Një kundërpërgjigje europiane për Rrugën e Mëndafshit
BE po i kundërpërgjigjet me një projekt konkret nismës kineze Belt&Road. Projekti i madh infrastrukturor i Pekinit ka për qëllim të lidhë Azinë me tregjet evropiane, por është parë gjerësisht si një mjet që do t’i sigurojë Kinës ndikim politik ndërkombëtarisht. Këshilli Europian ka një draft konkret konkluzionesh në të cilat kanë arritur qeveritë e BE-së. sipas tyre, pasi Komisioni t’u hapë dritën jeshile këtyre konkluzioneve, nëntë muajt që do të pasojnë do të jetë koha për përpilimin e një liste "projektesh me ndikim të lartë dhe të dukshëm" për të rivalizuar skemën e Pekinit, raporton Politico.eu.
Një ndër sfidat për evropianët do të jetë një emër po aq tërheqës sa “Belt&Road” dhe një logo.
Duket si një lojë që Brukseli po bën për të arritur Kinën. Iniciativa e Pekinit nisi rreth tetë vjet më parë dhe u ideua si një alternativë e Rrugës së dikurshme të Mëndafshit. Nisma ka një kosto prej 2.5 trilion dollarë dhe i jep mundësinë Pekinit të zgjerojë rrjetet e tij detare dhe energjetike në të gjithë globin. Strategjia kineze është shoqëruar me Kritika të ashpra. Kina është akuzuar se ka future në kuthrin e borxhit vendet partnere, duke përfshirë Malin e Zi dhe Sri Lankën, përmes projekteve të përbashkëta ekonomikisht të paqëndrueshme.
Udhëheqësit e G7 ranë dakord muajin e kaluar për një alternativë demokratike ndaj nismës kineze dhe projekt-konkluzionet nga Këshilli i BE sugjeruan që BE nuk është plotësisht i bindur nga mënyra sesi Kina e ka përshkruar projektin e vet.
Afrika dhe Amerika Latine, në planet e BE-së
BE kërkon të shkojë përtej strategjisë së lidhjes BE-Azi 2018 dhe synon të ndërtojë një BE "të lidhur globalisht" e cila do t’i lejojë bllokut ta kthejë vëmendjen e tij në Afrikë dhe Amerikën Latine, destinacionet kryesore për investimet kineze. Këshilli pritet të kërkojë nga Komisioni, dega ekzekutive e BE, të zhvillojë atë që e ka quajtur një narrativë unifikuese për veprimet e ndërmarra nga të gjithë aktorët përkatës.
"Kjo narrativë duhet të përfshijë emrin e markës dhe logon e njohur të zhvilluar së bashku me shtetet anëtare dhe duhet të mbështetet nga një fushatë me vizibilitet publik", thuhet në një deklaratë.
Deri tani, nuk ka asnjë çmim për skemën e re të BE-së, por Këshilli do të bëjë thirrje për një përzierje të financimit publik dhe investimeve private. Ai do t'i kërkojë Komisionit të "paraqesë skema koherente dhe të efektshme të financimit për të stimuluar investime të qëndrueshme të lidhjes", duke përfshirë instrumentet financiare të nivelit të BE dhe vendeve anëtare, kreditë e eksportit, huatë dhe garancitë, si dhe angazhimin e Bankës Evropiane të Investimeve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Add new comment