Macron: I kemi borxh Polinezisë për testet nukleare
Presidenti francez, Emmanuel Macron, thotë se Franca është në borxh me Polinezinë Franceze për provat bërthamore që u kryen në territorin e Paqësorit në vitet 1960 dhe 1970.
Dua të thyej heshtjen sot për të bërë të dëgjohet e gjithë e vërteta, në mënyrë që ajo të ndahet dhe kështu e gjithë bota e di saktësisht se çfarë është bërë, çfarë dihej atëherë dhe çfarë dihet sot. Unë marr përgjegjësinë dhe kërkoj të vërtetën dhe transparencë me ju.
Parisi kreu 193 prova bërthamore, nga të cilat 41 ishin mbi tokë, në Polinezinë Franceze midis 1966 dhe 1996 si pjesë e programit të tij të zhvillimit të armëve bërthamore.
Siç raporton Euronews, Macron shtoi se Franca "i ka një borxh Polinezisë Franceze", duke pranuar se "ne nuk mund të themi absolutisht se testet bërthamore ishin të pastra".
Në mars të këtij viti, një raport novator zbuloi shkallën e dëmit të shkaktuar në popullatën lokale nga testet.
Studimi, i quajtur “Dosjet Moruroa” zgjati dy vjet dhe ishte një bashkëpunim midis OJQ -së franceze të mediave Disclose, kolektivit kërkimor britanik të drejtësisë mjedisore Interprt, Universitetit Norvegjez të Shkencës dhe Teknologjisë dhe programit Science & Global Security në Universitetin Princeton.
Për të rindërtuar eventet e kontaminimit pas shpërthimeve bërthamore - kryesisht Aldébaran në 1966, Encelade në 1971 dhe Centaure në 1974 - studiuesit mblodhën të dhënat nga rreth 2 000 dokumente të deklasifikuara, si dhe fotografi dhe harta. Studimi arriti në përfundimin se rreth 90% e popullsisë së Polinezisë u prek nga pasojat radioaktive.
Autorët e raportit thanë se qeveria franceze e kishte "fshehur ndikimin e vërtetë të provave bërthamore në shëndetin e polinezianëve për më shumë se 50 vjet" dhe se Franca e ka nënvlerësuar jashtëzakonisht ndikimin e politikave të saj.
Në atë kohë, Franca zgjodhi Polinezinë si vend testimi pasi nuk mund të kryente më prova të ngjashme në Algjeri pasi kjo e fundit shpalli pavarësinë.
Add new comment