G20 i hap dritën jeshile taksës për gjigantët e teknologjisë

Postuar në 10 Korrik, 2021 23:08

Vendet e G20 kanë rënë më në fund dakordësinë për të taksuar kompanitë shumëkombëshe. Ministrat e Financave të G20 miratuan të shtunën një reformë tatimore, që synon t'u japë fund parajsave fiskale, duke hapur rrugën për një taksim të ri që duhet të jetë në fuqi deri në 2023. Propozimi për një normë globale të taksës së korporatave me 15% është miratuar tashmë nga më shumë se 130 vende. Ministri i Financave i Francës, Bruno Le Maire, e cilësoi marrëveshjen një "fitore", raporton "Euronews".

"Ne po i japim fund optimizimit të taksave dhe gjigantët dixhitalë më në fund do të paguajnë pjesën e taksave që u takon. Ky është revolucioni më i madh i taksave në një shekull", shtoi ai në Twitter.

Ndërsa ministri gjerman i Financave, Olaf Scholz, tha në fillim të takimit në Venecia, Itali, se ky është "një moment historik".

G20 përbëhet nga Argjentina, Australia, Brazili, Kanada, Kina, Franca, Gjermania, Japonia, India, Indonezia, Italia, Meksika, Rusia, Afrika e Jugut, Arabia Saudite, Koreja e Jugut, Turqia, MB, SH.B.A. dhe BE-ja. Spanja është e ftuar e përhershme.

Së bashku, ato përbëjnë 60% të popullsisë së botës dhe përfaqësojnë më shumë se 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto global dhe 75% të tregtisë globale.

Të premten, një Panel i Pavarur i Nivelit të Lartë G20 tha se bota duhet të investojë shumë më tepër për të shmangur përsëritjen e pandemisë COVID-19.

Ekspertët paralajmëruan që kriza e ardhshme shëndetësore mund të vijë brenda një dekade dhe u rekomandoi qeverive të rrisin financat me të paktën 63 miliardë euro gjatë pesë viteve të ardhshme.

Ndërkohë, rreth 20 aktivistë u kërkuan qeverive të kujtojnë rëndësinë e shpëtimit të planetit. Ata u ulën në mes të urave, rrugëve dhe shesheve të Venecias, duke u bërë thirrje udhëheqësve botërorë që të dekarbonizojnë ekonominë globale.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.