Thellohet skandali me emetimet e Albchrome
Skandali me emetimin e ndotjes që shkaktohet nga kompanitë e përpunimit të kromit në Elbasan thellohet edhe më tej. Situatën alarmante e pranon për MCN edhe zëvendësdrejtori i inspektoriatit të mjedisit në Elbasan, Ismail Dybeli. Pas kronikës të transmetuar pak ditë më parë në MCN, ku pamjet tregojnë zonën e fshatit Balldren të mbuluar nga tymi, Dybeli thotë se është në dijeni të nivelit të lartë të ndotjes që emetohet nga fabrikat e Albkrome, pjesë e Balfin grup në zotërim të biznesmenit Samir Mane.
Ferrokromi, fabrika e kompanisë Albkrom që bën përpunimin e kromit, sipas Dybelit është më problematike sa i përket çështjes së ndotjes në zonën e Balldrenti. Sipas tij, kjo kompani nuk ka të instaluar sistemin e pluhurkapjes, për të cilën janë në dijeni edhe institucionet përkatëse.
Zëvendësdrejtori i inspektoriatit shpjegon se nga ky institucion janë kryer inspektime që kanë evidentuar nivelin e lartë të ndotjes dhe materialet për problematikat e gjetura janë referuar në Ministrinë e Mjedisit.
Por sipas Dybelit, Inspektorati i Mjedisit në Elbasan nuk ka aparaturat e nevojshme për të bërë matjet e ndotjes së ajrit dhe emetimeve nga fabrikat, ndonëse mbulon një prej zonave me aktivitet të lartë industrial.
Në vëzhgimin që bëri pak ditë më parë, MCN solli pamje ekskluzive të ndotjes masive gjatë natës në fabrikat e përpunimit të kromit, ku janë të punësuar edhe një pjesë e banorëve të zonës, të cilët janë të rezervuar për të folur nga frika e heqjes nga puna.
Add new comment