Kuvendi rikthen praktikën e vjetër: Gazetarët do jenë prezentë në komisionet parlamentare
Kuvendi i Shqipërisë ka ndryshuatr sërish rregulloren e akreditimit të gazetarëve në ambientet e komisioneve parlamentare. Në njoftimin e vet, Kuvendi informon se pas konsultimeve me gazetarë është arritur në disa ndryshime të rregullave të tanishme përmes të cilave sanksionohet:
- Lejimi i prezencës fizike të gazetarëve në komisionet parlamentare si dhe lejimi i përdorimit të aparateve celularë në ambientet e komisioneve nga ana e tyre, duke u mundësuar atyre aksesin e plotë të çdo informacioni, përtej asaj që mundëson sistemi.
- Mundësimin e marrjes së planeve video për një minutazh të caktuar, duke përcaktuar një kohë në dispozicion për marrjen e këtyre planeve, rreth 5 minuta nga fillimi i mbledhjes.
- Shoqërimin e përfaqësuesve të medias vetëm nga ana e punonjësve të Zyrës së Shtypit në Kuvend, në rastet kur është e nevojshme, dhe sipas përcaktimeve të lëvizjes dhe vendqëndrimit të tyre në këtë Rregullore.
- Krijimin për gazetarët të një ambjenti të posaçëm qëndrimi, përveç atij te salla e medias/News Room, edhe në oborrin e jashtëm, brenda territorit të Kryesisë së Kuvendit, duke mundësuar atyre aksesin e tyre ndaj deputetëve dhe personave të tjerë për të cilët janë të interesuar.
- Heqjen e detyrimit për dhënie informacioni Zyrës së Medias së Kuvendit, lidhur me çështjet konkrete që do të diskutohen, në kërkesat për intervista me deputetë në Kuvend
Siç shihet Kuvendi ka rikthyer pak a shumë praktikën e dikurshme të raportimit nga mjediset e një institucioni kaq të rëndësishëm, praktikë e cila u zhbë për arsye të paqarta dhe pa lidhje me arsyen.
Add new comment