Twitter "shtrohet" në Indi
Njësia e Twitter Inc. në Indi ka emëruar një zyrtar të përkohshëm, i cili do të mbikëqyrë pajtueshmërinë e shërbimeve të kompanisë me rregulloret e reja të IT që ka hartuar qeveria Modi. Shumë shpejt do të jenë disa zyrtarët që do të merren me këtë çështje në Delhi, raporton "Reuters".
Tëitter e bëri të ditur këtë vendim të enjten, në përfundim të një beteje të gjatë ligjore me qeverinë indiane për rregullat e reja të IT. Qeveria Modi ka hartuar një rregullore, e cila u kërkon kompanive të mëdha të teknologjisë, duke përfshirë WhatsApp, Facebook, Google - dhe Twitter - që të caktojnë drejtues nga India për njësitë e tyre brenda vendit.
Twitter Inc., kompania me bazë në Kaliforni, kohët e fundit ka njoftuar përmes LinkedIn-it se pozicioni i zyrtarit kryesor të pajtueshmërisë, oficerit nodal dhe oficerit të ankesave për degën e saj në Indi janë të lira. Në seancën e së enjtes në Gjykatën e Lartë të Delhit, kompania premtoi se të plotësonte të gjitha pozitat e kërkuara me individë që jetojnë në Indi, ku do të hapet edhe një zyrë ndërlidhëse.
Përveç origjinës së drejtuesve, rregullat e reja indiane, të cilat hynë në fuqi në maj, kanë për qëllim rregullimin e përmbajtjes në mediat sociale në përputhje me ligjet indiane, si dhe detyrimin e kompanive të teknologjisë që të veprojnë më shpejt mbi kërkesat ligjore - të tilla si heqja e postimeve të pavërteta.
Rregullat u prezantuan pas një përplasje midis Twitter dhe qeverisë së Narendra Modi, që filloi në fillim të këtij viti kur ky i fundit u urdhërua të hiqte një hashtag të debatueshëm lidhur me protestat e fermerëve indianë.
Gjykata e Lartë e Delhit i ka dhënë Twitter-it dy javë kohë për të bërë emërime të përhershme përpara se drejtuesit e përkohshëm të marrin postet e tyre të reja. Po ashtu, gjykata deklaroi se qeveria është e lirë të veprojë kundër Twitter-it nëse zbulohet ndonjë shkelje e mëtejshme e rregullave.
Add new comment