Qielli i bardhë i guroreve të Dimalit
Fabrikat e guroreve vazhdojnë të jenë shqetësimi kryesor i banorëve të Fshatit Konizbaltë në Bashkinë e Dimalit. Ata janë të detyruar të jetojnë mes pluhurit dhe tymit që lëshojnë guroret e shtrira në faqen e malit.
Për të shmangur nivelin e ndotjes në ajër, subjektet duhet të vendosin në punë filtrat mbrojtës, mirëpo banorët shprehen se subjektet nuk i respektojnë rregullat e punës, ndaj dhe zhurmat e shkaktuara nga guroret dhe ndotja e ajrit është e lartë.
Ndotja është shumë e keqe. Një tronditje në gurore lart dhe ne mund të na thyhen edhe gotat në shtëpi.
Fëmijët janë të shqetësuar. Zhurma bëhet atje, ata tremben këtu.
Erdhi deputeti Klosi këtu, na tha guroret ne i kemi mbyllur. Gurorja faktikisht po punonte. Ku je ti si shtet?
Subjektet e guroreve e ushtrojnë aktivitetin e tyre në bazë të lejeve mjedisore të dhënave nga Ministria e Mjedisit dhe gjobat nga Bashkia për mospërmbushje të disa standardeve të përcaktuara nuk duket se përbëjnë një problem për to.
Juliana Mema, kryetare e Bashkisë Dimal, thotë:
Pushteti vendor ka kompetenca të vakëta në këto raste. Deri te një gjobë minimale në rastet e ndotjes së mjedisit. Ne këtë e kemi realizuar. Ne jemi përpjekur të koordinojmë punët në ato raste që është kërkuar. Ngelet në vazhdimësi të përparojmë dhe të kërkojmë ndryshime në kuadrin ligjor, që në fakt jemi munduar ta bëjmë.
Tre vjet më parë ishte ministri i Turizmit, Bledi Klosi, që paralajmëroi bizneset e guroreve në këtë zonë të merrnin masa për parandalimin e ndotjes, në të kundërt do të përballeshin me sanksione.
“Shqipëria ka nevojë për biznesin tuaj, por nga ana tjetër, biznesi të jetë jo në kundërshtim me rregullat e bashkëjetesës me komunitetin dhe me mjedisin.”
Gjobave të vendosura nga bashkia apo agjencia e mjedisit, kompanitë që kanë koncensioneve shumëvjeçare i janë përgjigjur me padi në gjykata.
Add new comment