmbushjen e objektivave të BE-së për mbetjet dhe riciklimin e tyre.
Sipas aktivistëve të mbrojtjes së mjedisit, çështja e mbetjeve mbetet problem madhor, pasi Polonia nuk mund të menaxhojë as ato që prodhon vetë.
“Çështja e importit të mbetjeve është gjë e vogël. Ne kemi probleme shumë më të mëdha me mbeturinat tona, nuk mund t’u gjejmë vendin 13 milionë tonëve që prodhojmë vetë në vit. Nuk janë çështje gjysmë milion tonë që vijnë nga jashtë Polonisë", thotë Piotr Barczak, anëtar i bordit të OJQ-së, Zero Waste Poland.
Por ky nuk është problemi i vetëm. Importi i paligjshëm i mbetjeve ka gjetur terren në vend.
Ministria e Mjedisit pranoi pak ditë më parë se autoritetet kishin zbuluar 30 vende ku mbeturinat depozitoheshin ilegalisht nga një kompani gjermane në Beeskoë, pranë kufirit polak.
Ligji i ri me të cili po punon qeveria parashikon dyfishimin e dënimit maksimal me burg për tregtimin e paligjshëm të mbetjeve, në 10 vjet, dhe rritjen e gjobave për depozitimin ilegal të mbeturinave.
Polonia importoi në përputhje me ligjin rreth 527 000 tonë mbeturina nga BE në vitin 2019. Gjermania përbënte rreth 70 për qind të kësaj sasie, ndërsa eksportues të tjerë ishin Suedia, Danimarka dhe Austria.
Por përtej shifrave zyrtare, sasia e mbetjeve që importohen në mënyrë të paligjshme mendohet të jetë e madhe.
"Mbeturinat shpesh deklarohen gabimisht ose eksportohen në Poloni pa leje", citohet nga Politico.eu Carsten Preuss, president i OJQ -së mjedisore Bund në rajonin e Brandenburgut, zonë në kufi me Poloninë.
Një kategori mbetjesh regjistrohet fiktivisht si të riciklueshme - të klasifikuara si plastikë ose letër, pasi vendi ka ndaluar importin e mbeturinave të përziera - por plehrat nuk i plotësojnë këto kërkesa dhe përfundojnë duke u djegur ose hedhur në landfille. Në raste të tjera, mbeturinat thjesht kalohen përtej kufirit dhe hidhen.
Çështja erdhi në vëmendjen e gjerë të publikut në vitin 2018, kur një seri zjarresh shpërthyen në vendet e depozitimit në të gjithë vendin, duke bërë që qeveria të fillojë luftën e saj kundër importit ilegal të mbetjeve.
Ndërsa kjo çështje po largohet nga faqet e para të mediave, vendi po përballet me vështirësitë për të përmbushur kërkesat e BE -së për mbetjet që gjeneron vetë.
Në vitin 2019, Polonia gjeneroi 12.8 milion ton mbeturina komunale, ose 336 kilogramë për person - më pak se mesatarja e BE-së prej 502 kg për person.
Por vetëm rreth 34 për qind e mbeturinave komunale u ricikluan në vitin 2019 (nën mesataren e BE-së, 48 për qind), ndërsa 23 për qind u dogjën dhe 43 për qind përfunduan në landfille, sipas Eurostat.
Sipas ligjit të BE-së, vendet anëtare duhej të riciklonin 50 për qind të mbeturinave të tyre komunale vitin e kaluar - një objektiv që Polonia është pothuajse e sigurtë se nuk do ta arrijë. Bëhet më e vështirë nga atje. Deri në vitin 2025, 55 për qind duhet të riciklohen, shifër që shkon në 60 për qind deri në vitin 2030 dhe 65 për qind deri në vitin 2035.
Për më tepër, metoda e re e BE-së për ta llogaritur sasinë e mbeturinave të riciklueshme në bazë të mbeturinave që hyjnë në procesin përfundimtar të riciklimit dhe jo mbi sasinë e mbeturinave të grumbulluara për riciklim – e bën këtë objektiv më të vështirë për t’u arritur.
Add new comment