Rrënjët e anti-kapitalizmit dhe një arsye morale për majtizimin e intelektualëve

Postuar në 28 Korrik, 2021 19:42
Erik von Kuehnelt-Leddihn

 

Në mendjen e shumë njerëzve “kapitalizëm” është shndërruar në një fjalë të keqe dhe as “sipërmarrja e lirë” nuk tingëllon më mirë. Mbaj mend të kem parë postera në Rusi në fillim të viteve ’30 që pikturonin kapitalistët si Frankeshtajnë, si njerëz me fytyra të verdha – jeshile, dhëmbë krokodili, të veshur në kostum dhe të pispillosur me kapele cilindrike. Cila është arsyeja për këtë urrejtje të përhapur për kapitalistët dhe kapitalizmin pavarësisht të dhënave të gjithanshme se sistemi me të vërtetë që ka “shpërndarë të mirat materiale”?

Në fazën e tij të pjekur ai në fakt po siguron, jo vetëm për pak të zgjedhur, por për masat, një standard të jetuari që shihen miqësisht me zili nga ata që jetojnë nën rregullime të tjera politiko-ekonomike. Ka arsye historike, psikologjike dhe morale për këtë gjendje të punëve. Sapo t’i njohim ato, ne mund të përftojmë një kuptim më të mirë të indinjatës irracionale dhe dëshirës për të asgjësuar burimin e kësaj mirëqenieje.

Në Europë mbijeton ende një opozitë e konsiderueshme konservatore kundër kapitalizmit. Liderët e mendimit dhe veprimit konservator, më së shumti vinin nga fisnikëria që besonte në një rend agraro-patriarkal. Ata mendonin se punëtorët duhen trajtuar nga prodhuesit siç fisnikët trajtonin bujqit e vet dhe shërbyesit shtëpiakë, duke u siguruar atyre sigurinë e plotë për moshën e madhe, kujdesin në rast sëmundjesh dhe kështu me radhë. Ata gjiithashtu nuk i pëlqenin liderët e biznesit të ri që u shfaqën nga klasa e mesme:  borgjezia e madhe ishte konkurenti i tyre social, banieri, kreditori i tyre i pahonepsshëm, jo miku i tyre. Qytetet e mëdha me oxhaqet që nxirrnin tym shiheshin si fatkeqësi dhe shkatërrues të jetës së dikurshme.

Ne e dimë se Marx dhe Engels në Manifestin Komunist, sulmuan me tërbim lëvizjen sociale aristokratike si një kërcënim potencial për programin e tyre. Shumë nga mendjet kryesore të mendimit Kristian antikapitalist(po aq kundër edhe socializimit) ishin aristokratë: Villeneuve-Bargemont, de Mun, Liechtenstein, Vogelsang, Ketteler.

Paragjykimi kundër Kapitalizmit, jo me origjinë punëtore

Armin Mohler, neo-konservatori brilant zvicerano-gjerman, ka shpjeguar së fundmi se një nga pikat e dobëta të mendimit bashkëkohor konservator, ende i mbështjellë në fijet e romanticizmit të vet  të vjetëruar agrar, është armiqësia kundër teknologjisë moderne. Sa të drejtë që ka! Përjashtim mund të ketë qenë Italia me traditën e saj të fisnikërisë qytetare dhe patricëve që edhe përpara Reformacionit, ishin angazhuar në tregëti dhe manifakturë. Kapitalizmi në të vërtetë, është me origjinë nga Italia e Veriut. Ishte një françeskan, frat Luigi di Picioli që shpiku librin e llogarive të dyfishta të kontabilitetit. Kalvinizmi i dha një shtysë të re kapitalizmit, por nuk e shpiku atë.(Sipërmarrës aristokratë në Itali? Konti Marzotto me perandorinë e tij të diversifikuar të biznesit të tekstilit, letrës, zinxhirin e hoteleve dhe dyqaneve të peshkut, është një shembull tipik. Marrëdhëniet e tij të punës janë të një natyre patriarkale që përfshijnë përfitime thelbësore në kufij, diçka që karakterizon praktikën japoneze të biznesit).

Animoziteti i vërtetë kundër sipërmarrjes së lirë nuk origjinoi me punëtorët. Mbani parasysh se në fillim të shekullit të 19-të, klasa punëtore paguhej në mënyrë mjerane për dy arsye:

1) të ardhurat nga manifaktura ishte e kufizuar(prodhimi i vërtetë në masë erdhi më vonë) dhe

2) pjesa e luanit në fitime shkonte për riinvestime ndërkohë që manifaktura tipike mbijetoi shpesh në mënyrë modeste. Është kjo politikë asketike e kapitalizimit të hershëm europian që e bëri të mundur ngritjen fenomenale të standardeve të klasës punëtore. Duke parë se pronarët e manifakturës nuk kishin një jetë të shkëlqyer(siç kishin pronarët e mëdhenj të tokave), punëtorët në fillim e panë grupimin e tyre me një ftohtësi befasuese. Shtysa socialiste erdhi nga intelektualët e klasës së mesme, industrialistët eksentrikë(si Robert Owen dhe Engels) si dhe nga fisnikë të varfëruar me një ndjenjë mllefi ndaj rendit ekzistues.

Siç mund të imagjinohet, mëria e krijuar artificialisht u kthye së pari kundër pronarit të manifakturës që, në fund të fundit, nuk është asgjë, por një lloj brokeri mes punëtorit dhe publikut. Ai i mundëson punëtorit të shndërrojë punën e tij në të mira. Në këtë proces ai ka shpenzime të ndryshme, si ato për veglat dhe një pjesë e kostove të marketingut. Ai shpreson të fitojë nga këto transaksione në mënyrë që të vlerësojë përpjekjen e tij. Është kurioze të vihet në pah se përgjegjësia e tij përkundrejt sipërmarrjes ka një synim shumë më të madh sesa ajo e shumë punëtorëve. Nuk ka asnjë çudi pra që interesi, dikur i përqendruar në aksidentet në fabrika, tani po zhvendoset përherë e më shumë te sëmundjet e menaxherit. Sipërmarrësi nuk sakrifikon vetëm “nervat” e tij, por edhe paqen e mendjes. Nëse ai dështon, ai nuk dështon vetëm për vete; buka e dhjetëra, qindra, mijëra familjeve është në peshore. Situata nuk është e ndryshme në një kompani aksionere. Aty aksionerët disa herë kanë fitime në formën e dividentit – dhe disa herë jo. Punëtori pret përherë të paguhet. Rreziqet më të mëdha janë pra në majë, jo në fund.

Sërish, sesa mirë paguhet punëtori, kjo varet nga disa faktorë, i pari mes të cilëve është gatishmëria e konsumatorëve për të paguar për të mirat e prodhura një çmim të mjaftueshëm për të garantuar paga të larta. Këtu ne vijmë në pjesën ndërmjetësuese të kapitalistit.

Së dyti, është vendimi i sipërmarrësit(disa herë aksionerëve) sesa nga fitimi bruto do të shpërndahet(si dividend, bonuse e kështu me radhë) dhe sa shumë do të riinvesohet apo lihet mënjanë. Është evidente se sipërmarrja, duke qenë konkuruese, duhet “të shohë përpara” në një mënyrë shumë më konkrete sesa punëtori indiferent. Biznesi zakonisht duhet planifikuar vite më parë. Nuk duhet thjesht të përshtatet me mënyrat më të mira të prodhimit(që do të thotë blerja e makinerive të reja të shtrenjta), por ka nevojë po ashtu për asete financiare dhe rezerva.

Në finale, pagat duhet të jenë në një relacion të kuptimtë me mundësitë e marketingut dhe po ashtu me cilësinë e punës së kryer, sensin e detyrës së punëtorëve dhe të punësuarve. Në lojë hyn këtu edhe virtyti. Edhe fitimi neto i paguar nuk është detyrimisht një “humbje” për punëtorët, sepse një sipërmarrje fitimprurëse i tërheq investitorët; çfarë është mirë për sipërmarrjen është qartazi mirë për punëtorët e vet.

Ekziston një bashkësi interesash që mund të cenohet rëndë nga të dyja palët. E kotë të thuhet, mënyra më e zakonshme për të cenuar sistemin është përmes kërkesave të tepruara për paga, ndaj së cilës nëse cedohet, priret të eliminojë fitimet dhe t’i bëjë të pamarketueshme produktet. Punëtorët e organizuar politikisht mundet po ashtu të presojnë qeveritë mbi politikat inflacioniste. Grevat ndalojnë prodhimin për një periudhë të caktuar dhe kjo do të thotë humbje ekonomike. Paaftësia për të shitur për shkak të pagave të ekzagjeruara dhe çmimeve, apo për shkak të grevave të zgjatura mund të falimentojë ekonominë.

Kjo marrëdhënie reciproke mes kostove të prodhimit dhe fuqisë blerëse është nënvlerësuar përherë – sidomos në të ashtuquajturat “vende në zhvillim”. Kjo këmbëngulje për “një pagë të pranueshme”, shpesh nga kritikë qëllimmirë kristianë, në shumë raste nuk mund të respektohet pa një rritje çmimesh në treg. Kritikë të tillë harrojnë se punëtorët mund të preferojnë me një pagë të ulët sesa të mos punojnë fare.

Kursimet fillojnë në shtëpi

Një gjë është e sigurtë: ekonomitë industriale duhet të lindin në një nivel asketik, spartan. Kjo është e vërtetë për të gjitha ekonomitë, të lira apo socialiste. Apologjetët e Bashkimit Sovjetik mund ta përdorin këtë argument në mbrojtje të ekonomive sovjetike në fazën e tyre fillestare, por vetëm deri në një pikë: prezantimi i socializmit në Rusi prodhoi një rënie të menjëhershme dhe të frikshme të standardeve të jetesës së klasës punëtore, asaj fshatare dhe klasës së mesme, që krahasuar me nivelet e vitit 1916, janë përmirësuar vetëm në disa drejtime. Sektorë kryesorë janë ende më keq sesa përpara Revolucionit. Një pakicë mikroskopike, megjithatë jeton shumë mirë. Në të njëjtën kohë, ekonomitë e lira kanë bërë hapa të jashtëzakonshme çka është shkaku pse hendeku mes Rusisë dhe Perëndimit është më i madh sesa në vitin 1916. Ka dy arsye për këtë gjendje.

Së pari, Bllokut Lindor, me përjashtim të zonave të pushtuara nga sovjetikët, si Gjermania Lindore, Letonia dhe Estonia, u mungon e famshmja “Etika Protestane e Punës”.

Së dyti, sipërmarrja e lirë është në fillesë më produktive sesa kapitalizmi shtetëror për shkak të:

  1.  Ortekut të ambicieve të miliona individëve në një të vetëm,
  2.  elementi i konkurencës i bazuar në zgjedhjen e lirë të konsumatorit që përmirëson cilësinë dhe efiçencën,
  3.  menaxhimi strikt jo-politik bazuar në efiçencën dhe përgjegjësinë.

Ndaj, nga vjen vala e urrejtjes e drejtuar kundër sipërmarrjes së lirë? Intelektualë të pakënaqur që ideojnë utopi dhe fisnikë dekadentë nuk e justifikojnë tërësisht dukurinë. Ndonëse kapitalizimi i hershëm nuk “ka shpërndarë ende të mirat”(fëmijët vetëm mund të shfaqin premtime, asgjë më shumë), kapitalizmi i maturuar ka provuar se mund ta sigurojë një gjë të tillë. Duke folur në mënyrë empirike, kapitalizmi e ka justifikuar veten në krahasim me socializmin(për ekzistencën e të cilit duhet të jemi mirënjohës në këtë aspekt).

Sulmet kundër sipërmarrjes së lirë janë qarkulluar me ndihmën e teorive dhe sentimenteve, që shpesh ecin dora-dorës. Këto sulme jo rrallë bëhen në mënyrë të tërthortë, p.sh duke kritikuar teknologjinë. Kjo kritikë mund të jetë gjenuine, por shpesh shërben si devijim. Një pjesë e madhe e fushatës së tanishme kundër ndotjes është në mënyrë të pandërgjegjshme e drejtuar kundër kapitalizmit përmes teknologjisë.(ky problem i veçantë është më pak imediat në Botën Socialiste jo vetëm sepse është më pak e industrializuar; është megjithatë argëtuese të shohësh të Majtën të përqafojë të gjitha ëndrrat dembele të romanticizmit të vjetër konservator agrar). Megjithatë nëse ekzaminojmë nga afër sulmin ndaj sipërmarrjes së lirë, do të gjejmë këto elementë:

  1.   Akuza se ciklet e biznesit janë pasojë e lirisë, më tepër sesa ndërhyrjes politike, ndonëse prova për të kundërtën është e mirëstabilizuar.
  2.  Sulmi kundër konsumizmit, vrasjes së shpirtit formave të vetë skllavërimit të prodhimit modern. Në këtë fushë, megjithatë, fajtori kryesor është makina më tepër sesa faktori njerëzor. Teknologji në vetvete është strikt disiplinare. Në këtë kuadër, socializmi, apo komunizmi nuk do të sjellin lehtësimin më të vogël. Përkundrazi! Le të kujtojmë idealin stakanovit, mungesën në vendet socialiste të unioneve të vërteta të punës, mënyrat e pakufizuara të shtetit totalitar për shtrëngimin, rregullimin dhe kontrollet. Ne duhet të mbajmë parasysh se bota e lirë ka po ashtu një treg pune konkurues. Njeriu mund të zgjedhë vendin dhe kushtet e tij të punës.
  3.  Kritika e “kapitalizmit monopolist”, e ndarë në mënyrë më të butë nga shkolla “neo-liberale” i kundërvihet të gjitha formave të madhësisë. E megjithatë, në botën e lirë ne shohim se në shumicën e vendeve ka legjislacion kundër monopoleve me synim që të mbahet gjallë konkurenca, për t’i dhënë konsumatorit një zgjedhje të vërtetë. Çdo kritikë e monopoleve nga një socialist është hipokrite, për shkak se socializmi do të thotë monopol total, shteti si i vetmi sipërmarrës.

Pakënaqësi më të thella

Sërish, këto sulme janë përgjithësisht vetëm racionalizime të pakënaqësive shumë më të thella. Në rrënjë të anikapitalizmit ne kemi problemin teologjik të rebelimit të njeriut kundër Mëkatit Fillestar, apo për ta thënë në terma shekullarë, protestën e tij të kotë kundër kushtit njerëzor. Me këtë duam të themi mallkimin, subjekt i të cilit jemi, domosdoshmërinë për të punuar me djersën e ballit. Punëtori është në mbrojtje, por kështu është menaxheri dhe kështu është çdokush tjetër. Për këtë gjendje jofrymëzuese, shpesh të papëlqyeshme, njeriu mesatar e kërkon fajin gjetiu; kapitalizmi shërben si kokë e përshtatshme turku. Sigurisht, puna do të reduktohet ndjeshëm nëse do të kishte vullnet për të pranuar standarde më të ulëta jetese – çka shumë pak njerëz e duan. Pa mundësitë që siguron sipërmarrja e lirë për punë me fitime të mëdha, standardet e jetesës do shkonin në nivelet e mesjetës së hershme. Sërish, pakënaqësia kundër këtij rendi drejtohet jo dhe aq kundër një abstraksioni – siç është natyra njerëzore – sesa kundër personave. Kështu, fajtori quhet se është “Establishmenti” – i “kapitalistëve”.

Kjo na jep një të dhënë mbi natyrën e antikapitalizmit që ka dalë në sipërfaqe përherë e më shumë që nga Revolucioni Francez dhe rënia e Kristianizmit: Zilia. Që nga 1789, sekreti i suksesit politik ka qenë mobilizimi i shumicave kundër pakicave jopopullore që gëzojnë disa “privilegje” – veçanërisht privilegje financiare. Kështu në shekullin e 19-të, “kapitalisiti” shfaqet si njeriu që gëzonte pasuri të konsiderueshme ndonëse në dukje ai “nuk punonte” dhe nxirrte të ardhura të mëdha nga mundi i punëtorëve “që duhet të skllavëroheshin për të”. Përveç faktit të pakundërshtueshëm se ata kryesisht “skllavërohen për vete”, ka diçka të vërtetë në këtë.

Roli sipërmarrës

Thuajse çdo punëtor do të kontribuojë në përgjithësi në disa mënyra minore në të ardhurat e sipërmarrësit apo të aksionerëve. Kjo është shumë e natyrshme për shkak se një broker duhet përherë të paguhet; dhe një sipërmarrës, siç kemi thënë më herët, është një broker mes punëtorit dhe konsumatorit duke siguruar të parin me mjetet e nevojshme dhe drejtimin në prodhim(Tregëtari është një nën-broker mes prodhuesit dhe publikut). Është gjithashtu e natyrshme të paguash për mjetet e huazuara për arsyen e thjeshtë se vlera e tyre bie me përdorimin(Shitësi që udhëton do të duhet të paguajë për një makinë të marrë me qira, fotografi për një aparat të marrë me qira dhe kështu në vijim).

Përtej kësaj, sipërmarrësi(që është siç e kemi parë një broker ashtu edhe një huadhënës) merr rrezikun e dështimit dhe falimentimit. Kjo situatë mund të haset po ashtu në BS ku çdokush mund të marrë një “të ardhur të pamerituar” për paratë që vendos në një bankë kursimi apo kur mund të blejë një biletë llotarie. Blerja e një bilete të tillë bazohet në një pritmëri(p.sh të fitosh, por edhe merr përsipër një rrezik, p.sh të mos fitosh asgjë). Risku karakterizon të gjithë ekzistencën njerëzore: të përpiqesh pa parashikuar me saktësi suksesin.

Një shkrimtar nis një roman apo një piktor hedh penelat e para në kanavac nuk është i sigurtë nëse ai mund ta shndërrojë vizionin e tij në realitet. Ai mund të dështojë. Dhe shpesh kështu ndodh. Fermeri me drithin e tij është në të njëjtën dilemë. Por punëtori tipik që hyn në fabrikë mund të jetë i siguritë që do paguhet në fund të javës. Duhet vënë re se në Gjermani dhe Austri, p.sh, punëtori i industrisë punon në një mesatare prej 43 orësh në javë(40 orëshi në javë është i afërt), ndërkohë që të vetëpunësuarit punojnë mesatarisht 62.5 orë në javë. Me fjalë të tjera, rregulli brenda ekonomisë sonë të konsoliduar është ky: sa “më lart”, aq më e madhe përpjekja për punë dhe më e lartë po ashtu edhe etika e punës; punëtori dembel mashtron punëdhënësin, por punëdhënësi i ngathët mashtron vetëm veten.

Fakte dhe fiksione

Problemi, siç e shpjegoi njëherë Goetz Friefs, është se nocioni i tanishëm rreth fitimeve të kapitalistëve është totalisht jashtë realitetit. Arsyeja për këto ide të gabuara është pjesërisht matematikore. Le të shohim disa statistika. Shumë njerëz mendojnë se një rishpërndarje radikale e fitimeve do të sillte përfitime të vërteta për “të pambrojturit”.

Por çfarë na thonë të dhënat? Sipas Almanakut Ekonomik të vitit 1962, të publikuar nga Bordi i Konferencës Kombëtare Industriale në të ardhurat kombëtare në SHBA, kompensimi i punëtorëve zë 71%; të vetëpunësuarit zënë 11.9%, fermerët 3.1%. Fitimi i korporatës përpara taksave ishte 9.7% të totalit të të ardhurave kombëtare(pas taksave 4.9%) dhe dividenti i paguar ishte 3.4%. interesi i paguar ndaj kreditorëve shkoi në 4.7% të të ardhurave kombëtare. Dhe sërish, a ishin të gjithë përfituesit e këtyre dividenëtve dhe interesave të paguara të gjithë “kapitalistë”? Sa punëtorë, fermerë në pension, vejusha, OJF dhe institucione arsimore kanë qenë mes tyre? Nëse kjo shumë do të ndahej mes gjithë amerikanëve, a do të përmirësonte gjë kjo shumë situatën e tyre materiale? Sigurisht që jo.

Situata nuk është ndryshe as në pjesë të tjera të botës. Sipas të dhënave statistikore të mëhershme(1958) nëse të ardhurat e të gjithë gjermanëve do të reduktoheshin në një maksimum prej 1000 markash(250 dollarë të asaj kohe) në muaj dhe çdo qytetari do t’i jepej një pjesë e surplusit, kjo pjesë do të arrinte në 4 cent në ditë. Një përllogaritje e ngjashme, duke shpronësuar të gjitha të ardhurat austriake mujore mbi 1000 dollarë, në vitin 1960 do të ktheheshin në një shtesë prej 1 ¼ cent në ditë për të gjithë qytetarët.

Por le të kthehemi te fitimi i korporatës. 13 kompanitë më të mëdha itaiane përpilonin në vitin 1965 një faqe të plotë publiciteti të cilën ato përpiqeshin ta vendosnin në gazetat kryesore të përditshme të vendit. Me një shikim të shpejtë, kjo deklaratë na thotë se çfarë kanë qenë dividentët në vitin 1963, se sa arrinin ato në një periudhë 10 vjeçare, se çfarë rrogash paguheshin, sesa shumë kontribuoi industria në sigurinë sociale dhe pensionet e moshës së tretë. Raporti mes dividentëve dhe kostos së punës ishte diku të 1 me 12. Kompanitë shtuan se numri i aksionerëve(qartazi nga shumë shtresa të shoqërisë)  ishte mbi një gjysmë milioni – dyfishi i numrit të të punësuarve. Është interesante dhe domethënëse, dy nga të përditshmet refuzuan të shfaqin reklamën e paguar: një ishte gazeta komuniste “Unita”, tjetra “Osservatore Romano” e Vatikanit, shfajësimi i të cilës ishte se botohej jashtë qytetit të Vatikanit, që do të thotë jashtë shtetit italian.

Rrënjosur në zili

Për avokatin e barazisë, fakti se disa individë jetojnë shumë më mirë sesa të tjerët, duket të jetë “e papranueshme”. Politikat e të ardhurave të brendshme që përpiqen të “mbysin të pasurin” shpesh kanë rrënjët e tyre në zilinë njerëzore. Duket e kotë të demonstrosh se një rishpërndarje e pasurisë nuk do të sillte asnjë avantazh për shumëkënd, apo se një politikë fiskale shtypëse drejtuar kundër të pasurve është pa rrugëdalje dhe pa përfitim për ekonominë e një vendi. Dikush do të kundërshtojë duke thënë se në një demokraci, politika fiskale që mund të tingëllojë e dobishme nga ana ekonomike, mundet të jetë politikisht e papranueshme dhe e anasjellta. Të vësh në dukje se shpenzimi i personave të pasur mund të jetë për shtetin si të tërë, mund të sjellë reagimin e menjëhershëm se “askush nuk mund të ketë aq shumë para”. Dhe sërish, njerëzit që fitojnë shumë të mëdha, zakonisht kanë marrë rrisqe të jashtëzakonshme apo ofrojnë shërbime të jashtëzakonshme. Disa prej tyre janë shpikës. Le të supozojmë se dikush shpik një barnë efektive kundër kancerit dhe për rrjedhojë fiton 100 milionë dollarë. (Sigurisht, ata që vuajnë nga kanceri nuk do ta kishte zili pasurinë e tij). Nëse ai nuk i gropos lekët në një kopësht, vetëm do të ndihmonte duke kredituar të tjerët(përmes bankave p.sh) dhe duke blerë lirisht nga të tjerët. E vetmja arsye për ta kundërshtuar pasurinë e tij do të ishte zilia e pastër(do të shtoja se po të mos kishte qenë për liberalizmin e monarkëve, papave, peshkopëve, aristokratëve dhe patricëve, për një amerikan nuk do ja vlente të shpenzonte asnjë cent për të parë Europën. Peizazhi është shumë më madhështor në Botën e Re).

Është domethënëse që një ndër të paktët sociologë të shkëlqyer kristianë në Europë, At Oswald von Nell-Breuning, SJ, që nuk dallohet për leksione konservatore, ka marrë së fundmi një qëndrim të vendosur kundër miteve të efekteve fitimprurëse të rishpërndarjes së pasurisë. Si një nga arkitektët e Encyclical Quadragesimo Anno ai theksoi se Papa Piu XI ishte njohës shumë i këtij fakti të pakundërshtueshëm por se, në të njëjtën kohë, kjo njohje ka humbur dhe për pasojë idetë demagogjike kanë invaduar gjerësisht mendimin ekonomik dhe sociologik katolik. Jezuiti i ditur vuri në dukje se sidomos në problemet ekonomike të “Botës së Tretë”, toni dhe thirrja për “drejtësi të shpërndarjes” ka bërë dëme të mëdha.

Është bërë e modës të sulmohet sipërmarrja e lirë mbi premisa morale. Ka njerëz mes nesh, shumë prej të cilëve me synime të mira, kristianë idealistë, që pranojnë lirisht se “kapitalizmi i shpërndan të mirat”, se është shumë më efikas sesa socializmi, por si ai qëndron etikisht në një nivel më të ulët. Kapitalizmi denoncohet si egoist dhe materialist.

Sigurisht, jeta mbi tokë është një luginë lotësh dhe asnjë sistem, politik, social apo ekonomik nuk mund të shpallë perfeksionin. Sërish, mënyrat e prodhimit mundet ose të posedohen privatisht, ose nga shteti. Zotërimi shtetëror i të gjitha mënyrave të prodhimit sigurisht që num çon drejt lirisë, as e favorizon atë. Është totalitarizëm. Ai përfshin kontrollin shtetëror të të gjitha mediave dhe mënyrave të shprehjes(Në Gjermaninë Naziste prona private ekzistonte de jure, por de facto patjetër që jo). Vërejtja e Roepkes(Wilhelm Röpke) se në një sistem të sipërmarrjes së lirë, sanksioni epror vjen nga përmbaruesi gjyqësor, kurse në një tirani totalitare nga xhelati, është më shumë se e vërtetë.

Këmbëngulja kristiane mbi lirinë – zotimet monastike janë sakrifica të pak të zgjedhurve – rrjedh nga koncepti kristian se njeriu duhet të jetë i lirë në mënyrë që të veprojë moralisht(një njeri që fle, i shtypur, i droguar nuk mund të jetë as i virtytshëm, as mëkatar). Bota e lirë që në praktikë është sinonim me botën e sipërmarrjes së lirë, ofron një klimë, një mënyrë jete që përputhet me dinjitetin e njeriut që merr vendime të lira, gëzon privilegje, merr përgjegjësi dhe zhvillon talentet që i përshtaten. Ai është me të vërtetë kujdestar i familjes së tij. Ai mund të blejë, shesë, kursejë, investojë, luajë kumar, planifikojë të ardhmen, ndërtojë, kufizojë shpenzimet, të blejë kapital, të dhurojë, të marrë rreziqe. Me fjalë të tjera, ai mund të jetë zoti i fatit të tij ekonomik dhe të veprojë si një njeri, jo si dele në një tufë nën drejtimin e bariut dhe qenve të tij. Padyshim, sipërmarrja e lirë është një sistem i ashpër; kërkon burra të vërtetë. Por socializmi, që u apelon ziliqarëve që aspirojnë siguri dhe kanë frikë të vendosin për veten e tyre, e dëmton dinjitetin njerëzor dhe e thyen njeriun tërësisht.

Shënim: Shkrimi i mësipërm sillet në faqen e Mises Institute dhe është publikuar për herë të parë në vitin 1972. Në një kohë kur dueli ideologjik mes dy sistemeve ishte në kulmin e tij. Koha provoi një sërë argumentesh të autorit që ishte një fisnik austriak, teoricien që e përshkruante veten si kundërshtar të të gjitha formave të totalitarizmit, sikundër evidendoi me forcë probleme të mëdha të sistemit aktual.

Diskutimi mbi këtë temë është aktual kur sheh se retë e një lloj totalitarizmi po shfaqen ngado, jo më në formë represive si më parë, por në formën e një mbylljeje në vetvete të sistemit që po prodhon ultra të pasur. Tema e rishpërndarjes së pasurisë riaktualizohet me forcë dhe një gjë e tillë, pra pabarazia, është vënë në dukje nga teoricienë të kohëve të fundit, si një ndër problemet kryesore të krizës së tanishme.

Megjithatë në Shqipëri, kapitalizmi si formë e mirëfilltë ekonomike nuk ka mbërritur. Ne përjetojmë një formë hibride ku shteti, më saktë pushteti ndan si dhe çfarë do, përtej rregullimeve të tregut, të cilin nuk e lejon të zhvillohet. Shteti është punëdhënësi më i madh duke paralizuar kapacitetet ekonomike të vendit çka na bën të pranojmë se Zilia si premisë është po aty, po aq e fortë dhe frenuese sa në parashtrimin e Kuehnelet-Leddihn.  

Përkthimi: Skerdilajd Zaimi 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.